Ne shqiptarët nuk kemi se si të mos kthejmë sytë me nderim e mirënjohje nga figura e tij, e shndërruar tanimë në një nga monumentet e kulturës sonë kombëtare. Dhe kur kujtojmë Konicën, kemi parasysh jo vetëm shkrimtarin dhe publicistin, kritikun letrar dhe eseistin, përkthyesin dhe enciklopedistin, mjeshtrin e madh të gjuhës shqipe, por dhe një nga etërit e artit e kulturës sonë moderne, intelektualin dhe krijuesin e parë shqiptar të afiniteteve dhe dimensioneve evropiane.
Është fakt se me gjithë kundërthëniet dhe zigzaget e jetës së tij politike, emancipimi ynë kombëtar do t’i detyrohet në një shkallë të ndjeshme rolit dhe veprës së tij. Ky emancipim, do të ketë të bëjë në radhë të parë me letërsinë, me frymëmarrjen e fjalës shqipe, po vështruar më gjerë mendimin shqiptar, me nordin evropian të shoqërisë sonë, me ato ura komunikimi që ai hodhi mes Shqipërisë dhe botës së përparuar. Konica synoi dhe punoi tërë jetën, që atdheu i tij, duke qenë gjeografikisht pjesë e pandarë e Evropës, të ndjehej si ajo, të mendonte e të punonte në shembullin e saj, sado që realiteti i kohës nuk i jepte shkas për optimizëm. Kjo shpjegon pakënaqësinë e tij të vazhdueshme, zemërimin e hidhur që i zgjonin dukuritë negative në jetën shoqërore e shpirtërore të bashkatdhetarëve; kjo përligj në të shumtën e rasteve satirën dhe sarkazmën e tij të pamëshirshme, që ua kundërvë mendimeve, mendësive dhe praktikave të mbrapshta prapavajtëse, anakronike dhe primitive që pengoni e ngadalësonin progresin dhe emancipimin e kombit. Në kuptim Konica do të dallonte nga rilindësit e tjerë, të cilët pohuar dhe lartësuar vlerat e shqiptarëve, do të bëheshin edukatorë dhe mësues të tyre. Ndryshe nga ata, ai mori përsipër një mision më të rëndë, atë të kritikut dhe të oponentit, që duke mos harruar vlerat, të evidentonte dhe stigmatizonte të metat dhe cenet e tyre, të mohonte e të tallte çdo gjë të keqe individuale krahinore e kombëtare të bashkatdhetarëve, në emër të një ideali emancipues e human që i kalonte kufijtë e kohës dhe të vendit të tij. Lartësia nga e cila vështronte dhe aspironte Konica ishte e një kuote evropiane. Sigurisht kjo pozitë e veçantë, si dhe natyra e tij e vështirë, temperamenti egocentrik, sado ndërlikimet që i sollën personalitetit të tij nuk e errësuan kurrsesi këtë figurë emblematike, që e begatoi, larmoi dhe lartësoi universin kombëtar.
Faik Konica, la pas një trashëgimi të pasur dhe të gjithanshme, por të shpërndarë në kohë e vende të ndryshme për të cilën dhe sot e kësaj dite është vështirë të bëhet një bilanc i plotë e i saktë. Ajo i ngjan një miniere, që pas çdo hulumtimi nëpër arkiva e biblioteka, i vë studiuesit e tij para zbulime dhe befasive nga më të çuditshmet e më fatlume. Dëshmi për këtë janë dhe dy shkrime të panjohura që po ia paraqesim publikut. Është fjala për artikujt “Çështja shqiptare”, zbuluar në arkivin e Sofjes dhe “Për stërvitjen morale dhe sociale të popullit”, gjetur në arkivin e Kishës së Shën Gjergjit në Boston. I pari i takon vitit 1916, ndërsa i dyti vitit 1921, por sado të shkruar në kohë dhe situata të ndryshme kanë si emërues të përbashkët shqetësimin dhe angazhimin patriotik të autorit për fatin e Shqipërisë dhe mbarëvajtjen e shoqërisë shqiptare. Artikulli “Çështja shqiptare”, shkruar në një frëngjishte elegante, në gjuhën e diplomacisë së kohës, është zëri i guximshëm i Konicës në kulmin e Luftës së parë botërore, kur ekzistenca e Shqipërisë vihet përsëri në rrezik nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha. Ai u bën apel shqiptarëve, e në radhë të parë klasës së tyre politike, (por për dijeni dhe miqve e armiqve të Shqipërisë) për t’i dalë zot atdheut të tyre të rrezikuar seriozisht. Sipas tij, kur eksperienca e shtetit të parë shqiptar ka dështuar dhe të drejtat e patjetërsueshme të shqiptarëve kërcënohen nga fuqitë shoviniste e imperialiste dhe Shqipëria është kthyer në shesh lufte, detyra imperative e ditës është që strategjisë së armiqve u duhet përgjigjur me një strategji shqiptare që të ruajë pas lufte ekzistencën e Shqipërisë dhe të sigurojë shtetin e saj të ardhshëm.
