Krahas kurseve të gjuhës që po kryejnë studentët e huaj që sivjet janë mbi 100, ligjëratat e tryezat shkencore me referime e kumtesa po hedhin dritë mbi aspekte të gjuhësisë, të letërsisë, të folklorit e të zhvillimeve të fundit mediatike. Të martën dita ka nisur me temë gjuhësie. Albanologia me origjinë arbëreshe, Giuseppina Turano, e cila është profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin Ca’Foscari në Venecia, ka sjellë për albanofilët studimin e saj në fushën e sintaksës
Teksa Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare po zhvillon punimet në javën e dytë, edicioni i 43-të i tij veç po pasurohet. Krahas kurseve të gjuhës që po kryejnë studentët e huaj që sivjet janë mbi 100, ligjëratat e tryezat shkencore me referime e kumtesa po hedhin dritë mbi aspekte të gjuhësisë, të letërsisë, të folklorit e të zhvillimeve të fundit mediatike. Të martën dita ka nisur me temë gjuhësie. Albanologia me origjinë arbëreshe, Giuseppina Turano, e cila është profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin Ca’Foscari në Venecia, ka sjellë për albanofilët studimin e saj në fushën e sintaksës. Me titull “Rreth kokës dhe komplementit të fjalive të nënrenditura: nga semantika te sintaksa”, studimi i saj ka thelluar njohuritë për qasjet e përdorimit të komplementuesve në fjalitë e përbëra të gjuhës shqipe.
Drejtuar nga profesori i fushës së sintaksës në Universitetin e Prishtinës, Bahri Koskoviku, kjo ligjëratë ka depërtuar thellë në mendjet gjuhësore, duke nxitur vëmendje për ato që janë thënë, derisa profesoreshë Turano ka folur rrjedhshëm shqipen standarde dhe njëlloj ka sjellë edhe faqet e prezantimit me shembuj pa fund të të gjitha rasteve të mundshme të përdorimit, madje disa aspekte i ka lënë anash për shkak të pamjaftueshmërisë së kohës. Ka segmentuar sintagmat e periudhave të fjalive veç e veç dhe ka analizuar e komentuar një nga një.
Giuseppina Turano është autore e monografive dhe artikujve që hetojnë strukturat morfosintaksore të dialekteve të shqipes, me theks të veçantë të folmet arbëreshe. Ajo studion edhe aspektet e dygjuhësisë në zonën italo-shqiptare, si dhe ndikimin e kontaktit me italishten në strukturat sintaksore të varieteteve arbëreshe. Në Seminarin e Albanologjisë është pjesëmarrëse e rregullt, duke nxjerrë çdoherë njohuri të thella në dritën e studimeve gjuhësore.
Komplementuesit si lidhës të pjesëve të sintagmës
Mes varianteve morfosintaksore, ajo ka dalluar elementet sintagmatike, duke treguar dy llojet e komplementuesve te fjalitë e varura. Ato e kryejnë funksionin e kundrinorit të drejtë.
“Kur elementi kokë është një folje, fjalia e nënrenditur shërben për të plotësuar valencat e saj, duke kryer funksionin e kundrinorit të drejtë, dallohen dy struktura të ndryshme me folje të shtjelluara. Shqipja dallon duke u bazuar në morfologji, dy komplemente frazale me folje të shtjelluara: një fjali e nënrenditur, e paraprirë nga komplementuesi ‘se’; dhe një fjali e nënrenditur, e paraprirë nga komplementuesi ‘që’”, ka thënë Turano gjatë shtjellimit të temës për ligjëratën e paraparë për të martën.
Mes tjerash, ajo ka përcaktuar se komplementuesit nuk lidhin njëjtë si foljet në mënyrën dëftore, si ato në lidhore me fjalinë e nënrenditur. Sipas saj, janë të ndara klasat kur përdoret njëri e kur tjetri. Edhe paskajoren e standardes e ka përfshirë në listën e foljeve që ndodhen brenda komplementit, duke krijuar lidhje me foljen e fjalisë kryesore, megjithëse me kufizime të caktuara.
