Kulturë

“Komedia e zezë” futet në errësirën e hipokrizisë sociale

Pamje nga shfaqja "Komedia e Zezë"

Në shfaqje personazh kryesor është Brindsley Miller (Ernest Malazogu), një artist i ri që jeton në një studio modeste dhe përpiqet ta fitojë suksesin e ëndrrave të tij në botën e artit. Por, çdo gjë shkon huq

Titulli është një lloj paralajmërimi, por “Komedia e zezë” me tekst të Peter Shaffer, nën regji të Ilir Bokshit, e dhënë premierë të mërkurën mbrëma në Teatrin e Prizrenit “Bekim Fehmiu”, funksionon si një reflektim i lehtë por thumbues mbi hipokrizinë sociale dhe dëshirën për të imponuar një imazh që nuk përputhet me realitetin. Pa qenë e rëndë, ajo shtjellon tema universale me një nuancë lokale, duke ruajtur ritmin komik dhe energjinë që i duhet një farse të mirë

Salla errësohet për disa minuta e kur ndriçohet metaforikisht mbetet e errët deri në fund. Me tekst të Peter Shaffer, drama e viteve ’60, e sjellë për herë të parë në skenën prizrenase, në një adaptim në gjuhën shqipe, është farsë plot ritëm dhe humor të zi që flet për mashtrime, ngatërresa dhe identitete të fshehura. Ngjarja zhvillohet gjatë një mbrëmjeje ku një artist i ri, për të fituar miratimin e një koleksionisti arti dhe të të atit të së fejuarës, improvizon një realitet të bukur që fillon të shpërbëhet kur ndodh një ndërprerje e papritur e energjisë elektrike. Personazhet mbesin në terr, por krejt kjo për publikun është në dritë.

Nën regjinë e Ilir Bokshit, kjo shfaqje në teatrin e Prizrenit “Bekim Fehmiu” ka sjellë një qasje të re: duke përfshirë këngë të huaja të njohura, por me tekste në shqip. Krijohet një atmosferë ku muzika bëhet pjesë e ironisë dhe e farsës. Kjo ndërthurje ka sjellë jo vetëm një freski në strukturën klasike të komedisë angleze, por edhe një lidhje më të afërt me shikuesin shqiptar, përmes humorit, situatave të njohura dhe referencave kulturore të përkthyera mjeshtërisht.

Në shfaqje personazh kryesor është Brindsley Miller (Ernest Malazogu), një artist i ri që jeton në një studio modeste dhe përpiqet ta fitojë suksesin e ëndrrave të tij në botën e artit. Për t’i lënë përshtypje një koleksionisti të njohur dhe babait konservator të së fejuarës së tij, ai vendos të paraqesë një version të rremë të jetës së tij, duke huazuar mobiliet e shokut të tij fqinj, derisa ai nuk është aty. Por, plani i shkon huq kur papritur ndërpritet energjia elektrike, duke i zhytur të gjithë në errësirë. Ironikisht, publiku sheh gjithçka që ndodh në skenë, ndërsa personazhet përplasen, fshehin dhe zbulojnë sekrete në një kaos komik që zbulon të vërtetën pas fasadave.

Për këtë shfaqje regjisori Bokshi ka thënë se nuk është hera e parë që i ka rënë ta ketë në duar një tekst të zhanrit farsë, por ai ka dashur ta sfidojë veten me këtë detyrë, duke e sjellë në jetë këtë adaptim në shqip.

“Në jetën time profesionale i kam pasur nja dy tekste të ngjashme, farsë që quhet. Farsa është një nga zhanret më të vështira të teatrit, por desha ta provokoja veten, sidomos me këtë idenë e përzierjes së farsës me muzikë, ku besoj se me bashkëpunëtorët e mi e kemi armën më të fortë të paraqitjes skenike, por pse jo të provojmë edhe një herë me farsë dhe ta provojmë veten a jemi në gjendje akoma të prodhojmë gjëra të tilla”, ka thënë Bokshi për KOHËN pas përfundimit të shfaqjes.

Tekstet e këngëve si: “Prej një shpati t’i lëshova sytë”, “Margjelo”, “Pse rri në dritare”, “Luleborë”, “Varkat po nisen prej limani”, “Moj e mira te pojata” e “Mirëmbrama i zoti i shpisë” kanë marrë një tjetër ngjyrim, jo me meloditë e tyre origjinale, por me kompozime të hiteve ikonike. Për shembull teksti i “Margjelos” këndohet me muzikë të “Yesterdey” të “The “Beatles”. Në momente si këto, Ernest Malazogu e Xhevdet Doda shpërfaqin zotësinë e tyre në interpretim në kitarë. 

Te “Komedia e zezë” krijohet një atmosferë ku muzika bëhet pjesë e ironisë dhe e farsës. Kjo ndërthurje ka sjellë jo vetëm një freski në strukturën klasike të komedisë angleze, por edhe një lidhje më të afërt me shikuesin shqiptar, përmes humorit, situatave të njohura dhe referencave kulturore të përkthyera mjeshtërisht

Këtë kombinim e ka realizuar kompozitori i shfaqjes Art Lokaj. Sa i përket këtij kombinimi me muzikën, regjisori ka thënë se bashkë me kompozitorin e kanë gjetur çelësin e përzierjes së teksteve shqipe me muzikë të huaj.