Duke u ndodhur mes dy kampeve ndërluftuese, Konica është radhitur në anën e Austro-Hungarisë, për shkak të rolit të saj vendimtar që luajti në krijimin e shtetit shqiptar më 1912 dhe të bashkëpunimit të tij të hershëm me të. Por në kushtet e reja të luftës ai nuk pajtohet dhe i kundërvihet politikës djallëzore e fare të papritur të Vjenës, sipas së cilës ajo nuk ka besim tani në vetëqeverisëse të shqiptarëve. Konica e hedh poshtë pa mëdyshje e me kurajë qëndrimin e ri zyrtar të aleates së tij të madhe duke i cilësuar pohime të tilla si gënjeshtra dhe shpifje cinike të fqinjëve ballkanikë dhe imperialistëve rusë e francezë, pa harruar dhe politikën aneksioniste të Italisë, që përbënte një kërcënim real.
Për këtë situate, ai bën fajtor dhe lidershipin shqiptar të kohës dhe hedh akuza të rënda ndaj tyre me stilin e tij të ashpër duke mos kursyer padrejtësisht dhe figura të shquara patriotike si I.Qemali. Por nuk është kjo kryesorja. Mesazhi i Konicës ngrihet mbi luftën brenda politikës shqiptare, kur kërkon besim në forcat e veta kombëtare dhe jo tek të huajt, qoftë kjo dhe Kurora e Habsburgëve, kur bën thirrje për aksione konkrete të shqiptarëve, kur lyp qëndrim realist dhe kurajoz. Sado i shqetësuar dhe i hidhur që tregohet, lideri ka bindje në një përpjekje të pastër shqiptare dhe kërkon ringjalljen e shpirtit kombëtar, ngritjen e moralit të popullit”.
Shkrimi i dytë “Për një stërvitje morale e sociale të popullit” është një farë përkujtese që Konica i dërgon “Vatrës’ nga Roma në 10 maj 1921, para mbledhjes së Kuvendit të saj. Në Shqipëri në këtë kohë sapo është mbledhur Parlamenti i parë dhe shteti i ri shqiptar ka nisur të funksionojë rishtazi. Konica e ndjen për detyrë t’u japë bashkatdhetarëve disa mendime dhe këshilla për mbarëvajtjen e shoqërisë shqiptare. Tani në plan të parë kishin dalë problemet sociale e morale, edukimi qytetar i shqiptarëve të cilin Konica e konsideronte si hallkën kryesore të progresit të vendit. Shqipëria nuk mund të dilte në rrugën e qytetërimit në qoftë se nuk ndiqte dhe zbatonte përvojën e vendeve demokratike të perëndimit. Për Konicën ky ish imperativi i ditës, çështja më jetike e atdheut të tij. Shoqëria shqiptare duhej të shkëputej nga e kaluara e saj prapavajtëse, nga mendësitë dhe praktikat anakronike e anadollake, nga psikologjia kriminale nga mentalitetet mercenare, duke iu kthyer ligjit dhe punës, moralit të shëndoshë dhe qytetarisë. Ajo duhet të punonte përmes veprave dhe shembujve