Kulturë

“Tartufi” në Gjilan synon të godasë hipokrizitë e të sotmes

“Tartufi” në Teatrin e Gjilanit është në fazën e provave të tavolinës, përderisa premiera pritet më së largu deri më 20 dhjetor

“Është një vepër që i flet aktualitetit pa e prekur akoma, por gjithsesi edhe për lojë aktorësh. Një lloj zhveshjeje nga koha, dhe për ta bërë më aktuale në kuptimin e marrëdhënies direkte me hallet të cilat i trajton vepra në raport me shoqërinë dhe me publikun që do ta ndjekë. Ne kemi zgjedhur një ripërpunim dramaturgjik të veprës për ta sjellë në këtë kohë”, ka thënë regjisori Qëndrim Rijani, të cilit i është besuar inskenimi i “Tartufit” në Teatrin e Gjilanit

Trupa e Teatrit të Gjilanit po bëhet gati për të vënë në skenë shfaqjen që zhvesh fenomenet negative të shoqërisë. Komedia “Tartufi” me tekst të Molièrit të famshëm, e shkruar këtu e tre shekuj më parë, përherë është aktuale. Në këtë frymë është përshtatur edhe dramaturgjia për të shpërfaqur hipokrizinë, gënjeshtrat, mashtrimin e jo vetëm, në skenë teatri. Cilësitë janë pjesë e karakterit të Tartufit, në shfaqjen me regji të Qëndrim Rijanit. Premiera e “Tartufit” është bërë e ditur të jetë më së largu më 20 dhjetor. Shfaqja satirike shpërfaq nëpërmjet komedisë manipulimet e shoqërisë së “respektueshme” dhe njerëzit që ia dalin të bëjnë gjithçka, që shfrytëzojnë rrugë të tjera për t’ia dalë mbanë.

Regjisori i shfaqjes, Qëndrim Rijani, ka rikujtuar se vepra e Molièrit është në mesin e dhjetë shfaqjeve më të luajtura në botë.

“Kjo ndoshta edhe për faktin e temës që trajton, hipokrizinë njerëzore dhe që është një temë që shoqëron njerëzimin. Sa më shumë ai zhvillohet, aq më e fuqishme bëhet kjo. Sa më shumë që distancohen njerëzit shpirtërisht, aq më e fuqishme bëhet ajo gropa ku rritet dhe shumohet hipokrizia”, ka thënë ai në një intervistë për emisionin “Express” në KTV, derisa e ka vlerësuar edhe si veprën më të mirë të autorit.

Sipas regjisorit Rijani, dramaturgjia e shfaqjes është përpunuar për ta bërë më aktuale tematikën, ndonëse ajo përkon edhe me gjendjen e shoqërisë së sotme. Sipas tij, teksti i përshtatur e bën shfaqjen më aktuale sesa vetë origjinali.

“Është një vepër që i flet aktualitetit pa e prekur akoma, por gjithsesi edhe për lojë aktorësh. Një lloj zhveshjeje nga koha dhe për ta bërë më aktuale në kuptimin e marrëdhënies direkte me hallet të cilat i trajton vepra në raport me shoqërinë dhe me publikun që do ta ndjekë. Ne kemi zgjedhur një ripërpunim dramaturgjik të veprës për ta sjellë në këtë kohë. E kemi përpunuar dramaturgjikisht për ta zhveshur nga ajo kohë. Vetvetiu vepra është bërë më aktuale sesa vetë origjinali. Them se në këtë aspekt ia kemi dalë”, ka thënë Rijani, regjisor i teatrit, operës dhe filmit.

Karriera e tij është e pasur me vepra të huaja e shqiptare të shfaqura në shumë vende të Evropës të cilat janë vlerësuar me shumë çmime nëpër festivale. Shfaqjet e tij karakterizohen nga stili i tij i vrazhdë e i drejtpërdrejtë. Ai është edhe regjisori i operës së parë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Shfaqja kërkon numër të madh të aktorëve, prandaj pos ansamblit të Teatrit të Gjilanit janë përfshirë edhe aktorë të pavarur. Sipas tij, për teatrot si institucione janë esenciale veprat e tilla të mëdha.

