Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kultura e bukur e teatrit do të jetojë sa të jemi këtu

Me thirrjen që të mbahet gjallë kultura e bukur teatrore, Dita Botërore e Teatrit është shënuar në vitin e dytë pandemik. E kremtimit të kësaj ngjarjeje i është bashkuar të shtunën edhe teatri i qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”.

Gjatë këtij aktiviteti, të përkrahur edhe nga Drejtoria për Kulturë, është shfaqur një performancë e artistëve prizrenas. Me këtë rast është bërë edhe shpërndarja e mirënjohjeve për artistë që kanë kontribuar për vite të tëra në skenën teatrore të qytetit buzë Lumbardhit. Eventi është përmbyllur me shfaqjen e performancës artistike të grupit “Don’t Listen to Your Reighbors”, të cilët interpretuan këngë të vjetra shqiptare.

I nismuar më 1961 nga International Theatre Institute (ITI), 27 marsi përvitshëm i dedikohet komunitetit ndërkombëtar të teatrit.

Në një ceremoni online, të afishuar në faqen “World Theater Day”, Dita Ndërkombëtare e Teatrit sivjet ka kaluar me thirrjet për inkurajimin e dashamirëve të teatrit kudo në botë.

Në një paraqitje për publikun, Tobias Biancone, drejtor i përgjithshëm i ITI, ka folur për historikun e kësaj dite në të cilën shumë teatro bëhen bashkë.

Ai ka thënë se prej vitit të kaluar hapësira për dialog të hapur është e pamundur në shumicën e vendeve të botës, për shkak të pandemisë.

“Edhe tani situata nuk është zgjidhur ende, ndaj është e rëndësishme të mbahen gjallë vlerat e teatrit”, ka thënë ai.

Tutje, Biancone ka bërë thirrje që njerëzit e teatrit të jenë të qëndrueshëm e t’u përkushtohen teatrit dhe kulturës.

“Është e rëndësishme që të jemi kreativë, optimistë, e teatri të vazhdojë të mbetet gjallë”.

Sikundër viteve të tjera, edhe sivjet një përfaqësuese nga bota e teatrit ka dhënë mesazhin e saj si reflektim mbi teatrin dhe harmoninë e këtij komuniteti.

Aktorja angleze Helen Mirren – e njohur për kontributet e saj në skena teatrore, ekran dhe televizion – e ka pasur për hise ta adresojë mesazhin e sivjetmë për Ditën Botërore të Teatrit.

Ndërsa ka vlerësuar se sivjet ka qenë një kohë e vështirë për performancat e drejtpërdrejta, ajo ka thënë se shumë artistë, teknikë, mjeshtër dhe gra janë përpjekur në një profesion që tashmë është i mbushur me pasiguri.

“Mbase kjo pasiguri e së tashmes i ka bërë atë më të aftë për t’i mbijetuar kësaj pandemie me zgjuarsi dhe guxim. Imagjinata e tyre tashmë e ka përkthyer veten në këto rrethana të reja, në mënyra inventive, zbavitëse dhe tërheqëse për të komunikuar falë dhe kryesisht internetit”, ka thënë Mirren.

Aktorja 75-vjeçare – e cila ishte e nominuar për filmat “The Madness of King George” (1994), “Gosford Park” (2001) dhe “The Last Station” (2009) – ka thënë se qeniet njerëzore i kanë treguar njëra-tjetrës rrëfimet e tyre prejse janë në këtë planet.

“Kultura e bukur e teatrit do të jetë për aq sa ne qëndrojmë këtu. Nevoja kreative e shkrimtarëve, disenjatorëve, valltarëve, këngëtarëve, aktorëve, muzikantëve e regjisorëve asnjëherë nuk do të ngulfatet dhe në të ardhmen e afërt do të lulëzojë përsëri me një energji të re dhe një kuptim të ri për botën që të gjithë e ndajmë”, ka përfunduar Mirren.

Ndryshe, mesazhi i parë për Ditën Botërore të Teatrit është shkruar nga Jean Cocteau më 1962. Prej asaj kohe kjo ditë është shënuar në mënyra të ndryshme nga qendrat e ITI-së – që tashmë janë më shumë se 90 sosh gjithandej botës. E shënimit në fjalë i bashkohen edhe teatro profesioniste, universitete, akademi dhe shkolla të ndryshme.

Artikuj të ngjashëm