konkretë për të ndryshuar namin e keq që u kish dalë shqiptarëve si kriminelë, hajdutë, mercenarë. Bashkatdhetarët e tij duhet ta kapërcenin hendekun e prapambetjes së gjithanshme, të qytetëroheshin mendërisht, moralisht dhe fizikisht në qoftë se donin të evropianizoheshin. Shembujt që ai sjell nga prapambetja shqiptare janë tronditës. Kritik dhe ironik deri në sarkazëm, Konica tregohet i pamëshirshëm në stigmatizimin dhe demaskimin e dukurive negative si vrasja, pabesia, shpifja, vjedhja etj., që ndodhin në Shqipëri, por që nuk mungojnë dhe në mes shqiptarëve të Amerikës. Ndaj është një detyrë e madhe kombëtare, tepër e vështirë dhe afatgjatë puna e gjithanshme që duhet të ndërmarrë shteti, shoqëria, familja, për të organizuar stërvitjen morale dhe sociale të shpirtit dhe të popullit. Në këtë rast Konica, sado i hidhur e i rreptë tregohet, sado që penën e ngjyen me gjezap (acid), siç thotë Noli, brenda tij rreh zemra e një atdhetari, që vuan dramën e popullit të vet, damkosjen e shqiptarëve nga bota, ku kanë gisht armiqtë e tyre dhe mendon për vizione të reja që do të sjellin qytetërimin e Shqipërisë. Në radhë të parë, ai u drejtohet vatranëve që jetojnë e punojnë në atdheun e qytetërimit e të demokracisë, me synimin që ata të bëhen frymëzues dhe për shoqërinë shqiptare. Pavarësisht se këto mendime janë shprehur plot 103 vjet më parë kanë një tingëllim aktual dhe na bëjnë ta ndjejmë Faik Konicën si bashkëkohës dhe qytetar të Evropës.
1916
Toskërishtja – gjuha klasike e Shqipërisë
Është vetëm një rastësi që, ditët kur diskutohej dhe njëherë (!) problemi i gjuhës së njësuar shqipe, në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, hasa në një artikull të Faik Konicës për gjuhën, i botuar në gazetën Posta e Korçës (Nr.33, 31 Janar 1922). Artikulli, siç do ta tregojmë më tej, përbën një riafirmim të tërthortë të asaj që është arritur tanimë në botën shqiptare me krijimin e gjuhës letrare shqipe. Të vjen mirë që dhe disa nga kundërshtarët e gjuhës së sotme të njësuar e pranuan, më në fund, se gjuha letrare shqipe tanimë e bërë nuk mund të zhbëhet!
Zhbërja e saj do të ishte, jo vetëm një veprim absurd dhe donkishotesk, por dhe një akt thellësisht antikombëtar, prej të cilit do të përfitonin vetëm armiqtë e Shqipërinë.
Duke lexuar artikullin e F. Konicës dhe duke sjellë ndërmend mendimet e tij për gjendjen dhe të ardhmen e gjuhës shqipe, nuk mund të mos vëmë në dukje meritat e pazëvendësueshme që ai ka në këtë fushë.
