Vitin e kaluar, kur në edicionin e 18-të të “Rock për Rock”, pas pauzës shtatëvjeçare, rock-grupi veteran “Armadillo Blues Band” u ngjit në skenë, muzika e bëri tok me publikun. Disa me birra në duar kishin vallëzuar e të tjerët me telefonat e mençur ishin munduar që të ruanin ato çaste. Agron Bajrami, vokalisti i grupit, Muhamet Veseli – Muha në kitarë, Shkëlzen Veseli në bas, Fahri Ibrahimi në bateri dhe Asdren Rrahmani në tastierë, patën sjellë disa këngë të tyre si “Të kam humb” e “Qind për qind rock” e të tjera. Bashkëveprimi midis publikut dhe bendit, në natën e 22 qershorit kishte shkrirë distancën midis skenës e hapësirës për publik në teatrin “Oda”. Publiku ishte ngazëllyer edhe kur ishte paraqitur grupi “Teli i këputë” nga Kosova dhe “Ave venus” nga Shqipëria.
E pamundësia për të përjetuar një moment të tillë apo të ngjashëm si ai i vitit të kaluar, për shkak të situatës së krijuar si pasojë e koronavirusit, ka bërë që organizatorët ta shtyjnë edicionin e sivjetmë. Sipas tyre, mbajtja e festivalit pa publik nuk ka kuptim, shkruan sot Koha Ditore.
“Për 18 vjet me radhë, në këtë ditë është publikuar konkursi për pjesëmarrje në festivalin ‘Rock për Rock’. Për shkak të situatës na mbetet që me keqardhje ta mbajmë në ndonjë kohë ma të mirë”, ka qenë njoftimi i afishuar në Facebook.
Themeluar dy vjet pas luftës, festivali “Rock për Rock” gjatë muajit qershor për të 19-in vit me radhë kishte në plan që të mblidhte grupe të reja e të vjetra, të cilat zhanrin e rockut e kanë në gjenezë të tyre.
Bas-kitaristi Agim Berisha, njëri nga organizatorët e “Rock për Rock”, ka thënë se situata e pandemisë ua ka pamundësuar mbajtjen e Festivalit siç ishte planifikuar, por janë treguar entuziastë që edicionin e sivjetmë ta mbajnë në shtator.
“Esenca e festivalit është se interpretimet janë live, dhe në këtë situatë çfarë ne jemi kjo është e pamundur. Anëtarët e grupeve duhet që të jenë së bashku. Prandaj edhe nuk mundet që të mbahet kur çdo njëri është në shtëpi të veten”, ka thënë ai. Sipas tij, mbajtja e festivalit pa publik nuk ka kuptim njëlloj si mbajtja e tij në çfarëdo formë tjetër.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.