Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Të vdekurit e gjallë” kryqëzojnë fatet, “Kosova” si histori objektive

Debati e përplasjet për çështjen e listave të veteranëve të UÇK-së ende vazhdon, përderisa gjithçka ka mbetur mes reagimesh, protestash e kundërshtimesh që kjo listë të pastrohet nga emrat e rrejshëm.

Një ngjarje si kjo është fort mirë e lidhur me historinë e njërit prej personazheve të romanit më të ri të Ibrahim Kadriut, “Të vdekurit e gjallë”.

Sjell tri personazhe të ndryshme, fatet e të cilave lidhen mjaft mirë me historinë e Kosovës, qysh prej kohës së ish-Jugosllavisë e deri më sot. Njëri është ish-ushtar i UÇK-së, i cili bie në depresion, saqë edhe kërkon ta ndryshojë emrin. Heq dorë nga vendlindja e tij, dhe vuan nga krejt ajo që ndodh në kohën e pasluftës. Nëpërmjet tij shpaloset realiteti i vendit, ndërsa përmes dy të tjerëve kryqëzohen faktet historike, shkruan sot Koha Ditore.

Derisa romani i Kadriut sjell një rrëfim për vendin nëpërmjet tri personazheve fiktive që mund të gjenden edhe në realitet, historiani Jusuf Buxhovi sjell historinë e vendit me fakte. Me tri vëllime – që kapërthejnë ngjarjet prej pasluftës deri te shpallja e Pavarësisë dhe dokumente nga Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare – i jep fund projektit kapital “Kosova” me tetë vëllime.

Përurimi i romanit të Kadriut dhe i veprave të Buxhovit kanë qenë ngjarjet kryesore të ditës së dytë të edicionit të parë të Panairit Vjeshtor të Librit, që po mbahet në Kolegjin AAB.

Në rreth 280 faqe të ndara në 20 kapituj, Kadriu me “Të vdekurit e gjallë”, botuar nga Botimet KOHA, sjell fatin e tri personazheve duke i lidhur edhe me fatin e historisë dhe etnisë shqiptare. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Image