Të shtunën mbrëma “Suny Hill Festival” shënoi natën e tretë me radhë, e cila lirisht mund të quhet edhe nata e muzikës rep. Pas disa Dj-ve, këngëtari i parë që doli në skenë ishte Nushi, pasuar nga “Erno & Kreshnique”, “Lluni & Semi”, Kemal, e kështu me radhë, që të gjithë reperë shqiptarë. Por në krye të kësaj nate qëndroi reperi i njohur britanik me prejardhje nga Nigeria, Joseph Olaitan Adenuga Jr., i njohur me emrin skenik “Skepta”
Rruga që të dërgon në parkun më të madh të qytetit të Prishtinës, “Gërmia”, kishte nisur të bllokohej qysh disa kilometra larg hyrjes së tij. Krijimi i kolonave nis që nga orët e para të mbrëmjes, atëherë kur edhe fillon të mbushet Parku ku po mbahet festivali më i madh në Kosovë, “Sunny Hill”. Por, përveç kolonave të makinave, kolona të ngjashme krijohen edhe në trotuaret e rrugëve që çojnë për në Gërmi. Këto kolona të njerëzve e të makinave, që vijnë nga rrugë e rrugica të ndryshme, bashkohen së fundmi në pikën hyrëse të Parkut dhe pastaj, të gjithë së bashku, vazhdojnë rrugën në këmbë.
Nuk është e vështirë të dallohen se këta njerëz, të cilët mund të shihen që nga rruga kryesore e qytetit, janë duke shkuar për në “Sunny Hill”. Përveç shirit të dorës me ngjyrë vjollce e portokalli e me mbishkrimin “Sunny Hill Festival”, me të cilin janë pajisur të gjithë ata që tashmë kanë hyrë brenda në festival, dallohen edhe nga rrobat e nga grimi. Shumica prej tyre janë veshur me rroba paksa më ekstravagante sesa rëndom mund të shihen, ndërsa në fytyrë, me theks të veçantë te vajzat, kanë aplikuar grim i cili dallon nga ngjyrat e ndezura dhe të llojllojta, si dhe nga gurë e pluhur vezullues, që kohëve të fundit është bërë një model i preferuar edhe nga audienca e festivaleve të mëdha botërore.
Të shtunën mbrëma “Suny Hill Festival” shënoi natën e tretë me radhë, e cila lirisht mund të quhet edhe nata e muzikës rep. Pas disa Dj-ve, këngëtari i parë që doli në skenë ishte Nushi, pasuar nga “Erno & Kreshnique”, “Lluni & Semi”, Kemal e kështu me radhë, që të gjithë reperë shqiptarë. Por në krye të kësaj nate qëndroi reperi i njohur britanik me prejardhje nga Nigeria, Joseph Olaitan Adenuga Jr., i njohur me emrin skenik “Skepta”.
Ky reper dhe producent diskografik britaniko-nigerian, i cili ishte nominuar në tri kategori të “Brit Awards”, nuk ishte edhe aq i njohur për publikun kosovar. Vetë repi si lloji i muzikës i cili dallohet nga tekstet e gjata e ka më të vështirë të depërtojë te një popull që flet një gjuhë tjetër. Se kosovarët e njihnin pak këtë këngëtar u kuptua qysh në maj të këtij viti, atëherë kur “Sunny Hill Festival” e bëri publike ardhjen e tij. Shumë nga komentuesit e atëhershëm pyesnin se kush ishte ky këngëtar. Një gjë e tillë u vërejt edhe në koncert. Krejt ndryshe nga netët e tjera kur publiku ishte ankuar për hapësirën e vogël dhe të ngushtë, mbrëmë askush nuk kishte se si të ankohej për këtë gjë. Gjithsecili mund të lëvizte e të kërcente lirshëm, madje kjo gjerësi u bë edhe më e madhe kur në skenë mbetën të performonin vetëm edhe dy reperët britanikë, Skepta dhe “Aj Tracey”.

Alarmi për Skeptan
Megjithatë, edhe pse rrallë mund të shihje ndokënd që ua dinte tekstet këtyre këngëtarëve dhe që shumicën e herëve publiku këndonte me ta refrenet që, nga përsëritja e shumëfishtë, i mësonte aty për aty, prapëseprapë ai publik që kishte ndenjur t’i dëgjonte, kërceu pa pushim deri në fund.