“Veprave klasike, sidomos pas pandemisë, u rrimë larg, sepse janë të vështira të sillen, është një nga veprat që kërkon ekip dhe infrastrukturë. Teatri si institucion kulturor duhet të ketë shtyllë kryeveprat botërore, duhet të paktën një herë në vit të ketë një vepër madhore të dramaturgjisë botërore. Për mua si regjisor, kur unë mbyll provat me mendimin se do të kisha mundur të vazhdoja edhe pak, është një masë me të cilën kuptoj se ka shkuar prova gjatë ditës”, ka thënë regjisori Rijani. Ka thënë se nuk është i sigurt për nivelin e shfaqjes. “Por jam i sigurt se aktorët e shfaqjes, gjithsecili prej tyre do të bëjë një karakter fantastik”, ka vazhduar ai derisa ka thënë se ka një javë që po zhvillohen prova tavoline. Data e premierës sillet midis 18 dhe 20 dhjetorit.

“Jemi në fazën e parë të punës, në prova tavoline, analizë karakteresh, ripërpunim i idesë së veprës, sepse ajo nuk do të vendoset në kohën kur është shkruar. Ngjarja do të transformohet dhe të transferohet në kohën që ne jetojmë tash. Ne po punojmë një ‘Tartuf’ të së tashmes, po kërkojmë tartufët në realitetin në të cilin jetojmë. Akoma po bëjmë filozofi, kështu besoj edhe disa ditë e më pas do të bëjmë punë konkrete”, ka bërë të ditur regjisori derisa ka zbuluar prapaskenat e përgatitjeve për shfaqjen.

Te aktualiteti i temës është përqendruar edhe drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi. “Tartufi” sipas tij është shumë aktual sot për shkak të temave thelbësore që trajton, si: hipokrizia, mashtrimi dhe tensionet midis moralit dhe interesave personale.

“Këto çështje janë universale dhe vazhdojnë të kenë rezonancë edhe sot në shoqërinë moderne. Përmes një interpretimi bashkëkohor të veprës që Qëndrimi si regjisor ka, besoj që do të shohim se si këto sfida janë ende të pranishme dhe relevante në kontekstin aktual, duke sjellë një perspektivë të re ndaj dinamikave shoqërore”, ka thënë ai për “Tartufin” e cila do të jetë premiera pestë për sivjet e Teatrit të Gjilanit. Kushtrim Qerimi Ernest Zymberi, Tringa Hasani, Aurita Agushi, bartin rolet kryesore.

“Tartufi” është interpretuar për herë të parë në vitin 1664. Personazhet kryesore janë Tartufi, Elmira dhe Orgoni, që konsiderohen ndër rolet më të mëdha të teatrit klasik.

Rrëfimi në komedi e shfaq Tartufin hipokrit dhe besimtar të shtirur. Shantazhi është arma e tij. Ai përdor hipokrizinë për të arritur qëllimet e veta.

“Ambicia dhe gracka e Tartufit ndërtohen në ‘sektorin’ e shtirjes si i devotshëm: kjo e josh Orgonin që bie pre e mashtrimit, një zotëri i pasur, i magjepsur pas idealit të përsosmërisë morale. Për një njeri që ka, të thuash, vesin e virtytit, që është në gjendje të gjejë një udhëzues shpirtëror, një njeri të shenjtë që ta këshillojë dhe të cilit mund t’i besojë symbyllur, ky është një bekim i vërtetë. Kështu, Tartufi ndihmon Orgonin të predikojë kundër korrupsionit të kohërave të reja dhe të mbështesë një dëlirësi absolute të zakoneve”, shkruhet në një vlerësim për shfaqjen “Tartufi”.

Historia tregon se “Tartufi” ishte pritur mirë nga publiku, por shpejt kishte ndezur konflikt midis grupeve që ishin ofenduar nga portretizimi në shfaqje. Kisha Katolike Romake Franceze, e anëtarë të shoqërisë franceze të klasit të lartë kishin qenë prej atyre që synonin ta ndalnin shfaqjen. Atëkohë do të lëshohej një dekret që kërcënonte këdo që e shikonte, performonte ose lexonte shfaqjen. Versioni i dytë i rishikuar i pjesës që vinte më pak kritik ndaj fesë u quajt “L'Imposteur” dhe kishte kryepersonazh Panulphen në vend të Tartufit.