Bartësit e projektit teatror me të cilin do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve kanë thënë se është hera e parë në periudhën e pasluftës që teatri rom i Prizrenit përzgjedh një temë që nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me jetesën dhe sfidat e këtij komuniteti të margjinalizuar. Sebep për këtë është bërë situata me pandeminë, që ka krijuar një përditshmëri stresuese për gjithë shoqërinë
Tradita e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve edhe sivjet vazhdon në teatër. Teatri amator rom “Nexhip Menekshe” në Prizren për nder të kësaj dite sjell premierën e komedisë “Vrapo pas gruas tënde”, të autorit Ray Cooney. Sipas bartësve të këtij projekti kulturor është hera e parë në periudhën e pasluftës që teatri rom i Prizrenit përzgjedh një temë që nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me jetesën dhe sfidat e këtij komuniteti të margjinalizuar. Sebep për këtë është bërë situata me pandeminë që ka krijuar një përditshmëri stresuese për gjithë shoqërinë.
Drejtori i organizatës joqeveritare “Durmish Asllano”, Fatmir Menekshe, ka bërë të ditur se ky teatër “në këtë milenium për të parën herë po përgatit një dramë të një autori jorom, që nuk përmban tematikë rome”.
“Dramën ne gjithmonë e kemi shfrytëzuar si medium për të dhënë mesazhe sensibilizuese për komunitetin rom, duke shfaqur në skenë problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti rom në jetën e përditshme. Kësaj here i kemi thyer kufijtë tanë, duke u munduar që të përgatisim një shfaqje të njohur botërore. Rreziku është që do të përgatisim një komedi, dhe shumë herë kemi dëgjuar prej regjisorëve profesionistë se komedia nuk udhëton, ajo është në një shtet ose qytet, dhe popullata lokale i kupton ato skena. Por kjo është një komedi e njohur, e cila i ka thyer të gjitha këto definicione për komedinë, dhe në të gjitha vendet ku është shfaqur, publiku ka qeshur”, ka thënë Menekshe.

Sipas tij, bëhet fjalë për një komedi farsë, ku gjithmonë heroi gënjen dhe duke u munduar që ta zgjidhë problemin, vetëm se fundoset më shumë.
“Është një komedi prej dy akteve dhe për neve është hera e parë. Nuk kemi luajtur asnjëherë komedi të tillë, sepse gjithmonë e kemi pasur me skena. Tani nuk do të ketë disa skena. Por është një skenë, ku një herë ndizen dritat dhe nuk ndalen deri në fund. Është vështirë, por ne kemi vendosur që të rrezikojmë, sepse duam që publikut t’i servojmë diçka të re”, ka deklaruar Menekshe.
Ai ka pohuar se përcaktimi për këtë komedi është bërë me qëllim që kësaj here të argëtohet publiku.
“Arsyeja pse e kemi zgjedhur komedinë është për shkak të pandemisë, pasi kemi kaluar një vit mjaft të rëndë dhe besojmë se me këtë komedi do ta argëtojmë publikun tonë, që sadopak ta harrojnë këtë periudhë të zymtë”, është shprehur aktivisti rom.
Menekshe ka shpjeguar se ky teatër tradicionalisht ka shënuar 8 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve me një shfaqje teatrore, me artistët romë, në gjuhën rome dhe për publikun rom. Sipas tij, kjo praktikë po synohet që të realizohet edhe sivjet, duke respektuar të gjitha masat kufizuese për pandeminë.
Por pranon se sfidat kanë qenë prezente. Njëra nga to ka qenë edhe përkthimi i veprës në gjuhën rome. Gjetja e tekstit adekuat për përkthim, sipas tij, është mundësuar nga dramaturgu Shkëlzen Berisha.
“Pas përkthimit kemi ftuar disa njohës të letërsisë rome, si Daut Qylangjiu, Avdi Misini, Hysni Qylangjiu, Xhelal Dogani një veteran i teatrit rom dhe Xhengiz Cano që ta vlerësojnë tekstin dhe se a mundet një komedi britanike të vihet në skenën tonë nga trupa amatore e teatrit rom”, ka thënë Menekshe. Tutje ka shpjeguar se ky projekt ka sfiduar edhe ekipin e ri të aktorëve romë, të cilët kanë punuar në këtë projekt, e të cilët pritet që të vazhdojnë këtë traditë kulturore.
“Ne po mundohemi që ta rrisim numrin e aktorëve ose të rinjve që merren me aktivitete kulturore, në mënyrë që në vitet e ardhshme të japim sa më shumë premiera në gjuhën rome”, ka theksuar Menekshe.
Premiera e komedisë “Vrapo pas gruas tënde” do të shfaqet më 7 prill 2021, në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren. Komedia e Ray Cooneyt, nën regji të Deniz Dadales, flet për jetën e një taksisti i cili në mënyrë sekrete menaxhon dy martesat e tij. Londinezi John Smith është i martuar me dy gra dhe arrin që të jetojë për një kohë të gjatë pa e kuptuar ato për njëra-tjetrën. Në një rast, bigamisti Smith tenton të ndihmojë një viktimë të plaçkitjes dhe përfundon në spital, ku aty fillon që të dalë e vërteta në pah. “Vrapo pas gruas tënde” është një komedi e shquar me shumë situata të komplikuara dhe qesharake.