Prishtinë, 20 nëntor – Pas ekspozitës së saj personale organizuar prej qendrës për art bashkëkohor “Stacion”, artistja Patricia Esquivias kishte dhuruar një vepër të saj.
Por “Generalisimo/ Castellana 111-119”, që kishte zënë vend në ish-objektin e klubit të boksit “Prishtina” qysh prej prillit të vitit 2018, është vjedhur midis të hënës dhe të martës. Vepra që me hekur thur kompozicione florale, ishte në hapësirën e pambuluar që është në anën e majtë të korridorit hyrës të objektit të transformuar si hapësirë arti, në lagjen “Tophane” të kryeqytetit.
Kur stafi i “Stacionit” kishte shkuar të martën për ta hapur derën e ekspozitës “Artistët e së nesërmes”, kishte vërejtur se vepra mungonte përderisa dera për të shkuar deri tek ajo ishte thyer, shkruan sot Koha Ditore.
Albert Heta, i cili udhëheq “Stacionin”, ka thënë se për këtë rast është lajmëruar Policia.
“Ekipi kur e ka hapur ekspozitën ‘Artistët e së nesërmes’ kanë vërejtur që dera ishte e thyer dhe ka munguar vepra. Policia është lajmëruar dhe janë intervistuar disa persona që duket se ishin dëshmitarë”, ka thënë ai. Artistja spanjolle e lindur në Venezuelë ia kishte dhuruar këtë vepër qendrës për art bashkëkohor. Vepra e vitit 2016 ishte prodhuar në Kosovë.
“Dëmi është i madh pasi bëhet fjalë për një vepër unike. Ne e dimë vlerën financiare të produksionit, por jo edhe të vetë veprës”, ka thënë Heta.
Kjo vepër ishte shenja e vetme e mbetur në kryeqytet e ekspozitës “Folklor. E ardhmja ishte kur?”, që ishte organizuar nën punën kuratoriale të Vala Osmanit.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)
{gallery}