Dalja e tij në skenë, ashtu si edhe e këngëtarëve të tjerë kryesorë të netëve të kaluara, u shoqërua me një ndriçim më spektakolar, si dhe me ritmin e alarmin të ambulancës, i cili nënkuptonte se ndeja do të jetë, sipas zhargonit të reperave, shumë “sick”. Sipas kërkesës së tij, pothuajse gjatë tërë performimit në skenë mbizotëruan dritat e kuqe, ndërsa ndryshe nga këngëtarët e tjerë, gjatë kohës kur po këndonte Skepta, ekranet e mëdha, të cilat ndihmonin që publiku i cili ishte më larg të mund ta shihte më mirë këngëtarin, karakterizoheshin nga vizualizime digjitale të cilat e bënin të dukej herë sikur këngëtari po merrte flakë, herë sikur gjendej nën ca ujë që rridhte vazhdimisht e plot forma të tilla të ngjashme.
Por, përveç teksteve të tij, të cilat ishin fjalëshumë, në përgjithësi ai vetë ishte fjalëpakë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai nuk harroi të përshëndeste publikun duke treguar se kjo ishte hera e tij e parë këtu dhe se ishte falënderues që kishte marrë një ftesë nga Dua Lipa që të performonte në Kosovë.
Kënga e tij “It Ain’t Safe” në të cilën refereni “It ain't safe for the block, not even for the cops” përsëritet mbi tridhjetë herë, ishte ajo që e ndezi më së shumti publikun, i cili, pasi e mësoi refrenin filloi edhe ta këndonte së bashku me reperin.
Më pas Skepta kërkoi nga vajzat e pranishme të ngrinin zërin dhe të brohorisnin në mënyrë që të kuptohej se sa kishte vajza brenda atij publiku, dhe nga kjo mori shkas për ta kënduar këngën “Ladies hit squad” të cilën në origjinal e këndoi së bashku me “D Double E & A$AP Nast”.
Më pas ai e ktheu edhe një herë në skenë reperin Aj Tracey, me të cilin kënduan së bashku këngën e tyre “Kiss and tell”.
Skepta këndoi mbi një orë, por publiku, i cili shihej i lodhur e i rraskapitu, filloi të ikte ende pa përfunduar performanca e tij. Kjo mund të jetë ndoshta edhe për shkak se ai nuk e njihte edhe aq mirë këtë reper të njohur britanik, por ndoshta edhe pse kjo ishte nata e tretë me radhë e Festivalit dhe publikut edhe mund t’iu ketë shteruar energjia.
Joseph Olaitan Adenuga Jr. i njohur si Skepta u lind në Tottenham. Ai është MC, reper dhe producent diskografik britaniko-nigerian. Është nominuar për disa çmime, siç janë tre “Brit Awards”, përfshirë çmimin për Artistin Solo Britanik, ndërsa ka fituar dy “BET Awards”, dy “MOBO Awards” dhe çmimin “Mercury Prize” për albumin e vitit “Konnichiwa”. Ndikimi i tij në kulturën bashkëkohore britanike është i madh. Deri më tani ka publikuar pesë solo albume: nisur me Greatest Hits (2007), Microphone Champion (2009), Doin' It Again (2011), Konnichiëa (2016) dhe Ignorance Is Bliss (2019), si dhe albumin Insomnia në bashkëpunim me Chip dhe Young Adz, më 2020.
Dashuria për repin shqiptar
Atmosfera e krijuar gjatë kohës kur në skenë dolën “P.I.N.T”, Ledri Vula e Lumi B ishte shumë më ndryshe nga ajo që u pa kur performuan dy reperët britanikë. Qysh kur në ekranin e madh të skenës u paralajmërua ardhja e kësaj katërshe, publiku filloi të brohoriste e të kërcente me të madhe.
Të parët dolën Mc Kresha e Lyrical Son, të cilët kënduan hitet e tyre të shumta si: “Luv luv”, “Lej flleshat”, “Diskotekë me Uzi”, “Hey Girl”, “Ajo po don” “Semafori” , “Thirri krejt shoqet” e shumë të tjera. Sikurse edhe edicionin e kaluar të festivalit “Sunny Hill” të mbajtur më 2019, edhe këtë herë kjo dyshe krijoi atmosferë të paharruar e cila shteroi energjinë e gjithsecili. Gjatë tërë kohës publiku ishte duke kërcyer e duke kënduar.
