Në shikim të parë, mund të duket një shfaqje krejt e zakonshme nga një trupë amatore. Por s’është kësisoj në rastin e shfaqjes “Vrapo pas gruas tënde”. Premiera e saj është përtej një ngjarjeje të zakonshme. Përveçqë trupa – duke inskenuar dramën e Ray Cooneyt, për herë të parë vjen me një projekt që s’e trajton jetën e komunitetit – kuptimi i saj është edhe më i gjerë. Interpretohet në gjuhën rome, dhe vjen si promovim e thirrje për ruajtjen edhe të kulturës rome. Ndër të tjetra, rolin e kryepersonazhit e ka Sejnur Veshall, zëvendësministër i Kulturës
Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Sejnur Veshall, për disa orë ka qëndruar larg kostumit të tij zyrtar. Ka veshur rrobat e teatrit për të luajtur John Smithin, personazhi kryesor në komedinë “Vrapo pas gruas tënde” të autorit Ray Cooney. Së bashku me ekipin e aktorëve të teatrit rom “Nexhip Menekshe”, për afër një orë e gjysmë kanë argëtuar publikun e pranishëm në sallën e shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren. Kësisoj, gjenerata e re e aktivistëve kulturorë të komunitetit rom edhe sivjet ka vazhduar ecjen nëpër shtegun e trasuar nga paraardhësit e tyre për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve me shfaqje teatrale në gjuhën e tyre amtare. Dhe këtë projekt kulturor e konsiderojnë si përpjekje për ta mbajtur të gjallë gjuhën rome, ashtu sikurse edhe historinë e këtij komuniteti në këto treva.
“Teatri, gjithmonë ka qenë një segment jetik për neve, që përmes tij kemi avokuar dhe i kemi mbajtur gjallë gjuhën rome, traditën dhe historinë e komunitetit rom”, ka thënë Veshall, pak minuta pas përfundimit të shfaqjes, të cilën publiku e ka shpërblyer me duartrokitje disaminutëshe.
Komedia “Vrapo pas gruas tënde” e Ray Cooneyit nën regji të Deniz Dadales ka paraqitur jetën e taksistit londinez, John Smith, i cili në mënyrë sekrete menaxhon dy martesat e tij. Por në një rast, bigamisti Smith tenton që ta ndihmojë një viktimë të plaçkitjes dhe përfundon në spital. Aty nis e del në pah e vërteta. Kjo komedi me shumë situata të komplikuara dhe qesharake ka argëtuar publikun e pranishëm, gjë që është mundësuar nga loja energjike dhe me ritëm të lartë të aktorëve amatorë, por gjithsesi premtues, për të ardhmen e teatrit rom “Nexhip Menekshe”.
Veshall, që ka bartur barrën e kryepersonazhit në këtë komedi farsë, ka theksuar se është hera e parë për këtë teatër që vë në skenë një shfaqje botërore të dramaturgut e regjisorit anglez, Ray Cooney, nën regji të Deniz Dadales, dhe me përkthim në gjuhën rome nga Fatmir Menekshe.
“Kjo komedi u performua nga romët për Ditën Ndërkombëtare Rome. Besoj se për herë të parë e kemi sfiduar veten që të performojmë një shfaqje teatrale të nivelit botëror dhe ia dolëm. Kam përshtypjen se shikuesit ishin mjaft të kënaqur”, ka deklaruar ai. E ka pranuar se emërimi në postin e zëvendësministrit të MKRS-së pak ditë më parë ka krijuar rrethana të reja, porse megjithëkëtë projektin e ka çuar deri në fund, për të respektuar mundin disajavor të secilit anëtar të angazhuar në këtë shfaqje.
Regjisori që vjen nga radhët e komunitetit turk, Deniz Dadale e ka pranuar se secili pjesëtar i ekipit ka qenë shumë i emocionuar.
“U munduam që ta realizojmë një komedi farsë të autorit Ray Cooney për një periudhë të shkurtër kohore, dhe në fund besoj se ia dolëm. Natyrisht se mund të ketë pasur mangësi, jemi ballafaquar me vështirësi, sikur që ishte edhe çështja e masave kufizuese, por që me ritëm të përshpejtuar e realizuam shfaqjen”, ka thënë ai.
Pas premierës, ai është shprehur i kënaqur me rezultatin final, pasi, sipas tij, të gjithë aktorët kanë interpretuar drejt rolet e tyre.
“Është hera e parë që teatri rom vë në skenë një farsë, që është një shfaqje e vështirë dhe e rëndë, marrë parasysh vazhdimësinë, emocionet. Në anën tjetër edhe publiku krijoi një atmosferë shumë të bukur, pra e pritën shumë mirë shfaqjen. E pëlqyen, qeshën në momentet e duhura, që tregon se e kanë kuptuar lojën. Dhe kjo na gëzon më së shumti”, ka deklaruar Dadale.
Komedia “Vrapo pas gruas tënde” është regjia e dytë e tij në gjuhën rome, dhe sipas tij barriera gjuhësore nuk ka ekzistuar. “Nuk kishte telashe për mua, sepse e kuptoj gjuhën rome. Dhe e dua këtë gjuhë. Prandaj në aspektin e gjuhës nuk kemi pasur vështirësi”, është shprehur Dadale.
Ndërsa bartësi i këtij projekti, i cili komedinë e ka përkthyer në gjuhën rome, Fatmir Menekshe ka thënë se është përcaktuar për gjuhën e standardizuar rome, pa lokalizma të shumta, që ka mundësuar përcjelljen e të gjitha situatave në mënyrë adekuate te publiku.
“Për mua, është një ditë historike, pasi që për herë të parë realizuam një komedi farsë, që ishte e panjohur për neve. Loja dyaktëshe ka temp, ritëm shumë të madh, të cilin nuk e kemi hasur në shfaqjet tona të mëparshme. Por besoj që duke i dëgjuar duartrokitjet e publikut dhe qeshjet e tyre kemi arritur deri te suksesi i kërkuar. Jam i kënaqur me punën e aktorëve të teatrit rom ‘Nexhip Menekshe’, po ashtu me punën e regjisorit Dadale dhe gjithë stafit të teatrit rom”, ka thënë ai.
Kjo ka qenë hera e parë në periudhën e pasluftës, që teatri rom i Prizrenit përzgjedh një temë, që nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me jetesën dhe sfidat e këtij komuniteti të margjinalizuar. Sebep për këtë është bërë situata me pandeminë që ka krijuar një përditshmëri stresuese për gjithë shoqërinë. Prandaj udhëheqësit e projektit janë përcaktuar për komedi më gazmore, në mënyrë që të argëtohet publiku.
Por në të njëjtën kohë mund të jetë edhe shfaqja e fundit për zëvendësministrin Veshall.
“Mbase është shfaqja e fundit për mua, meqë duhet të pauzoj shkaku i angazhimit të ri. Por do të bëj çmos që teatri rom ‘Nexhip Menekshe’ të vazhdojë punën me këtë ritëm dhe me këtë energji, pasi ka një histori të begatshme. Historia e tradita e këtij teatri është vlerë e çmuar për komunitetin rom, por edhe për të gjithë Kosovën”, ka thënë Veshall.
Teatri rom i Prizrenit tradicionalisht ka shënuar 8 prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve me një shfaqje teatrore, me artistët romë, në gjuhën rome dhe për publikun rom. Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet më 8 prill, pasi që në këtë datë është mbajtur Kongresi i parë botëror i Romëve në vitin 1971. Në këtë ditë kremtohen kultura, historia dhe gjuha rome.