Këtë opinion timin po e filloj me thënien popullore, të mençur dhe shumë domethënëse: “Më mirë vonë se hiç“. Këtu e kam fjalën për tri objektet e religjionit në Prishtinë. Pra, për Kishën Ortodokse, Katedralen Katolike dhe Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Që në fillim më duhet të them se besimtarët e të gjitha konfesioneve kanë të drejtë t’i kenë objektet e tyre. Kjo nuk mund dhe as nuk duhet të mohohet.
Detyra projektuese, lokacioni, projektimi dhe ndërtimi i tyre duhet të bëhen në mënyrë shumë profesionale dhe analitike.
Siç ka ndodhur me këto objekte, te ne në Prishtinë? Mendoj se vendimet për to, janë marrë në qarqe shumë të ngushta ku kanë dominuar interesa të ndryshme. Uroj që ta kam gabim. Opinionin për këtë çështje do ta filloj radhazi, sipas kohës së ndërtimit të tyre.
Kisha Ortodokse – është objekt me karakter politik i ndërtuar në Kompleksin Universitar. Për këtë objekt që në fillim ka reaguar me plot të drejtë i ndjeri profesor arkitekt, Bashkim Fehmiu, si autor i zgjidhjes urbanistiko-arkitektonike të Kompleksit Universitar në Prishtinë.
Këtë gjë mendoj se duhet ta bëjnë edhe institucionet shtetërore të Kosovës. Nëse duhet edhe pranë institucioneve ndërkombëtare.
Universiteti si institucion, është autonom, pra edhe atyre u takon të reagojnë për këtë çështje. Ky është rast “sui generis”. Arkitekturën e këtij objekti nuk do ta komentoj për arsye të njohura mirë.
Katedralja Katolike – është objekt i cili akoma nuk ka përfunduar plotësisht. Mjerisht ky objekt është projektuar në frymën e arkitekturës së disa shekujve më parë. Sot, në botë objektet e kultit projektohen dhe ndërtohen në frymën bashkëkohore. Te ne ndodh e kundërta. Katedralja Katolike është ndërtuar në mes të dy rrugëve, megjithëse sipërfaqja e lokacionit (sa më kujtohet) ka qenë më e madhe, duke përfshirë rrugën për në lagjen “Pejton” dhe hapësirën ku janë ndërtuar lokalet e Ndërmarrjes Publike Banesore. Pas hyrjes kryesore të Katedrales është ndërtuar edhe një objekt për nevoja të tyre. Kush dhe si e ka dhënë lejen për këtë objekt, nuk e di. Por mendoj se urbanistikisht është dështim total.
Xhamia e Madhe në Prishtinë është objekt kapital, por lokacioni për këtë objekt është dështim i madh. Objektet e tilla lypin hapësirë shumë më të madhe. Lokacioni për objekt nuk mundet dhe nuk duhet të përcaktohet pa analiza gjithëpërfshirëse të bazuara në detyrën projektuese dhe në karakterin e objektit që do të ndërtohet.