Në çështjen e njësimit të gjuhës shqipe, F. Konica ka dhënë mendime thelbësore që flasin për përgatitjen e thellë linguistike dhe kompetencën shkencore e, në të njëjtën kohë, për intuitën e tij të hollë gjuhësore. Ai u tregua një vizionar i rrallë, kur që në fillim të shekullit, duke i njohur vetitë dhe prirjet e brendshme të toskërishtes, e projektoi atë si dialektin bazë të gjuhës së ardhme letrare shqipe. Te kjo zgjidhje ai erdhi i shtyrë jo nga paragjykime dhe mendime të ngushta partikulariste, po nga studimi në thellësi e gjerësi i gjendjes së gjuhës amtare. Se sa i pranueshëm dhe objektiv ishte Konica përballë dy dialekteve, mjafton të kujtojmë që ai jo vetëm e çmonte gegërishten, por dhe e shkruante (vjershën e parë e pat shkruar gegërisht)
Vështruar në largësi kohore, mendimet e Konicës për gjuhën e ardhshme të njësuar shqipe objektivisht u bënë platforma fillestare në përpjekjet e organizuara që u ndërmorën më vonë. Hapi i parë historik që u hodh nga Komisia Letrare më 1916 për t’u shkruar dy dialektet mbi bazën e një ortografie të përbashkët, ishte brenda vizionit konician. Njësimi i gjuhës nuk mund të arrihej pa njësimin drejtshkrimor dhe jo rastësisht u zgjodh drejtshkrimi i toskërishtes si hallka kryesore e zgjidhjes së gjuhës së ardhme letrare shqipe. Me vetitë konservuese të tingujve, me ruajtjen e togjeve të bashkëtingëlloreve etj., toskërishtja u përgjigjej më mirë e në mënyrë më të plotë atyre problemeve që do të çonin në dekadat e pritme në gjuhën e njësuar.
Komisia Letrare, e përbërë nga gjuhëtarë, shkrimtarë e gazetarë, prej më të shquarve të kulturës shqiptare e miratoi këtë platformë teorike dhe praktike, por ajo u pengua seriozisht nga prirja partikulariste e lokaliste e disa autorëve me autoritet të Veriut. Ishin këta që e nënshkruan dokumentin historik dhe ishin po këta që nuk e zbatuan në veprat e tyre. Një qëndrim i tillë partikularist, madje anakronik e refraktar, çoi drejt një anarkie drejtshkrimore, duke krijuar madje dhe shkolla ortografike françeskane dhe shkolla ortografike jezuite. Këto fenomene negative nuk kish si të mos e ngadalësonin procesin e afirmimit dhe njësimit të gjuhës sonë.
Faik Konica, ndonëse larg, por gjithnjë syçelur dhe tepër i ndjeshëm, i ndiqte në vitet ‘20-të proceset komplekse që zhvilloheshin në hapësirat e gjuhës amtare. Artikulli që shkruan e dëshmon qartë këtë gjë. Ai nuk pajtohet me konservatorizmin dhe prirjet lokaliste të disa autorëve autoritarë gegë, që bëheshin pengesë serioze për njësimin gjuhësor. Konica ishte aq objektiv sa të pranonte që në stadin e atëhershëm të gjuhës shqipe, të dy dialektet të zhvilloheshin lirisht dhe të këshillonte: Gegët gegërishten, toskët toskërishten, pse jo? Kurse sa për gjuhën e përbashkët për dokumentet e shtetit ai mendon se mund t’i jepet Guvernës një vegël e përbashkët, pa ngarë as toskët, as gegët. Për këtë ai u është drejtuar dhe F. Nolit e K. Çekrezit që të kontribuonin për t’u realizuar kjo ide. Kësaj ideje, d.m.th. gjuhës së dokumenteve zyrtare, do t’i shërbejë dhe një libër që Konica ka shkruar dhe që me këtë rast njofton lexuesit se do ta botojë së shpejti. Por, në këtë rast, Konica, pa mëdyshje, vihet në mbrojtje të plotë të toskërishtes. Ai në artikull e ngre lart atë, duke pohuar në mes tjerash se toskërishtja u njoh nga albanologët e ditur si forma më e lartë e më e mbaruar e gjuhës shqipe. Sipas tij toskërishtja është gjuha klasike e Shqipërisë, e cila nuk i bie në qafë gegërishtes, po rri mënjanë si një çupë aristokrate elegante dhe e hijshme që s’bën kabull të zihet… Konica nuk e thotë se çfarë ka parasysh me fjalët e fundit, por po t’i hidhet një vështrim shtypit shqiptar dhe debateve gjuhësore të viteve ‘20-të, çdo gjë është e qartë. Megjithatë, Konica, që në këto raste nuk i kursen kundërshtarët me fjalën e tij të hidhur, tregohet i përmbajtur. Por pozicionimi i tij është i qartë, mendimi jepet pa ekuivoke; ai tashmë është i bindur për misionin historik të toskërishtes në proceset që e presin gjuhën e njësuar shqipe.
