Arben Lila u lind në Gjakovë. Shkollën fillore e të mesme i kreu në Gjakovë. Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Zagrebit, ndërkaq studimet postdiplomike i vijoi në Institutin për rrjetet e komunikimit në Vjenë të Austrisë. Atje punoi si bashkëpunëtor shkencor në modelimin dhe simulimin e rrjeteve kompjuterike.
Pas kthimit në vendlindje, Arbeni u angazhua në sundim të ligjit përmes aplikimit të sistemeve informative në prokurori. Viteve të fundit në Qendrën Kosovare për Zhvillim dhe Avokim i është përkushtuar mbrojtjes së shëndetit publik nga duhani dhe ruajtjes së mjedisit.
Në Komitetin Olimpik të Kosovës ishte përfshirë në hartimin dhe zhvillimin e politikave publike të sportit. Ndërkaq në Federatën Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës, Arbeni vazhdon të përfaqësojë dhe të shtyjë para interesat e komunitetit bjeshkatar në Kosovë.
Kroacia në fund të viteve tetëdhjetë ishte kthyer në vendin ku kosovarët merrnim frymë më lirshëm. Tregim pas tregimi, fjalë pas fjale, u ndez dëshira për një vend ku flitej një gjuhë tjetër. Ëndrrat për Sveučilisten e Zagrebit zakonisht i bënte ngadalë e me shumë ndalesa Akropolisi. Si një udhëtim në kohë ishte dalja prej gjirit të sigurt familjar në jetën e re e të pavarur.
Vendimet tash i merrnim vetë. Pa pyetur më. Kohën duhej ta ndaje mirë që të mos na përpinin dritat e Salunit, Kulusićit apo ato të Lapidarit dhe buzëqeshjet e ëmbla të kroateve. Vrapimet buzë lumit të Savës sikur mundoheshin ta kthenin përqendrimin në qëllimin ultimativ. Fakultetin duhej përfunduar patjetër. Duhej ndjekur shembullin e gjeneratave të tjera që tash ishin kthyer të përparonin Kosovën. Ëndrra për programimin nisi nga një libër i gjuhës Fortran dhe përfundoi në ETF, ku kishte filluar një drejtim i ri “računarska tehnika“. Modestia dhe pranimi pa kushte në shoqërinë kroate ishin diçka e re.
Gjuha e butë dhe melodike, një përjetim dhe një kulturë ndryshe. Sa më mirë shkonin studimet aq më i madh ishte mishërimi, aq më larg dukej vendlindja. Por një telefonatë nga motra në fillim të një dimri dhe një zë i mbytur ndërprenë vrullin rinor dhe integrimin mbase të përhershëm atje. Non Hodgin‘s Lympoma. Për ta zbutur pak kishin thënë që ajo “non“ tregon se nuk është gjë e rrezikshme. Kështu filloi rruga e kthimit përmes trajtimeve mujore në Rebro.
Edhe Kosova, kampione e botësMbaj mend fytyrën e babait kur merrte terapinë, e bardhë si pafti. Por edhe gëzimin e tij që kishte përfunduar kimioterapinë dhe kthehej në shtëpi, në familje. Kush ka kaluar një përvojë të ngjashme e kupton dhimbjen dhe shkatërrimin që sjell në familje kanceri. Sidomos kur je i ri dhe ke ëndrra shumë. Babai kishte pirë duhan njëzet vjet me radhë. Nga dy paqeta. E kishte nisur pa lidhje. Duke ndërtuar shtëpinë. Me mjeshtër.
Ushtria ishte mobilizuar. Në tramvajin e mbushur përplot nuk dëgjohej zë njeriu. Lufta ishte në prag. Mes kthimit në vendlindje dhe vazhdimit të studimeve në Düsseldorf ishte Sartri që më mundonte më së shumti.....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)