Kulturë

Sot shënohet Dita Botërore e Teatrit

Foto: Driton Paçarada / Koha

Sot është Dita Botërore e Teatrit, që shënohet për çdo 27 mars me qëllim të vetëdijësimit për rëndësinë e teatrit. Këtë herë, kjo ditë i gjen teatrot e mbyllura gjithandej botës, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Megjithatë, edhe këtë vit, sikur tradicionalisht është publikuar mesazhi i Ditës Botërore të Teatrit. Sivjet, mesazhi është shkruar nga pakistanezi Shahid Nadeem, i cili flet për “teatrin si faltore”.

“Ndërsa performojmë në skenë, ne nganjëherë largohemi nga filozofia jonë e teatrit, nga roli ynë si paralajmërues i ndryshimeve shoqërore dhe lëmë pas një pjesë të madhe të masave. Në betejën tonë me sfidat e së tashmes, ne privojmë veten nga një përvoje lëvizëse thellësisht shpirtërore që teatri mund të ofrojë”, ka shkruar Nadeem. Në mesazhin e përkthyer në shqip nga regjisorja Elmaze Nura, po ashtu thuhet se teatri ka një rol fisnik, në dinamizimin dhe mobilizimin e njerëzimit për t’u ngritur nga rënia e tij në humnerë.

“Ai mund të lartësojë skenën, hapësirën e shfaqjes, në diçka të shenjtë. Në Azinë e Jugut, artistët prekin me nderim dyshemenë e skenës para se të shkelin në të, një traditë e lashtë ku ndërthuren ana shpirtërore dhe kulturore. Është koha për të rimarrë atë marrëdhënie simbiotike midis artistit dhe audiencës, të kaluarës dhe të ardhmes. Bërja e teatrit mund të jetë një veprim i shenjtë dhe aktorët me të vërtetë mund të bëhen avatarë të roleve që luajnë.Teatri ka potencialin për tu bërë një faltore dhe faltorja një hapësire interpretimi”, shkruhet tutje në këtë mesazh.

Shënimi i Ditës Botërore të Teatrit është iniciuar në Kongresin e 9-të Botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror (INT) të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, ndërsa që nga viti në vijim ai shënohet me datën 27 mars, datë kjo kur është hapur sezoni i "Teatrit të Kombeve" në Paris.