Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Jeta e Geraldine Apponyi” hap kapitujt e Mbretëreshës së shqiptarëve

Në ekspozitën e hapur të mërkurën pasdite, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, organizuar prej Ambasadës së Hungarisë në Kosovë bashkë me Muzeun Kombëtar të Hungarisë, fotot bardhezi dominojnë por sjellin koloritin e biografisë së “Trëndafilit të Bardhë të Hungarisë”, siç njihej Mbretëresha Geraldine. Nëpërmjet imazheve e shënimeve zbulohen edhe të dhëna jo fort të njohura për këtë grua, e cila kundrohet edhe si pikëtakim i raporteve midis shqiptarëve e hungarezëve

Ka mijëra faqe historie për të, po ashtu edhe foto dhe shumica prej tyre janë ose përsëritje, ose të njohura për publikun. Por ekspozita “Jeta e Geraldine Apponyi” me pak materiale por me shumë peshë, së paku për disa etapa të Mbretëreshës Geraldinë, hap kapituj të rinj. Sjell dëshmi para se ajo të martohej me Mbretin Zog I, ani pse vend të veçantë zënë edhe imazhet e dasmës së famshme në Shqipërinë e prillit të vitit 1938.

Në ekspozitën e hapur të mërkurën pasdite, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, janë fotot bardhezi ato që dominojnë, por sjellin koloritin e biografisë së saj. Formati i tyre ka edhe një tjetër efekt. Të riprodhuara në dimensione të mëdha, renditur në të katër anët, publikun e fusin në botën e saj. E aty secili vizitor ka mundësi të vendosë se cilin kapitull ta hapë e kundrojë dhe për këtë i ndihmojnë edhe pllakatet me të dhëna e mbishkrime. Një video e projektuar me figurën e saj i jep edhe më peshë kësaj ndjesie. Fotoja e dasmës madhështore bie lehtas në sy, por shëtitja nëpër imazhe zbulon edhe të tjera detaje. Si ai se “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”, siç njihej kjo konteshë, qe propozimi i shtatë për Mbretin Zog I. Po në ekspozitë krijohet edhe një tjetër faqe e biografisë së saj, sikurse ai që sjell dëshmi për punën e saj në Muzeun Kombëtar të Hungarisë, para se të martohej. Është pikërisht Muzeu Kombëtar i Hungarisë me të cilin Ambasada e Hungarisë në Kosovë, tok me BKK-në, e sjellin këtë ekspozitë.

Imre Vékás Kovács, këshilltar i parë për kulturë në Ambasadën e Hungarisë në Kosovë, ka thënë se me këtë ekspozitë Muzeu Kombëtar i Hungarisë përkujton Geraldinën jo vetëm si mbretëreshë, por edhe si pjesë të stafit të vet.

“Gjashtë muaj para dasmës së mbretëreshës së ardhshme shqiptare ajo ende shiste botime dhe kartolina në dyqanin e Muzeut. Falë njohurive të saj në anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht, ajo punonte edhe në ‘pavijonin turistik’ të Muzeut. Roli i gruas punëtore, e cila u ul në fron përkrah mbretit shqiptar, mund të ketë qenë një element i rëndësishëm në personalitetin e gruas moderne hungareze”, ka thënë ai në vernisazhin e ekspozitës.

Por te Geraldina, historiografia – e këtë e thekson edhe Ambasada e Hungarisë në Kosovë në paralajmërimin e ekspozitës – gjen edhe pikëtakimin e raporteve shqiptaro-hungareze. Ose në fakt, vazhdimësinë e tyre qysh prej mesjetës midis János Hunyadit e Skënderbeut, të shquar për luftë të përbashkët.

Besa Luzha, profesoreshë universitare, ka qenë njëra prej vizitorëve të ekspozitës. E ka çmuar atë si një ngjarje që sjell shumë informacion mbi jetën e Mbretëreshës Geraldinë dhe në përgjithësi mbi lidhjet kulturore të hungarezëve dhe shqiptarëve.

“Ekspozita është shumë interesante, sepse këto marrëdhëniet shqiptaro - hungareze në njëfarë mënyre datojnë qysh herët dhe përzgjedhja e figurës së Mbretëreshës Geraldine, si një lidhje që është mes dy kombeve shqiptaro-hungareze tregohet përmes këtyre fotografive. Do të thotë edhe familja e saj, edhe prejardhja, por edhe momentet prej kur është bashkuar, si të themi, me shqiptarët”, ka thënë ajo. Luzha ka thënë se edhe shqiptarët e kanë pasur një raport të veçantë me të.

“Kanë pasur respekt për të si personalitet, por edhe ajo në njëfarë mënyre e ka respektuar shumë popullin. Edhe fakti që Ambasada e ka zgjedhur ketë ekspozitë t’i përkujtojë në njëfarë mënyre këto relacione. Është diçka shumë simpatike”, ka thënë Luzha.

Sipas saj, fotografitë e ekspozuara janë të realizuara mirë, por edhe kanë përshkrime interesante mbi jetën dhe veprën e konteshës.

Hysen Hyseni, kryetar i komunitet hebre në Kosovë, ka thënë se në këtë ekspozitë ka mësuar shumë gjëra, të cilat nuk i kishte ditur mbi familjen mbretërore dhe vetë Mbretëreshën.

“Shumë pak kam ditur për të. Nuk e kam ditur që është tentuar gjashtë herë të gjejnë një zonjë të përshtatshme për Mbretin Zog, herën e shtatë motrat kanë arritur të bëjnë përzgjedhjen për Geraldinën. Për të shumë pak, gati se asgjë nuk kam ditur, tash kam mësuar diçka”, ka thënë Hyseni.

Sipas Hysenit, Mbreti Zog I kishte një qasje të mirë ndaj hebrenjve.

“Mbreti Zog i ka pasur edhe anët e mira, sidomos karshi hebrenjve ka qenë i mirë, ka shpëtuar në kohën e tij edhe hebrenjtë, pas tij nuk ka pasur ndonjë qëndrim të keq ndaj hebrenjve, i ka furnizuar me dokumente dhe gjëra të tjera”, ka thënë ai.

Mbretëresha e shqiptarëve nuk kishte qëndruar as një vit në Shqipëri. Në fillim të prillit të vitit 1939, menjëherë pas lindjes së të birit – më pas Mbretit Leka I – së bashku me Mbretin Zogu I do të iknin nga Shqipëria si pasojë e fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Në mëngjesin e 7 prillit 1939 Italia do të niste pushtimin e Shqipërisë. Turqia, Britania e Madhe, Franca e më pas Afria e Jugut ishin vendbanimet e çiftit mbretëror. E pas Luftës së Dytë Botërore oborri mbretëror nuk mund të kthehej në Shqipëri shkaku i komunizmit. U kthyen në fund të viteve ’90. Mbretëresha vdiq më 2002 në Tiranë.

Ekspozita “Jeta e Geraldine Apponyi” do të jetë e hapur deri më 29 dhjetor.

{gallery}

Artikuj të ngjashëm