“Fjalia e varur me folje në mënyrën dëftore është thjesht një fjali dëftore, ndërsa ajo me folje në lidhore del si komplement i foljeve kauzative, i atyre që shprehin dëshirë, i foljeve modale dhe i atyre aspektore. Asnjë nga këto klasa foljore nuk lejon strukturën e nënrenditur të tipit ‘se’ plus dëftore. Përveç këtyre llojeve të fjalive me folje të shtjelluar, shqipja ka një strukturë kur fjalia e varur mund të ketë folje me paskajore”, ka treguar ajo.
Ka përmendur edhe faktivitetin dhe jofaktivitetin si çift semantik mes lidhjes së fjalive me anë të komplementuesve, si dhe ka dalluar edhe rastet kur koka e sintagmës është emër, ndjekur nga komplementi i ashtuquajtur emëror.
“Emrat e derivuar nga foljet kanë një strukturë argumentore analoge me atë të foljeve burimore. Këta emra trashëgojnë strukturën e tyre argumentore nga folja bazë. Të njëjtën marrëdhënie të tipit kokë plus komplement e gjejmë në strukturat kur koka është një emër. Këto janë komplemente emërore, dhe fjalia e varur është komplementi i emrit”, ka shtuar Turano.

Referimet për varietete, shqipen e vjetër dhe atë para saj
Pas ligjëratës së Turanos, pasditen e kanë filluar referimet shkencore për fusha të ndryshme të albanologjisë. Tea Lozi e ka nisur prezantimin e kumtesës së saj për hibriditetin dhe transnacionalizmin në veprat e autorëve nga Shqipëria dhe Kosova në hapësirat gjermanofolëse. Ajo ka përzgjedhur shtatë autorë të rinj nga diaspora DACH (Gjermani, Austri dhe Zvicër), në bazë të kritereve specifike dhe i ka analizuar mënyrat se si përvoja e tyre e migrimit ka ndikuar në formimin e identitetit individual dhe krijimin e një “identiteti letrar”.
Artur Karasinski pas saj ka prezantuar kumtesën “Korelatet akustike të theksit në shqipen standarde të Kosovës”, duke trajtuar faktorët prozodikë që përdoren për ta realizuar ritmin bazë gjuhësor dhe sinjalizimin e theksit të fjalëve në shqiptimin standard të shqipes në Kosovë. Subjektet që ka intervistuar kanë qenë nga Prishtina, ndonëse me prejardhje të ndryshme dhe ka ardhur në përfundim se shqiptimi kosovar është i ndikuar nga substrati gegë.
Me një temë krejt tjetër dhe më “abstrakte” është marrë Alexander Robert Herren. Ai është zhytur në botën e errët të asaj që ka qenë para se të ishte një gjuhë shqipe. Me anë të rindërtimit gjuhësor në kuadër të gjuhësisë krahasuese, ai ka vënë re ndryshimet e tingujve nëpër periudha të ndryshme të asaj që quhet proto-shqipe. Përmes këtyre, ai ka tentuar ta zërë fillin e situatës gjuhësore të shqipes në kohën kur folësit e saj kanë pasur kontakte me ata të gjuhëve romane lindore gjatë mesjetës së hershme.
Gerard Spaans ka ndenjur pak më këtej: në kohën e dokumentimit të shqipes. Ka zgjedhur rasën rrjedhore të përemrave të vetës së tretë në gegërishten e vjetër, duke marrë si korpus veprën e Buzukut, Budit dhe Bogdanit. Reliktet e tyre janë në përdorim shumë sporadik në ditët e sotme, por dikur kanë qenë shumë të përdorura. Këtë gjë e ka përshkruar me anë të hulumtimit të tij, duke analizuar shpeshtësinë e përdorimit dhe shpërndarjen e formave të rrjedhores, me dhe pa parafjalë qysh prej kohëve të dokumentimit të parë të shqipes.
Me kumtesën “Një variant i panjohur i lutjes ‘Ati ynë’ në toskërishten jugore nga fillimi i shekullit XIX”, Marek Majer dhe Plator Gashi kanë analizuar një variant deri tash të paveneruar në studimet albanologjike të lutjes “Ati ynë” nga një përmbledhje enciklopedike gjuhësore e fillimshekullit XIX. Ata e kanë ndarë tekstin nga ana filologjike, duke e krahasuar atë me variantet e mëhershme e bashkëkohëse shqipe të lutjes. Pas tyre, e fundit ka prezantuar Zeqije Xhafçe, e cila ka folur për përkthyesin e sufizmit në gjuhën e popullit, Sheh Hilmi Maliqi.
