Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Strehimi” bashkon rrëfimet për shqiptarët që i shpëtuan hebrenjtë

Prishtinë, 11 mars – Shqipëria ka qenë vendi i vetëm i Evropës që kishte më shumë hebrenj nga fundit i Luftës së Dytë Botërore sesa në fillim të saj. Prej aty, asnjëri nuk u dërgua në kampe përqendrimi. Edhe shqiptarët e Kosovës u dolën në ndihmë hebrenjve.

Megjithatë, këto histori që shërbejnë si përkujtim për natyrën e mirë njerëzore nuk janë edhe aq të njohura. Por prej tyre ka marrë shkas bashkëpunimi midis teatrit kosovar “Oda” dhe atij amerikan “Blessed Unrest” me shfaqjen “Strehimi”, e cila do të shfaqet në ”Baruch Performing Arts Center” në New York që nga 25 prilli deri më 11 maj. Shfaqja është në regji të përbashkët të Florent Mehmetit dhe regjisores Jessica Burr. Muzika është realizuar nga bendi “Metropolitan Klezmer” (Ismal Butera, Debra Kreisberg dhe Eve Sicular), ndërsa tekstin e kanë shkruar Matt Opatrny, Florent Mehmeti dhe ansambli i këtij teatri.

Kasta e aktorëve kosovarë te “Strehimi” përbëhet nga Eshref Durmishi, Daniela Markaj dhe Ilire Vinca, ndërsa ajo amerikane nga Nancy McArthur, Becca Shneider dhe Perri Yaniv.

“Blessed Unrest” dhe teatri “Oda” bashkëpunojnë qysh prej 2005-s duke krijuar dhe performuar shfaqje dygjuhëshe me të cilat janë prezantuar në turne nëpër vendet e Ballkanit e më gjerë.

Shfaqja “Strehimi” është bashkëpunimi i tretë midis teatrit “Oda” dhe “Blessed Unrest” të New Yorkut. Së bashku kanë punuar edhe shfaqjen “Doruntina” që është dhënë premierë fillimisht në New York në vitin 2008, ku është rikthyer përsëri më 2015. Kjo shfaqje ka udhëtuar në Ballkan gjatë vitit 2009, pastaj në Zvicër më 2016. Bashkëpunimi i fundit ka qenë “Burrneshat”, që më 2012 udhëtoi nëpër Ballkan.

(Më shum ë, sot në "Kohën Ditore")