Pasi i kënduan disa këngë, Mc Kresha iu drejtua publikut duke i kërkuar falje që herën e kaluar nuk e kishin kënduar njërën nga këngët e tyre më të preferuara për publikun, dhe siç u pa më pas ai kishte pasur të drejtë. Ishte kjo kënga “Semafori” e cila nuk la njeri pa e bërë që të kërcente e të hidhej sa andej e sa këndej e të këndonte njëzëri me dy këngëtarët. Sado që ndonjëherë dukej sikur hitet e këtyre dy këngëtarëve kishin mbaruar, ata nisnin një këngë tjetër e cila vazhdonte ta mbante po atë atmosferë e po atë entuziazëm. Shpesh publiku ia thoshte këngës i vetëm duke i lënë këngëtarët që të shijonin një publik që aq shumë i donte e po aq edhe ua njihte dhe këngët. Tekstet e tyre të gjata nuk dukeshin aspak problematike e të lodhshme, sepse audienca i dinte fillim e fund.
Te kënga “Vetëm për ty”, dyshes Mc Kresha & Lyrical Son iu bashkua edhe Ledri Vula me të cilin vazhduan edhe hitet e tjera si “Menemadhe” dhe “Princes Diana”, ndërsa te kënga “Çele çadrën” atyre iu bashkua edhe Lumi B.
Niveli i lartë i atmosferës nuk u zbeh aspak kur në skenë mbetën Ledri dhe Lumi B. Ndryshe nga Kresha e Lyrical Son, kjo dyshe shkëmbeu para publikut biseda me tone humoristike të cilat reflektonin një miqësi të mirë. Përmes shakasë dy miqtë shtyheshin se cili do të këndonte këngën më të mirë se tjetri e kjo shpesh e bënte publikun të qeshte me ta.
Për vlerën e shenjtë të miqësisë ata kënduan këngën “Shrenjt”, e cila fliste për një shoqëri të shenjtë dhe e cila nuk mendohet dy herë kur vjen puna t’i dalë në ndihmë njëri- tjetrit. Më pas ata vazhduan me duetet e tyre si “Krejt shokët e mi”, “Kiss kiss”, “Pablo”, “Aman”, si dhe këngët e tjera të cilat i këndonin pa njëri-tjetrin. Ledri këndoi edhe këngën e publikuar një muaj më parë me Ardian Bujupin, “Gelato”, për të cilën iu drejtua Lumit se “kësaj here të kam tradhtuar”.
Tekstet plot rima, të pasura me zhargon, e metafora të llojllojshme, por edhe ritmi i fuqishëm e i ndryshëm dhe nostalgjia për disa nga këngët e vjetra të katërshes.
Por ndryshe nga atmosfera që krijuan këngëtarët, mungesa e një organizimi të mirëfilltë u pa edhe gjatë natës së tretë të Festivalit. Kontrollet e pakta, problemet me transport, me mirëmbajtje e gjëra të tilla u panë edhe këtë natë. Se organizimi kishte dalë nga kontrolli u pa edhe kur në vendin ku po organizohej Festivali ishin futur edhe shitësit ambulatë. Ndryshe nga, siç ishte paralajmëruar në fillim, dhe ndryshe nga çfarë kishte ndodhur gjatë herëve të kaluara, se në Festival nuk lejohej futja e shkrepësve, kësaj radhe një shitës kishte hyrë me një paketë të cilën e mbante lart dhe ku gjithsecili mund të blinte, përveç cigare edhe shkrepëse. Këto gjëra nuk i iknin syrit të publikut i cili sa herë që kishte rastin të fliste para mediave ankohej për organizimin e dobët.
“Në përgjithësi ‘Sunny Hill’ si festival është një gjë shumë e mirë për qytetin tonë, mirëpo organizimi lë shumë për të dëshiruar dhe më vjen keq që ne ende duhet të merremi me këto gjëra për çdo ditë”, ka thënë për KOHËN Era Hasani.
Tutje ajo ka vënë në pah faktin se publiku i kësaj nate ishte më i interesuar për reperët shqiptarë sesa për ata të huaj.
“Sot siç po e shoh edhe pse është nata e tretë ende ka njerëz mjaftueshëm, por përsëri po shihen që më të interesuar janë për artistët vendorë, sepse, edhe pse tani jemi duke e pritur ‘headliner-in’ e kësaj nate, ka pak njerëz”, ka thënë Hasani.
Një tjetër pjesëmarrëse ka theksuar se, përkundër problemeve, Festivali ka pasur edhe shumë gjëra të tjera të mira.
“Ka pasur shumë probleme në transport dhe vendi është shumë i ngushtë dhe nuk po mundesh me pa as këngëtarin e as asgjë hiç. Por, megjithatë, ndjenja e Festivalit është shumë e mirë dhe shpirti dhe energjia e njerëzve janë shumë të mirë”, ka thënë gjatë kohës sa po kërcente YIlka Bardhi.