Artistët e pavarur janë dëmtuar më së shumti nga pezullimi i punës si pasojë e pandemisë, sipas dramaturgut Jeton Neziraj e aktorit Armond Morina.
Neziraj në emisionin Desku të KOHËS ka thënë se teksa aktorët e Teatrit Kombëtar kanë marrë paga, ata që janë të pavarur dhe pa angazhime kanë pësuar shumë në tetë muajt e fundit që kur u vendosën masat e izolimit.
“Janë humbur rreth 20 produksione teatrore, sepse në vit në Kosovë nuk prodhohen më shumë se 20 shfaqje. Është numër shumë i vogël. Kosova ka humbur rreth 20 produksione, por skena e pavarur dhe artistët e pavarur janë më të dëmtuarit. Ata kanë pasur probleme të jashtëzakonshme sepse s’kanë pasur as angazhime. Ishin pa punë. Janë kategoria më e papërfaqësuar dhe e dëmtuar në këtë aspekt”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, aktori Morina ka shtuar se grupi i artistëve të pavarur është më i lëni pas dore. Sipas tij, Kosova është i vetmi vend ku artistët e pavarur kanë mbetur pa mbikëqyrje.
“Po na mungon një strategji nacionale. Jemi shumë vonë. Jemi vonë në investime”, ka thënë ai.
Kjo u kundërshtua nga zëvendësministri i Kulturës, Engelbert Zefaj. Sipas Zefajt, shteti ka subvencionuar më shumë se 20 projekte teatrore.
“Në janar-shkurt ministria ka iniciuar thirrje publike për subvencione. 23 projekte janë subvencionuar dhe i kanë marrë ato mjete. Ata s’kanë pasur mundësi t’i shpenzojnë, por e kemi kuptuar që për shkak të pandemisë. S’do t’i kthejnë prapa mjetet. Riprogramimi është punë në proces”, ka thënë ai.