Të dielën mbrëma “Armadillo Blues Band” ka shpalosur pesë këngët e albumit të ri në “Defy Them” në Prishtinë. Ritme blues-i janë sjellë edhe nëpërmjet këngëve të legjendës botërore të rockut, Jimmy Hendrix. Muhamet Veseli, i njohur në skenën muzikore si Muha, është shprehur i lumtur me prezencën e publikut në moshë të re derisa nuk ka dhënë datën e publikimit të albumit apo detaje të tjera
Muzikantë e këngëtarë të muzikës rock janë mbledhur për të prezantuar ritmet e këngëve nga albumi i ri i bendit “Armadillo Blues Band”. Me ritme blues-i, lideri i grupit, Muhamet Veseli dhe të tjerët e kanë elektrizuar gjithë hapësirën.
Këngë me ritme blues-i janë dëgjuar para koncertit në hapësirën ku publiku mblidhej dhe ajo sikur ngushtohej çdoherë. Paralajmërimi vinte që nga jashtë hapësirës shumëngjyrëshe. Çmimi i biletës ishte krejt simbolik e bashkë me të grupi ishte kujdesur që koncertin ta shijonte secili me nga një pije. Disa drita të lehta ndriçonin hapësirën dhe vishnin me ngjyra instrumentet e vendosura në skenë.
Në një hapësirë si qendra e muzikës alternative, punk, rock e metal “Defy Them”, për shtati i ka shkuar koncerti ku janë prezantuar pesë këngët e albumit të ri. Janë interpretuar nga këngëtarët Esat Bajrami, Ilir Baxhaku, Arbër Krasniqi, Lekë Gjurgjiali, Fahri Ibrahimi dhe Dardan Shkreli.
Për orkestrimin është kujdesur Veseli derisa të njëjtët këngëtarë që kanë përcjellë me vokal marrin pjesë në album me tekstet e tyre. Pos këngëve origjinale shqipe, në qendrën në “Kodër të Diellit”, në kryeqytet, është sjellë mjeshtërisht si në vokal e në orkestër fryma botërore e rock muzikës. Është interpretuar edhe “Red House” dhe “Little Wing” të legjendës së rockut në botë, Jimi Hendrix.
Muhamet Veseli, i njohur në skenën muzikore si Muha, është shprehur i lumtur me prezencën e publikut në moshë të re derisa nuk ka dhënë datën e publikimit të albumit apo detaje të tjera. “I kemi ekzekutuar pesë këngë të albumit tim, i cili ende nuk është publikuar, por është përfunduar. Kanë interpretuar disa këngëtarë të njohur të Kosovës. Disa më të rinj, disa më të vjetër. Gjithashtu më vjen mirë që mosha e re e dëgjon rock muzikën dhe po më pëlqen ky vend ku janë mbledhur rinia e gjeneratat e reja”, është shprehur kitaristi Veseli.
Ka treguar më tej se këngëve të reja nuk u kanë vendosur ende tituj. Megjithatë gjatë interpretimit në këngën që e përcjell me vokal Arbër Krasniqi kanë vendosur ta emërtojnë aty për aty. “Albumi nuk është përfunduar, këngën të cilën e këndoi Arbri ia lamë emrin para 5 minutave. Pasi teksti është patriotik edhe këngës ia lamë emrin ‘Atdhe’, këngët e tjera janë origjinale. Kur del albumi, del edhe me emra komplet, sepse ende nuk i kemi vendosur detajet finale”, ka thënë Veseli.
Lideri i grupit “403”, Hektor Gjurgjiali, ka qenë po ashtu pjesë e formacionit ku ka luajtur në harpë e në kitarë. Ai ka treguar se koncerte të tilla për ta janë të zakonshme pasi shpesh mblidhen për të bërë muzikë. “Më vjen mirë që doli një koncert shumë i bukur. Nuk kemi bërë prova pasi këngët blues janë kryesisht improvizim, pjesë solo. Këngët kanë qenë shumë të mira dhe më vjen mirë që kam qenë pjesë e promovimit të albumit të Muhës, i cili është i pari në Kosovë i llojit blues”, ka thënë Gjurgjiali.
Rock këngëtari e lideri i ish-rock grupit “Hard”, Ilir Baxhaku, ka interpretuar këngën e re nga albumi i asaj që është quajtur “Muha&Friends”, të cilën e ka emërtuar “Kujtojmë”. Gjithçka kishte filluar kur kitaristi i mirënjohur në skenën kosovare të rock-ut e kishte kontaktuar Baxhakun vitin e kaluar. U kishte kërkuar kantautorëve të shkruajnë tekstet ndërsa ai do të bënte muzikën. “Me shumë dëshirë e kam pranuar dhe e kam shkruar këtë tekst në kohë rekorde, ndoshta për dy ditë. E kemi punuar ndoshta në muajin maj, unë e kam bërë incizimin, Muha e ka bërë muzikën, me pak prova në studio”, ka thënë Baxhaku, i cili ka lënë të hapur që kënga të shoqërohet me videoklip. “Sonte është interpretuar edhe kënga me titull ‘Kujtojmë’. Ka të bëjë për kohën tonë, për gjërat që i kemi përjetuar e mbijetuar. Është një blues i lezetshëm për ne që nuk është një muzikë e zakonshme për ne në Kosovë por ja që e kemi gjetur”, ka thënë ai më tej.
Me muzikë kanë përcjellë edhe Lum Veseli në bateri, Muhamet Veseli në kitarë e Shkëlzen Veseli në bass. Kanë luajtur gjithashtu Ilir Veseli në tastierë e kitarë, Agron Shala në tastierë dhe Lekë Gjurgjiali në kitarë, formacion që është ndërruar herë pas here në kombinim me anëtarët e orkestrës. Publiku ka insistuar gjatë për një këngë tjetër të fundit nga bendi. Ato së shpejti do të mund t’i gjejnë në albumin për të cilin është paralajmëruar të lansohet së shpejti.
“Armadillo Blues Band” në fillim të janarit kishte nxjerrë nga arkiva këngën e shkruar vite më parë për ta ndarë me publikun. “Të kam humbë” ka rikthyer frymën e grupit me mesazh të fuqishëm kundër varësisë nga droga. Me këtë projekt “Armadillo...” kishte dëshmuar se është aty ku ka qenë përherë: te bluesi.
Repertori i grupit numëron edhe bashkëpunimin me Bajram Bylykbashin – BB Poqi në vokal, me “Shti, më qëllo” në prill të 2012-s. Me këtë këngë grupi kishte marrë pjesë në edicionin e nëntë të “Top Festit” atë vit. Këngë të tjera të grupit janë “Blues për ty”, “Një botë tjetër” e “The Blues Man”.