Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Sunsnote” dritare digjitale që lidh artistë, partnerë dhe institucione

Sunsnote Altin Tafilaj

Përmes këtij projekti, violisti Altin Tafilaj përpiqet të krijojë një lloj infrastrukture të re për bashkëpunimin artistik, ku teknologjia dhe arti bashkëveprojnë për të prodhuar mundësi reale. E “Sunsnote” vjen si eksperiment ambicioz i muzikantit shqiptar që synon vizion evropian

Epoka digjitale ka krijuar një realitet të ri, dhe platforma të ndryshme të mëdha janë një lloj kanali depërtues për të arritur destinacionet e ëndrrave. Së fundmi “Sunsnote” – platforma digjitale që lidh artistë, partnerë e institucione – e themeluar nga violisti shqiptar Altin Tafilaj pos promovimit, gjithashtu krijon mundësi reale bashkëpunimi

 Nëse dikur karriera e një artisti varej gati krejtësisht nga një agjent, një garë prestigjioze a një institucion i madh, sot kjo hartë suksesi ka ndryshuar rrënjësisht. Epoka digjitale ka krijuar një realitet të ri, dhe platforma të ndryshme të mëdha janë një lloj kanali depërtues për të arritur destinacionet e ëndrrave. Së fundmi “Sunsnote” – platforma digjitale që lidh artistë, partnerë e institucione – e themeluar nga violisti shqiptar, Altin Tafilaj pos promovimit, gjithashtu krijon mundësi reale bashkëpunimi. 

Qasja e drejtpërdrejtë në platforma të tilla ka hequr filtrat për artistë duke e zhvendosur fokusin te autenticiteti artistik. Për një muzikant klasik, kjo do të thotë se repertori, identiteti artistik dhe profesionalizmi mund të komunikohen pa ndërmjetës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Violisti Altin Tafilaj e ka konsideruar aplikacionin “Sunsnote” si ekosistem transparent dhe efikas i bashkëpunimit. 

“‘Sunsnote’ sot është një platformë digjitale që lidh artistë, partnerë dhe institucione, duke e bërë bashkëpunimin profesional më të drejtpërdrejtë, më transparent dhe më efikas. Artistët krijojnë një profil profesional, lidhen pa ndërmjetës dhe marrin pjesë në një ekosistem me shpërblime, konkurrime dhe mundësi reale”, ka thënë ai për KOHËN. 

Ai ka thënë se kjo platformë “sjell një model modern, digjital dhe ndërkombëtar”. 

“Sunsnote” është edhe emri i kompanisë së tij për prodhime dhe ngjarje kulturore. E themeluar fillimisht në vitin 2018 në Cannes, kompania u ndërtua që në fillim me vizion ndërkombëtar.
“Aplikacioni është evolucioni natyral i këtij aktiviteti”, ka shpjeguar violisti Tafilaj, i cili pos karrierës në muzikë, është edhe menaxher kulturor. Me bazë në Cannes, siç shkruhet në prezantim, ai krijon kryqëzimin e drejtimit artistik, bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe qasjeve të përparuara ndaj zhvillimit të artistëve të nivelit të lartë.

I trajnuar në Zvicër dhe aktiv për më shumë se një dekadë në të gjithë skenën evropiane të muzikës klasike, Tafilaj ka ndërtuar një trajektore të dyfishtë si muzikant dhe sipërmarrës kulturor.
Pos muzikës klasike, aty mund ta gjejnë vetën edhe formate si ekspozita, instalacione, takime dhe ngjarje hibride. Artistët mund të rrjetëzohen përmes profileve profesionale. 