Historia e mëvonshme e gjuhës shqipe provoi katërcipërisht se Faik Konica nuk u gabua. Pesëdhjetë vjet më vonë, më 1972, Kongresi i Drejtshkrimit njohu dhe kodifikoi gjuhën e njësuar shqipe, në bazën e së cilës u vu toskërishtja. Pra, mendimi konician për gjuhën letrare shqipe ishte në themel të këtij akti të madh historik. Dhe sado e çuditshme të duket sot, referati kryesor i mbajtur në këtë kongres nga i ndjeri profesor A. Kostallari u mbyll me fjalët e Konicës: Ne parandiejmë, në agimin e së nesërmes, një Shqipëri të lulëzuar e intelektuale, ku do të rrojë plot gjallëri, një rini e etshme për dije, e dhënë pas artit, bukurisë dhe punës. Këta shqiptarë të rinj do të gjykojnë me një drejtësi mëshirplotë përpjekjet tona, të shartuara me dështime, ngadalësi, paaftësi, por plot çiltërsi të zjarrtë. Ata do të shqyrtojnë me të gjitha mjetet e dokumentimit e të kritikës, se ç’ishte gjuha e djeshme dhe ç’do të jetë gjuha e tyre e nesërme, gjuha me të cilën ata do të shprehin mendimet e tyre ose ëndrrat e tyre. Kësaj gjuhe plot muskuj, ëmbëlsi e mprehtësi, ata do t’i kërkojnë datën e lindjes dhe do të dinë ta përcaktojnë këtë».
Në këtë rast është pak të thuash se F. Konica u tregua vizionar si rrallëkush. Në të vërtetë, atij i takon të jetë nga ideatorët dhe prijësit e gjuhës letrare shqipe, që e udhëhoqën atë në proceset e vështira e komplekse drejt njësimit, lartësimit dhe qytetërimit të saj.
Logoja e bibliotekës së Faik Konicës
Faik Konica ishte i mendimit se libri është “një monument aq i rëndë sa njerëzit viganë të bashkuar s’mund ta luajnë vendit”. Nuk gabojmë po të themi se këtë monument ai e mbajti tërë jetën në supet e veta, por jo si barrë. Ai e ktheu atë në pjesë të vetes, u bë natyra e tij e dytë, që tok me talentet e dhuntitë e çmuara, me mençurinë e mprehtësinë e rrallë, me ndjeshmërinë dhe shijen e hollë, me kulturën dhe erudicionin e jashtëzakonshëm dhe ato frute të papërsëritshme që i detyrohet aq shumë kultura dhe mendimi shqiptar.
Raportet e Konicës me librin do të ishin të gjithanshme, shpirtërore dhe intelektuale, si studiues e krijues, por dhe si lexues i shkallës së lartë. Ai do të frekuentonte bibliotekat më në zë të Parisit dhe Brukselit, të Londrës e të Uashingtonit, do të mbante lidhje me shtëpi botuese, do të shkëmbente libra me personalitete.
