Në Ditën Botërore të Teatrit, Kosova ka nderuar aktoren veterane Kumrije Hoxha. Personazhe e shumë roleve në teatër e film është laureate e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në Teatër. Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë ndarë edhe çmimet vjetore të teatrit.
Në anën tjetër, bota ka përcjellë mesazhe paqeje në Ditën Botërore të Tetarit, që sivjet kishte për temë “Theatre and a Culture of Peace” (Teatri dhe një kulturë e paqes).
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në “Kino Armatë”. Ai ia ka dhënë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore aktores Kumrije Hoxha. Juria, në përbërje të kryetares Majlinda Bregasi dhe anëtarëve Afrim Spahiu, Kushtrim Mehmeti, Qëndresa Jashari dhe Vlora Merovci–Berisha, e ka vlerësuar Hoxhën për kontributin e saj ndër dekada. E lindur në vitin 1953 në Prishtinë, Hoxha iu takon gjeneratave që shtruan rrugën për aktorët e rinj. Ajo qe personazh i dhjetëra shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës deri në pensionim. Sa i përket filmit, rolin e fundit e kishte në “Zgjoi”, që ishte edhe kandidat i Kosovës për “Oscar” dhe arriti deri në listën e ngushtë para nominimeve.
Çmimi Vjetor për Aktorin më të Mirë i është dhënë Ernest Malazogut, Çmimin Vjetor për Shfaqjen më të Mirë e mori vepra e David Alen Mamet dhe Arian Krasniqit “+18”, kurse Çmimi Vjetor për Prezantim të Suksesshëm Ndërkombëtar u është ndarë aktorit Mentor Zymberaj dhe dramaturgut Jeton Neziraj.
Në këtë ceremoni aktori dhe regjisori, Enver Petrovci, ka lexuar mesazhin e sivjetmë të Ditës Botërorë të Teatrit, të shkruar nga regjisori amerikan Peter Sellars. Sipas tij, teatri ka nevojë për rimëkëmbje dhe krijim të ritualeve të reja. Ai ka bërë thirrje për bashkim dhe krijim të hapësirave të përbashkëta të barazisë.
“Teatri i vizionit, qëllimit, rimëkëmbjes, riparimit dhe kujdesit epik kanë nevojë për rituale të reja. Nuk kemi nevojë të argëtohemi, duhet të mblidhemi. Ne duhet të ndajmë dhe kultivojmë hapësirën e përbashkët. Ne kemi nevojë për hapësira të mbrojtura të dëgjimit të thellë dhe barazisë. Teatri është krijimi nën tokë, i hapësirë së barazisë midis njerëzve, perëndive, bimëve, kafshëve, pikave të shiut, lotëve dhe rigjenerimit”, ka thënë ai.
Regjisori ka shkruar se tash është duke jetuar në një periudhë epike me historinë njerëzore dhe me ndryshime të thella dhe konsekuente që po përjetojnë marrëdhëniet e qenieve njerëzore me vetveten, me njëri-tjetrin dhe me botën jonjerëzore, të cilat shkojnë pothuajse përtej aftësive për të kuptuar, artikuluar dhe shprehur.
“Nuk po jetojmë në qikun e lajmeve 24-orëshe, por jetojmë në skajin e kohës. Gazetat dhe mediat janë krejtësisht të papajisura dhe të pafta, për të trajtuar atë që ne po e përjetojmë. Ku është gjuha, cilat janë lëvizjet dhe imazhet që mund të na bëjnë të mundur të kuptojmë ndryshimet dhe krisjet e thella që po përjetojmë”.
Sipas mesazhit të regjisorit amerikan, kjo është një kohë për freskim të thellë të mendjeve, shqisave tona, imagjinatës, të historisë dhe të së ardhmes.
“Kjo është punë që duhet të bëjmë së bashku. Teatri është ftesa për ta bërë këtë punë së bashku”, ka shkruar Peter Sellars për Ditën që festohet prej vitit 1961.
E ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë si si MKRS janë duke bërë përpjekje për të konsoliduar infrastrukturën dhe në ngritjen e cilësisë teatrore në Kosovë.
“Më lejoni t’ju rikonfirmoj për angazhimin dhe zotimin tonë për teatrin në përgjithësi, Teatrin Kombëtar në veçanti, por edhe për teatrot e tjera publike të pavarura të Kosovës”, ka thënë ai. Ka treguar se janë në vazhdën e përpjekjeve për të konsoliduar edhe infrastrukturën fizike për kushtet e punës, hapësirat e punës, por edhe legjislacionin e kulturës, përmes të cilave besojnë se do të kenë mundësi që të investojnë sa më shumë në ngritje te cilësisë dhe krijimtarisë teatrore në Kosovë. Në këtë rast ka thënë se do të ketë zhvillim të audiencave e prezantim sa më të mirë ndërkombëtar e po ashtu edhe punë më efektive e të pavarur të institucioneve teatrore në Kosovë.
Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore ka vlerë financiare prej 5 mijë eurosh e çmimet e tjera nga 2 mijë e 5oo euro.