“Sunsnote 1.0” u fokusua në prodhime muzikore dhe ngjarje private në Francë, Zvicër, Itali dhe Armeni, duke bashkëpunuar me artistë, orkestra dhe institucione kulturore. Ishte një fazë që ndërtoi rrjetin profesional dhe reputacionin ndërkombëtar të projektit. Siç bën me dije Tafilaj, pas pandemisë, erdhi një ristrukturim i thellë strategjik. “Sunsnote 2.0” shënoi kalimin drejt modeleve digjitale dhe sistemeve me abonim për artistë, një përgjigje ndaj krizës globale që goditi fort sektorin kulturor.
Sot, projekti ka hyrë në fazën “Sunsnote 3.0”, një platformë e plotë digjitale, e shoqëruar me një ekosistem që violisti e quan si model shpërblyes e investimi “të tokenizuar përmes tokenit $ALTIN”. Ky evolucion nuk konsiderohet thjesht teknik, por edhe konceptual. 

Platforma synon të transformojë mënyrën se si artistët lidhen me partnerë, institucione dhe publikun. 
“Platforma është e nevojshme, sepse sistemi tradicional kulturor është i ngadaltë dhe i varur nga subvencionet”, është shprehur Tafilaj. 

Për qasje në aplikacion nevojitet një abonim vjetor, por ky kontribut shpërblehet me shumë mundësi e midis tyre është edhe “Sunsnote Award”. 

“’Sunsnote Award’ është një konkurrim real vjetor, me një format modern dhe të lehtë, i dedikuar kryesisht muzikantëve klasikë. Fituesit përzgjidhen çdo dhjetor. Abonimi vjetor në platformë është 98 euro dhe shërben edhe si pjesëmarrje në këtë konkurrim dhe në ekosistemin e shpërblimeve”, ka bërë me dije Tafilaj nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim. 

Deri qershorin e vitit të kaluar ai qe violë kryesore në Orkestrën e Cannes, pozitë të cilën e mbajti për tre vjet. Ka bashkëpunuar si violist kryesor me orkestra të njohura, duke përfshirë Orkestrën Filharmonike të Kopenhagës, Orkestrën Filharmonike të Malajzisë, Orkestrën e Auvergne dhe Orkestrën e Operës Kombëtare të Montpellierit. Në fushën e muzikës kamertale, Tafilaj ka performuar në salla prestigjioze koncertesh në duete me piano dhe në ansamble të ndryshme dhome.
Aplikacioni u lansua në fillim të shkurtit të këtij viti në “App Store” dhe në “Google Play”, pas disa muajsh zhvillimi teknik.

“Aktualisht jemi në fazën e rritjes së përdoruesve të parë dhe drejt njëqind përdoruesve fillestarë aktivë, përfshirë artistë dhe kategori ‘Others’ për partnerë, mbështetës dhe publik të gjerë”, ka bërë me dije themeluesi i platformës. 

Ai ka treguar se më 27 shkurt “’ Sunsnote’ u përzgjodh zyrtarisht si “start-up” i qytetit të Cannes, duke u integruar në ekosistemin institucional ‘La Bastide Rouge’, me mbështetje publike dhe institucionale”
Sopranoja Besa Llugiqi është një nga të anëtarësuarit në këtë platformë. Sipas Tafilajt, performanca e saj në operën “La Boheme” si Mimi në Bukuresht me Operën Shtetërore të Rumanisë ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit me “Sunsnote”. Dhe ky, sipas tij,  është një shembull për efektin e menjëhershëm të platformës. E aty janë anëtarësuar edhe sopranot Adelina Paloja e Blerta Zhegu. 
Në aplikacion shihet se një numër i madh njerëzish është anëtarësuar aty. Mund të regjistrohen Muzikantë, këngëtarë, kompozitorë, valltarë, aktorë, artistë figurativë, fotografë, filmbërës, shkrimtarë kreatorë dhe jo vetëm. 

Përmes këtij projekti, Tafilaj përpiqet të krijojë një lloj infrastrukture të re për bashkëpunimin artistik, ku teknologjia dhe arti bashkëveprojnë për të prodhuar mundësi reale. E “Sunsnote” vjen si eksperiment ambicioz i muzikantit shqiptar që synon vizion evropian. 

Në vend që një shkresë elektronike të mbetet pa përgjigje, prezenca e konsoliduar në “Sunsnote” funksionon si kartëvizitë dinamike.