Konica do të kishte dhe bibliotekën e tij, një bibliotekë që nuk shquhej për nga numri i madh i librave, por nga vlera e tyre. Libra të zgjedhur e të rrallë, autorë të preferuar, vepra që i shërbenin si doracakë pune. Biblioteka e Konicës, me sa dëshmon ish sekretarja e tij, do të ishte një kombinim i harmonishëm me koleksionet e veprave të artit, si piktura e skulptura, relikte të rralla dhe objekte ekzotike, që krijonin një mjedis me të vërtetë artistik dhe intelektual. Ky është imazhi që na ka ardhur nga vitet e fundit të jetës së tij. Një imazh që nuk i qëndroi dot kohës. Fati i kësaj trashëgimie të vyer qe i keq, po të kemi parasysh se Konica vdiq krejt papritur, në një kohë të turbullt, siç qe ajo e Luftës së Dytë Botërore, kur ai s’e kish më statusin e diplomatit dhe ishte si të thuash njeri pa njeri, mbasi nuk kish krijuar familje. Kësisoj, ndodhi që dhe ajo pak trashëgimi që kish lënë, librat dhe objektet të mbetura thuajse pa zot, falë interesimit të F. Nolit, u morën nën kujdes nga Federata“Vatra”. Ajo i solli në Boston, ku kish dhe qendrën dhe i ruajti në zyrat e saj, por me kohë, kur “Vatra” u shpërngul në Nju Jork, gjithë ç’kish mbetur u kalua në një nga ambientet e lokalit “Pier Four” të Anton Athanasit. Unë kam pasur fatin ta shoh “depon” e Konicës dhe ky ishte një moment i trishtuar, kur vërejta se si qe katandisur ajo pasuri me vlera kombëtare. Dhe do të ishte ky rast, që xha Andoni, tek dilnim nga magazina e errët dhe e mbuluar nga pluhuri të më zgjaste një fletë të çuditshme, diçka më e madhe se një kartëvizitë, katërkëndëshe, me ngjyrë të verdhë, me një letër transparente, që fillimisht s’e mora vesh se ç’ishte. Është një grimcë nga ajo që ka mbetur nga biblioteka e Faikut më tha, pa më shpjeguar asgjë më tej. E mora me emocion dhe e shikoja gjithë kureshtje, duke e mbajtur në dorë, po ku ta çoja atë çast e aq më tepër të kuptoja përmbajtjen e saj, Xha Andoni, ç’është e vërteta, nuk qe në gjendje të më skjarojë dhe unë e mora me vete si një enigmë që do të më duhej ta zgjidhja.
Për hir të së vërtetës, dua të them se m’u desh jo për të zbërthyer përmbajtjen dhe kuptimin e asaj flete të vogël që lidhej e kishte të bënte me bibliotekën vetjake të Faik Konicës. S’kish dyshim se ajo ishte logoja e saj dhe këtë tregonte emërtimi latinisht që mbante në krye: EX LIBRIS, që në shqip do të thotë NGA LIBRAT. Pra, nga librat e Faik Konicës, me fjalë të tjera tregon përkatësinë e tyre, që në këtë rast i takojnë bibliotekës së F.K., një praktikë që përdorej në rrethet inlelektuale të kohës. Ishte kjo logoja, vula apo etiketa, që i ngjitej apo i bashkohej librit.
Logoja e bibliotekës së Faik Konicës paraqitet mjaft interesante, jo vetëm nga pikëpamja estetike, e bukur dhe e përkorë, por edhe nga brendia që ngërthen. Fushën e verdhë e zotërojnë inicialet e emrit dhe mbiemrit të tij, të cilat të inkuadruara në një kornizë elegante janë të rrethuara nga një tufë gjarpërinjsh. Imazhi i gjarprit në këtë rast nuk është thjesht një ornament formal. Dihet që gjarpri, sipas mitologjisë ilire është simbol i ruajtjes së shtëpisë dhe si i tillë ai është përdorur dhe si simbol i familjeve apo fiseve të shquara. Por në logon e Konicës paraqiten jo një, por plot dhjetë gjarpërinj dhe kjo i jep imazhit të tyre një tjetër kuptim e shpjegim. Po të vërehet me kujdes, të gjithë gjarpërinjtë sulmojnë F.K. dhe me gjuhë të nxjerrë ata derdhin helmin e tyre mbi të. Janë këto gjuhët e këqija, gojët e liga që përflasin Konicën dhe që ai u përgjigjet me dy fraza lakonike në greqishte të vjetër: Thonë ç’të duan. ç’farë thonë, nuk më intereson.