“E kemi një kompozitor shumë të mirë, kompozitor përmbledhës dhe modifikues i teksteve shqipe me këngë të huaja, përpos një kënge që e kishim këngë shqipe, nuk është hera e parë që me Artin bëjmë gjëra të tilla dhe besoj që e kemi gjetur njëfarë çelësi të përzierjes së teksteve shqipe me muzikë botërore”, ka shtuar ai.

Aktori kryesor i shfaqjes, Ernest Malazogu, ka treguar se për të nuk ka qenë aq e vështirë të realizohet shfaqja, në kuptimin se ka pasur bashkëpunim të mirë me kolegët e tij, por ka thënë se roli i tij ka qenë sfidues.

“Premiera e radhës në teatrin ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, ku edhe jam rritur, nuk ka qenë shumë e vështirë e shumë sfiduese duke e marrë parasysh me kë kam pasur të bëja, së pari me kolegët e mi aktorë që i kam shumë të dashur, mandej edhe me Ilir Bokshin, që nuk është shfaqja e parë, edhe atij i besoj shumë, mirëpo ka qenë rol sfidues, sepse nuk më ka ndodhur kurrë të luaj me kërkesë të autorit ose regjisorit, që të jem tërë kohën i vëmendshëm të mos e shoh njeriun në sy, kështu që ka qenë pak sfiduese derisa edhe ne hymë në ujërat e kërkesave të autorit, mandej ka qenë vetëm kënaqësi”, ka thënë për KOHËN Malazogu.

Sipas tij, secili e ka nga një situatë të tillë sikur ato brenda shfaqjes. 

“Secili e kemi nga një komshi që tutet prej rrymës, kemi të komunitetit tjetër, kemi një kolonel që vjen si vjehrri im, thuajse janë karaktere të përditshmërisë sonë, vetëm që i kemi përjetësuar”, ka argumentuar ai.

Krah Malazogut kanë luajtur edhe shtatë aktorë të tjerë të Teatrit të Prizrenit:  Liridona Shehu-Bytyqi, Hajat Toçilla, Xhevdet Doda, Alban Krasniqi, Alban Çela, Valmir Hoti dhe Alban Morina.

“Të vështirë, por jo të pamundur” e ka quajtur realizimin e shfaqjes aktorja Hajat Toçilla, e cila e luan rolin e zonjushës Furnival, duke qenë se gjatë gjithë kohës ka pasur lojë me ndriçimin dhe mungesën e tij. Për të, edhe loja me muzikën ka qenë një sfidë argëtuese.

“Ka qenë shumë sfiduese, por jo e pamundur, vetëm se ishte e vështirë për ne, ta kemi objektin, por ta luajmë sikur nuk po e sheh e të përplasemi me objektin, ose gjatë dialogëve është dashur krejt shqisat t’i kemi aktive, nuk po shoh, por po dëgjoj... na mori pak kohë, por e arritëm. Ka qenë një sfidë argëtuese, sepse këngët janë kombinim i këngëve të huaja me tekstet shqip, automatikisht truri të shkonte te kënga origjinale, por me kohë edhe kjo u përvetësua, u bë e jona”, ka thënë aktorja Toçilla për KOHËN në fund të shfaqjes.

Publiku, që me shumë duartrokitje e ka përcjellë shfaqjen, ka dalluar edhe dinamikat e tensionin që shkonin duke u rritur vazhdimisht derisa shfaqja është zhvilluar. 

Ndër ta regjisori Erson Zymberi ka thënë se ka qenë e dukshme se kasta dhe krejt ekipi janë angazhuar shumë për ta sjellë një zhanër si farsa.

“Një punë jashtëzakonisht e mirë e Ilirit me një ansambël që është parë se janë angazhuar tepër shumë për t’i qëndruar besnik edhe konceptit të regjisorit dhe natyrisht edhe tekstit, sepse mendoj se ka qenë punë shumë e vështirë për të arritur të krijohet një zhanër i tillë dhe t’u rrihet besnik situatave, të cilat i kërkonte teksti, që janë sa groteske, sa absurde, aq qesharake dhe aq interesante njëra me tjetrën, prandaj në asnjë moment ata nuk kanë qenë të mbyllur në vetvete ose të krijojnë një lojë vetëm për veten e tyre, por me gjetjet e tyre kreative kanë arritur t’u japin tension, dinamikë dhe humor plot situatave që janë krijuar në shfaqje”, ka thënë Zymberi për KOHËN.

Shfaqja funksionon si një reflektim i lehtë, por thumbues mbi hipokrizinë sociale dhe dëshirën për të imponuar një imazh që nuk përputhet me realitetin. Pa qenë e rëndë, ajo shtjellon tema universale me një nuancë lokale, duke ruajtur ritmin komik dhe energjinë që i duhet një farse të mirë.