Nga Pablo Picasso tek David Hockney dhe nga Jean Cocteau tek Marc Chagall, piktorët e famshëm dhe artistët pamorë, e kanë lidhur magjinë e tyre në skenat operistike. Gjatë kësaj vere, disa nga artistët më të njohur të Gjermanisë janë duke e shkrirë talentin e tyre në dy produksione të nivelit të lartë, në festivale prestigjioze të muzikës.
Në fund të qershorit, Georg Baselitz realizoi imazhe të zymta për skenografinë e produksionit “Parsifal” të Pierre Audit, që u dha në kuadër të festivalit të operës “Munich Opera Festival”, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Ndërkohë, në Bayreuth, dyshja artistike, që janë edhe bashkëshortë, Neo Rauch dhe Rosa Loy, janë duke punuar në një produksion të ri të “Logengrin”, realizuar nga regjisori amerikan Yuval Sharon, që do ta hapë festivalin e përvitshëm “Wagner Festival” më 25 korrik.
Sado që mund të ketë qenë rastësi që të dyja produksionet “pikturuese” të Wagnerit kanë ndodhur brenda një muaji – dhe në një distancë prej 225 kilometrash – ato paraqesin një dukuri të izoluar. Gjithnjë e më shumë, artistë të disiplinave të ndryshme janë duke u përfshirë në opera, mbase si mënyrë për ta mbajtur artin e tyre të gjallë dhe bashkëkohor.
Vitin e kaluar, festivali muzikor “Salzburg Festival” shfaqi produksione të reja nga William Kentridge dhe artisti iranian i filmit dhe videove, Shirin Nesaht. Joanthan Meese, i cili u pushua nga puna e drejtimit të “Parsifal” më 2016, kohëve të fundit e ka inskenuar një lloj filmi të rishkruar të asaj vepre, në Vjenë dhe në Berlin, nën titullin “Mondparsifal”. Më përpara, artisti amerikan i videove, Bill Viola kishte dizajnuar një produksion tashmë legjendat të “Tristan und Isolde” për regjisorin Peter Sellars më 2005.
“Puna bashkë me artistët është një dashuri e madhe për mua. Dhe mendoj që opera ka nevojë për ta”, ka thënë Audi, 69 vjeç, gjatë një pauze nga provat e “Parsifal” në “Bavarian State Opera”, pak kohë para premierës.
Edhe
Festivali i Wagnerit anulon dhe kthen ngjarjen përkujtimore të Holokaustit
“Virtualisht gjithçka është bërë në operë me skenografi. Dhe një artist pamor mund të ndihmojë të sjellë në skenë atë që disenjatorët skenikë nuk mund ta sjellin”, ka shtuar ai. Për 30 vjet, drejtori francezo-libanez, që kishte udhëhequr me Operën Kombëtare Holandeze, shpeshherë ka bashkëpunuar me artistë të disiplinave të ndryshme. Lista e artistëve më të cilët ka bashkëpunuar në dekadën e fundit përfshin edhe Meese, Kentridge dhe artistin britanik Anish Kapoor, që më herët e kishte bërë dizajnimin skenik për “Parsifal” në Amsterdam.
Ai insiston që bashkëpunimet më të mira janë ato që zhvillohen nga miqësitë midis artistëve. “Për mua, duhet të jetë kësisoj”, thotë Audi... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)