Nuk e patëm të lehtë që me ndihmën e specialistëve ta zbërthejmë kuptimin e fjalëve greqisht, por e kemi të vështirë t’i interpretojmë saktë. Ç’do të thotë Konica më këto fjalë? Mos do të thotë se ai është indiferent ndaj të gjitha atyre që thuhen për të, për mirë apo për keq? Ç’lidhje kanë librat me fjalët që thuhen në adresë të tij? Dhe së fundi, të jetë kjo vallë një nga vizat e jetës së tij? Por po t’i drejtohemi jetës së Konicës e aq më shumë natyrës dallohej për indiferencë dhe mospërfillje për ç’ka thoshin të tjerët, opinioni e sidomos kundërshtarët për të. Përkundrazi, ishte tepër i ndjeshëm, reagonte ashpër, hidhej në sulm dhe nuk kursente fjalën e hidhur ndaj çdo njeriu që e kundërshtonte apo e luftonte. Ironik e sarkastik, polemizues i shkallës së lartë, i tillë paraqitet ai në publicistikën dhe epistolarin që ka lënë, si dhe në kujtimet e bashkëkohësve. Në gazetën “Dielli” janë me dhjetëra rastet kur ai u përgjigjet gjithë atyre që shkruajnë e flasin kundër tij. Por pavarësisht nga këto, pyetjet që ngre kjo divizë, logoja që kemi zbuluar ka rëndësinë e vetë, sepse hedh dritë në botën intelektuale të F. Konicës. Është një dokument, sado i vogël, që na e afron dhe konkretizon imazhin e tij madhështor, që jetoi në mes librash dhe që s’e kuptonte jetën pa libra.
Faik Konica
Jeta dhe librat
“La vie est triste, helas! et j ’ai lu toas les livres!”1
Me këtë radhë nis një nga vjershat e poetit frëng Stefan Malarme. Dhe një fjalë të atillë, të pakë janë njerëzit me letra që nuk e kanë përsëritur disa herë në udhë të tyre. Edhe të rrojturit edhe këndimet vjen një orë që lodhin e mërzitin dhe njeriu kërkon shpëtimin në një shkujdesje e një mospërfillje që e bëjnë padashur e pa vënë re si nxënës i Budës. Po le t ’i tingëllojë jashtë zëri i një vajze që shkon; gishtërinjtë e mefshtë le të kthejnë fletët e harrua të një libri të dashur dhe menjëherë muzika e jetës dhe artit na zgjon zemrën dhe na ngjall përsëri mendjen.
Rrija një natë në odë time pa dëshirë e pa mejtim, duke vërejtë avullin që ngrihej si me të përtuar nga një filxhan plot me çaj të Kinës; dhe jo për të kënduar, po për të lojtur hoqa nga rafti një libër të vogël e të hollë dhe pa kënduar as emrin e tij, nisa të kthej fletën ngadalë, kur më zuri syri këtë vijë: “Është kurdoherë i ashpër kur ka pak kohë që urdhëron; përkthim i dobët i një teksti të fortë si brunz. Cili e ka thënë këtë fjalë të thellë? Hodha një sy në titull të librit dhe pashë latinisht: Aeschyli Prometheus.
Një libër dy mijë e katërqind vjetësh i vjetër nga mosha; por nga mendimet aq i ri, sa dukej se u shkrua dje, duket sikur përqesh me hidhërim dhe stigmatizon përjetë nonjë njeri të pasuruar nga lufta ose nonjë salepçi-mbret, që rrëmben fuqinë në rrëmujë e sipër edhe si i dehur nga triumfi i papritur, vërtit kërbaçin dhe kërkon gjak. Se natyra e njeriut nuk ndërron; dhe një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vërtetën e të gjithë kohëve të pastajme.
Eskili është poeti më i lartë e më i thellë i vjetërsisë klasike. S’ka as mjeshtërinë elegante dhe të mbaruar të Euripidit, as lirizmin e lulëzuar të Sofokliut. Eskili ka një madhëri fisnike si të artistëve që punojnë mermerët e Parthenonit. Shumë herë të kujton Shekspirin, jo Shekspirin e Julietës ose të Rosalindës, po Shekspirin e Hamletit dhe të Laertit. Ndër të gjithë veprat e tij që kanë shpëtuar nga prishja dhe kanë arrirë gjer te ne, më e thella është ‘theu i lidhur”. Lënda e kësaj tragjedie mund të tregohet me dy fjalë: Prometheu, një gjysmëperëndi, pati mëshirë për njerëzit dhe u shpuri zjarrin, të cilin gjer ahere e dijnë dhe e gëzojnë vetëm perënditë; Zeusi, i pari i perëndive, që ta ndëshkojë për vjedhjen e zjarrit vë ta lidhin Prometheun në një shkëmb të egër e të shkretë të Detit të Zi, ku do të mbetet i munduar gjersa të pendohet e të kërkojë ndjesë: po ai, me një kryelartësi të hidhur, nuk do t ’i përulet padrejtësisë. Aq. Pak punë për një dramë dhe me gjithë këtë është drama më e gjallë, më e fortë e njerëzore, është drama e përjetshme e idealistit që vuan për mendimet e tij.
