Kulturë

Teatrot e qyteteve në zonë të kuqe pezullojnë repertorin

Ashtu siç është pritur pas vendimit të ri të Qeverisë në raport me pandeminë, teatrot e qyteteve që gjenden në “komuna me rrezik të lartë” kanë pezulluar repertorin për pjesën e mbetur të këtij muaji. Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, ai i Ferizajt “Adriana”, “Avdush Hasani” i Podujevës, “Hadi Shehu” i Gjakovës kanë konfirmuar se nuk do të japin shfaqje për publikun të paktën deri në fund të muajit. Teatri “Istref Begolli” i Pejës dhe ai “Muharrem Qena” i Mitrovicës nuk kanë njoftuar të kenë shfaqje as në këtë periudhë.

Nëpërmjet vendimit për masat e reja për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit, që ka hyrë në fuqi në ditën e 13-të të këtij muaji, Qeveria i ka lejuar aktivitetet kulturore. Por me të njëjtin vendim ekzekutivi i pamundëson shumicën prej tyre. Përderisa institucionet kulturore mund të ushtrojnë veprimtarinë duke shfrytëzuar 30 për qind të hapësirave në komunat “me rrezik të lartë” ndalohen lëvizjet e qytetarëve nga ora 19:00 deri në 05:00. Në këtë kategori hyjnë Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Mitrovica e Jugut, Gjilani, Ferizaj, Shtimja, Gjakova dhe Peja.

Shumica e ngjarjeve kulturore mbahen në mbrëmje prej orës 19:00 dhe 20:00.

Teatri Kombëtar i Kosovës kishte pezulluar repertorin deri më 23 nëntor për shkak të disa aktorëve që kanë rezultuar pozitivë në testin për COVID-19, por edhe shkaku i provave të Baletit Kombëtar të Kosovës, që është duke përgatitur shfaqjen e re. Por as pas kësaj date institucioni më i lartë teatror në vend nuk do të mund të japë shfaqje.

“Do të vazhdojë vetëm puna me prova”, ka thënë Adrian Morina, ushtrues detyre i udhëheqësit artistik të TKK-së. “Me këto masa të ndërmarra është e pamundur të zhvillojmë repertorin e rregullt në skenën e madhe dhe të vogël. Për pjesën e provave, meqenëse nuk është mbyllur totalisht Teatri, ne do të vazhdojmë”, ka thënë ai. Ka treguar se aktualisht janë në proces të realizimit të dy shfaqjeve në skenën e vogël: “Stefani”, nën regji të Ben Apollonit, dhe “Pamje revolucioni”, nën regji të Kaltrim Balajt.

“Sa u përket shfaqjeve, do të jetë e vështirë me kufizimin e lëvizjes në ora 19:00. Edhe nëse e zhvendosnim orarin prej orës 17:00 do të jetë e vështirë për publikun të kthehet në shtëpi deri në orën 19:00. Nëse do të luajmë prej orës 16:00 sërish do të ishte problematike, sepse shumica e njerëzve punojnë deri në orën 17:00 dhe shfaqja luhet për publik”, ka thënë ai.

Sipas Morinës, është një dëm i jashtëzakonshëm që po u shkaktohet teatrit dhe kulturës.

“Por të mos harrojmë që ne po jetojmë në rrethana të jashtëzakonshme. Mbase do të na duhet t’iu rikthehemi, pa vullnetin tonë, shfaqjeve online deri në një vendim tjetër për Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.

Të martën, Teatri i qytetit në Gjilan ka njoftuar se është detyruar ta pezullojë repertorin.

“Me keqardhje ju informojmë që në rrethanat aktuale në të cilat gjendemi, e kemi të pamundur zhvillimin normal të repertorit tonë të muajit nëntor. Andaj, me qëllim të respektimit të masave parandaluese për COVid-19 dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit tonë të përbashkët, anulohen shfaqjet e planifikuara për këtë muaj”, ka njoftuar ky institucion.

Njëjtë ka vepruar edhe teatri “Adriana” në Ferizaj. Ka njoftuar se për shkak të masave të reja në luftën kundër pandemisë, është bërë e pamundur mbarëvajtja e repertorit për muajin nëntor.

“Pra, ne kemi anuluar të gjitha shfaqjet dhe aktivitetet e planifikuara për këtë muaj. Ne vazhdimisht do t’ju mbajmë të informuar për aktivitetet e teatrit ‘Adriana’, të cilat aktivitete varen shumë nga masat që merren në lidhje me pandeminë”, ka njoftuar ky institucion teatror.

Njëjtë ka vepruar edhe teatri “Avdush Hasani” në Podujevë. Ky institucion lokal ka vendosur që të pezullojë repertorin, kurse të vazhdojë provat pasi vendimi i Qeverisë lejon aktivitetet.

“Njëherë përnjëherë po punojmë shfaqjen e re, të dytën për këtë vit”, ka thënë drejtori i teatrit “Avdush Hasani”, Agron Gërguri.

Tjetër opsion nuk ka gjetur as menaxhmenti i teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë. “Ne jemi në zonë të kuqe dhe lëvizjet ndalohen nga ora 19:00. Nuk mund t’i japim shfaqjet as nga ora 17:00, pasi shfaqjet zgjasin gati dy orë. Për këtë muaj do të jetë kështu. Nëse kjo masë zgjat, atëherë ka mundësi që muajin tjetër t’i japim shfaqjet nga ora 16:00”, ka thënë Edi Kastrati, drejtor i Teatrit të Gjakovës.

Javën e kaluar kur Qeveria kishte dalë me propozim-vendimin e ri sa u përket masave në raport me pandeminë, qasja e ekzekutivit ishte kritikuar si e pamenduar në raport me institucionet kulturore.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”, kishte thënë se propozim-vendimi i Qeverisë nuk është i menduar mirë dhe nuk merr parasysh fare shumë veprimtari, të cilat në realitet ndodhin e mund të ndodhin vetëm në mbrëmje.

“Këtu natyrisht e kam në mendje teatrin, respektivisht shfaqjet teatrore të cilat jepen në mbrëmje. Vendimi i sotshëm nuk i ndalon, megjithatë, i pamundëson duke i kufizuar në kohë. Mendoj që ata duhet ta shqyrtojnë këtë vendim absurd”, kishte thënë ai. Gazeta të martën i ka adresuar pyetje edhe ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, por ajo nuk është përgjigjur.

Ky është pezullimi i dytë i shfaqjeve brenda vitit.

Në mars të këtij viti, kur pandemia e virusit korona kishte filluar të përhapej, me vendim të Qeverisë së Kosovës institucionet kulturore ishin mbyllur për një kohë të pacaktuar, premierat u shtynë, provat u anuluan, si dhe repertori artistik u pezullua. Mosmbajtja e premtimit për rihapje të teatrove kishte bërë që komuniteti teatror të revoltohej. Në fillim të vjeshtës, më 25 shtator, Qeveria kishte vendosur për lehtësim masash, ku përfshihej edhe lejimi i pjesshëm i hapësirave kulturore.