Është vendosur të martën në bulevardin “Zogu I” në Tiranë shtatorja e Mbretëreshës Geraldinë. I pranishëm në ceremoninë e përurimit të shtatores ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka shprehur krenarinë që ka për drejtimin e një qyteti, që respekton të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në Shqipëri. Veliaj ka vënë theksin te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, raporti që kanë zhvilluar njerëzit, duke filluar nga Janosh Huniadi me Skënderbeun, dhe i Mbretit Zogu I me mbretëreshën Geraldinë, tregon se urat që lidhen midis njerëzve janë të pathyeshme.
“Kemi pasur një vit shumë intensiv: fillimisht vendosëm statujën e Skënderbeut në sheshin dhe parkun kryesor të Budapestit, kurse sot përurojmë statujën e Nënës Mbretëreshë në Bulevardin kryesor të Tiranës. Nuk ka mënyrë më të mirë për të shprehur këtë lidhje midis dy shteteve. Midis Shqipërisë dhe Hungarisë ekziston një raport i veçantë. Edhe bashkitë respektive bëjnë punën e tyre: kemi një raport të shkëlqyer me bashkinë e Budapestit, por raporti mes njerëzve është më i miri”, ka thënë Veliaj.
Kontesha Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagy-Appony (6 gusht 1915 – 22 tetor 2002) ishte Mbretëresha e Shqiptarëve nga martesa e saj me Mbretin Zog I më 27 prill 1938 derisa Mbreti u rrëzua më 7 prill të vitit pasardhës.
Zëvendësministri i Hungarisë për Punët e Jashtme dhe Tregtisë, për Politikat e Sigurisë, Péter Sztáray, i cili ka mbërritur në Tiranë posaçërisht për përurimin e statujës së saj në kryeqytetin shqiptar, ka thënë se hungarezët e çmojnë miqësinë me shqiptarët. “Ne jemi shumë të nderuar dhe shumë të lumtur që jemi këtu sot. Ne hungarezët e çmojmë shumë këtë miqësi që ekziston prej një kohe të gjatë me popullin shqiptar. Historia jonë, përmes shekujsh, ka treguar që jemi së bashku dhe gjithmonë kemi pasur një frymë të mirë bashkëpunimi që prej Skënderbeut dhe Janosh Huniadit e deri më sot”, ka nënvizuar zëvendësministri hungarez, Peter Sztáray.
Princi Leka Zogu ka thënë se kjo vepër arti do të stolisë një nga arteriet qendrore të kryeqytetit.
“Zoti ambasador dhe zoti kryetar i bashkisë, falë punës dhe këmbënguljes suaj historia do t’ju mbajë mend si artizan të vërtetë të paqes dhe të vëllazërisë midis kombeve tona. Falënderoj në mënyrë të posaçme anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që kanë përzgjedhur këtë shesh në mes të bulevardit ‘Zogu I’, si vendin e ngritjes së shtatores së Mbretëreshës Geraldinë, ata kanë përmbushur një amanet që vjen nga historia dhe kanë drejtuar gishtin nga aspirata e popullit shqiptar për pajtim kombëtar”, ka thënë Princ Leka.
Edhe
Skënderbeu në Budapest lidh skaje, kohëra e miqësi
Ceremonia e përurimit të statujës së Mbretëreshës Geraldinë është një bashkëpunim i Bashkisë Tiranë me Ambasadën hungareze. Statuja është realizuar nga skulptori Sandor Kligl dhe është një donacion i Ambasadës hungareze për qytetin e Tiranës. Ndërkohë presidenti Ilir Meta bëri me dije të martën se ka vendosur t'i kërkojë bashkëpunimin kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, për krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”. Në Facebook, Meta ka shkruar se kjo dekoratë do të jetë në vlerësim dhe nderim të përkushtimit të Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë dhe se do t’u jepet grave që promovojnë Shqipërinë.
”Kjo dekoratë, në vlerësim, në respekt dhe në nderim të përkushtimit, angazhimit dhe dashurisë së Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë, vendin që ajo nuk e harroi kurrë, do t’u jepet grave dhe vajzave të cilat jo vetëm e duan atdheun me mendje e me zemër, por e shpalosin këtë dashuri në promovimin e Shqipërisë dhe vlerat tona historike, kulturore, përkatësinë e fortë evropiane dhe trashëgiminë tonë të çmuar. Kjo dekoratë e lartë do të vlerësojë njëkohësisht, për merita të jashtëzakonshme, për shërbime të shquara dhe sakrifica të mëdha, për përkushtim, angazhim dhe kontribute të vyera në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në familje e në shoqëri e institucione dhe fuqizimin e kontributit të saj thelbësor në procesin e evropianizimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Meta.