Atë natë mbeta pa gjumë si m ’u tek menjëherë të këndoj Promethean e Eskilit anembanë. Dhe në çdo faqe zbuloja që më shtojnë çudinë, aq nga thellësia e mendimit sa nga bukuria e mbrojtur e trajtës.
Ja një grusht gurë të çmuar nga ata më të rrallët e më të çuditshmit. Shkoni dhe zgjidhni:
Prometheu qan tragjedinë e tmerrshme të jetës së vet “Shikoni, thotë, shikoni, të lidhur një perëndi fatkeqe dhe pse vuan? Nga dashuria e madhe që pati për njerëzit”. Me rasën e këtyre fjalëve vëmë re afrimin e Prometheut të shtën në hekura për dashurinë që pati për njerëzi Krishtin e kryqëzuar.
Një turmë simpatike e pyet Prometheun, cilat janë arsyet e mjerimit të tij: “Është një mundim për mua që t’i rrëfej, thotë, është një mundim që të hesht, sidoqoftë është një mjerim. ”
Eskili i vë në gojë Prometheut një gjykim të thellë mbi karakterin e tiranëve: “Tiranët kanë një ves të keq, që nuk u zënë besë miqve”. I thonë: “Lëri fjalët e kota, i gjej nonjë shërbim për mundimet e tua ’’Është gjë e lehtë, -përgjigjet Prometheu, kur e ke këmbën jashtë greminës t’i japësh mësime, të këshillosh ata që vuajnë. Unë i prisja të gjitha këto që heq, fajin desha dhe e bëra, nuk e mohoj dot. Kur shërbeva njerëzve, e vura veten me të dhëmbura”.
inatin, për zemërimin, Eskili vë një fjalë shumë të hijshme me gojë të Oqeanit. Oqeani i thotë Prometeut se fjalët janë mjekët që shërbejnë zemërimin. ‘ i
Oqeani i thotë një tjetër fjalë të urtë Prometheut: Del më i fituar njeriu i mençur që bëhet sikur s ’ka mend”. Këshillë si pak. Si duket ky mendim: “Më mirë vdes njëherë njeriu se sa të vuajë çdo ditë. “Këtë mendim mund ta keni dëgjuar shumë here dhe të mos ju bëjë përshtypje: po mos harroni se këtë dhe fjalë të tjera, Eskili i tha i pari; duhet t’u kthejmë forcën që kanë pasur, po që humbën nga përdorimi i dendur për të kuptuar bukurinë e virgjër të tyre. Mos harroni se kjo vepër është shkruar dy mijë e katërqind vjet më parë.
Dhe kurorëzimi i veprës, fjalëplot kryelartësi dhe forcë fisnike. “koha duke përparuar do të japë gjithë mësimet”.
Por për fat të zi, mendimet shumë herë vijnë tepër vonë. M’u duk gjë e pëlqyer të jap bashkë me përkthimin2 edhe fjalën në gjuhë të Eskilit, ashtu siç i ka shkruar poeti tri herë i lartë.
Një libërz dyzet faqesh. Mund ta ngrejë një foshnjë me majën e një gishti se ky libërz është i lehtë si një pendë. Dhe nuk është vetëm një libër. Është një monument. Dhe një monument me aq rëndësi, sa njerëzit viganë të bashkuar s’mund ta luajnë nga vendi, 1922 / Prof. Nasho Jorgaqi, Dita.