Teatri i Gjilanit e ka parë të nevojshme që shfaqjet që i realizon t’i dërgojë edhe nëpër komuna të tjera. Udhëheqësit e këtij institucioni këtë e kanë parë si një mundësi të mirë për të mbushur boshllëkun artistik nëpër teatrot lokale.
Disa nga shfaqjet që janë pjesë e repertorit të tanishëm të Teatrit do të shfaqen para publikun në komuna të ndryshme si Viti, Kaçanik, Kamenicë, Ferizaj, por edhe në Prishtinë, Shkup e Tiranë. Shfaqja “Erdhi Godoja”, pastaj “Shfaqja që shkon keq”, komedia “Vrapo pas gruas tënde”, e të tjera do të jenë disa nga shfaqjet që do të udhëtojnë përmes “Teatrit mobil”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Rreth 15 shfaqje priten që gjatë shtatorit e deri në dhjetor të jepen nëpër teatro të komunave. Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, ka thënë se lokacionet , shfaqjet dhe datat e sakta do të bëhen së shpejti publike. Në anën tjetër, duke folur për këtë projekt, Zymberi ka thënë se ideja e “Teatrit mobil” fillimisht ka ardhur si nevojë për prezantimin e punës së Teatrit që ai drejton, përmes udhëtimeve artistike të shfaqjeve edhe nëpër qytetet e vende të tjera.
Zymberi, po ashtu, ka treguar se ata do t’i dërgojnë shfaqjet e tyre nëpër vende të ndryshme për të plotësuar edhe boshllëkun artistik kundrejt kërkesës së publikut.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)
-
Teatri i Gjilanit me synime për të nxitur dialog shoqëror, buxheti ankesë e përhershme
-
Institucionet kulturore pa ofertë për publikun në kohë pandemie
-
“Djali” me dramën e familjeve, premierë në Gjilan
-
Festivali i Teatrove në Ferizaj midis traditës e synimit për afërsi me publikun
-
“Tartufi” në Gjilan synon të godasë hipokrizitë e të sotmes