Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Teatri i ri i Kosovës”, në Itali me “Shembjen e Kullës së Ajfelit”

Prishtinë, 9 mars - Dokumentari 26-minutësh, i cili analizon skenën teatrale në Kosovë, nën regji të kritikës dhe ligjërueses italiane të teatrit, Anna Maria Monteverdit, do të transmetohet në ekranin e televizionit kombëtar italian RAI-5.

“Teatri i ri në Kosovë” i cili vë në fokus punën e qendrës “Multimedia”, duke veçuar procesin e realizimit të shfaqjes “Shembja e Kullës së Ajfelit” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, do të shfaqet me datën 27 të muajit mars për publikun italian. Kjo datë po ashtu shënon edhe Ditën Botërore të Teatrit. Monteverdi nëpërmjet intervistave që ka realizuar, në dokumentar shpalos të dhëna për teatrin në Kosovë qysh prej viteve ‘90 e deri në ditët e sotme. Si pikë referimi ka marrë dramat e Nezirajt. “Shembja...” ishte dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në dhjetor të vitit 2013 dhe kjo shfaqje vë në skenë stereotipat, paragjykimet e fanatizmin fetar në shoqëritë demokratike të Evropës. Shfaqja është prodhim i qendrës “Multimedia” dhe aty luajnë aktorët Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili e Armend Ismajli.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Monteverdi dokumentarin e vet më parë e ka shfaqur nëpër festivale dhe e ka prezantuar nëpër universitete, por, sipas saj, transmetimi i tij përmes rrjetit më të madh televiziv italian, do të jetë një tjetër nivel.

“RAI-5 e ka shtyrë datën e transmetimit të dokumentarit dhe ka vendosur të zgjedhë Ditën Botërore të Teatrit. Në të njëjtën ditë do të transmetohet edhe një dokumentar i regjisorit italian, fitues i ‘Oscarit’ Paolo Sorrentino”, ka thënë Monteverdi, teksa ka treguar për rrugëtimin e dokumentarit të saj të cilin ajo përfundoi në vitin 2015 (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).