Inteligjenca artificiale në media dhe redaksi lajmesh
Ndikimi dhe potenciali i inteligjencës artificiale në fushën e gazetarisë dhe medias, me fokus në aspektet etike dhe normative, si dhe përfitimet praktike e transformimet strukturore që sjell ajo, ka qenë tematika e tryezës së diskutimeve pasditen e së martës. Folës në panelin e diskutimeve kanë qenë: Gëzim Qerimi, Muhamet Jahiri, Alban Zeneli, Dren Gërguri, Driton Maliqi e Blerta Dibrani, të gjithë profesorë të gazetarisë.
Gëzim Qerimi ka lexuar shkresën që ka përgatitur për këtë temë, ku ka shpjeguar se shpesh konsiderohet se përdorimi i inteligjencës artificiale në vend të punës konsiderohet si joetik, teksa ka treguar se mediat ndërkombëtare e kanë standard përdorimin dhe deklarimin.
“Shumica e mediave ndërkombëtare kanë vendosur standard që çfarëdo përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të deklarohet. Te ne fatkeqësisht ende konsiderohet që nëse e përdorim IA-në në vendin e punës, është një mundësi që të mos konsiderohet etike, nuk është aspak ashtu, sepse inteligjenca artificiale duhet të përdoret sot si element pozitiv, por vetëm duhet të ketë deklarim”, ka thënë ai.
Në një lidhje direkte nga Shkupi ka folur Driton Maliqi, i cili ka treguar benefitet dhe dëmet e inteligjencës artificiale. Sipas tij, nëse merren për bazë mediet sociale, paraqitja e lajmeve te shikuesit vendoset të dalin ato që lexohen më së shumti, ndërkaq statistikisht algoritmet që maksimizojnë menaxhimin e tyre janë me atë përmbajtje. Muhamet Jahiri ka thënë se është një sfidë që i preokupon të gjithë. Sipas tij, ajo që s’mund ta krijojë besueshmërinë e publikut është që inteligjenca artificiale asnjëherë nuk do të arrijë t’i verifikojë faktet mjaftueshëm.
Sipas Alban Zenelit, në sferën publike ku përmbajtjet e gjeneruara, tekstore, auditive a videografike gjithmonë e më shumë po marrin vend. Ai ka ngritur çështjen e teksteve humane. “Shumë shpejt do të vijë koha kur do të paguajmë shumë më shumë për ato tekste, për ato përmbajtje të gjeneruara nga njerëzit”, ka thënë ai, teksa e ka krahasuar me ushqimet natyrale dhe ato që janë të modifikuara.
Me fjalët “zhvillimi i hovshëm teknologjik po e ndryshon mënyrën e jetesës sonë, pa kaluar te çfarëdo profesioni që kemi në shoqëri”, e ka nisur Dren Gërguri pjesën që i takonte në tryezë. Ai ka treguar se IA-ja është një sfidë e madhe për gazetarinë hulumtuese, por jo nëse di ta shfrytëzosh, teksa ka përmendur raste të zhvillimeve të programeve artificiale në disa vende të botës për të ndihmuar maksimalisht pjesën hulumtuese të gazetarëve. Ndërkaq Blerta Dibrani ka folur për të ardhmen e inteligjencës artificiale, ku ka theksuar se “studiuesit supozojnë se inteligjenca artificiale do të inkorporohet në redaksi dhe do të jetë një mjet për punën e gazetarit, por asnjëherë nuk do të jetë zëvendësim”. Është elementi njerëzor që IA-ja nuk mund ta zëvendësojë.
Sot (e mërkurë) është dita e fundit kur zhvillohen ligjëratat e këtilla dhe të enjten në mëngjes përfundojnë edhe kurset për mësimin e gjuhës shqipe, teksa dy ditët e fundit do të sjellin sesionet shkencore të gjuhësisë dhe ato të letërsisë, ku dhjetëra studiues do të prezantojnë kumtesat e tyre në seanca paralele që do të mbahen në të njëjtën kohë gjatë gjithë ditës. Të premten i mbyll punimet ky edicion i Seminarit, i cili është karakterizuar me prurje të reja në fusha gjuhësore e në aso të letërsisë.