Kulturë

“Armadillo Blues Band” godet me “Të kam humbë”

Grupi pa të cilin zor të shkruhet historia e bluesit dhe e rockut në Kosovë, qetas e pa shumë bujë ua ka dëshmuar adhurueseve se është aty. “Armadillo Blues Band” ka nxjerrë prej arkivave një këngë të shkruar disa vjet më parë dhe e ka ndarë me publikun. “Të kam humbë”, rikthen frymën e grupit me një mesazh të fuqishëm kundër varësisë nga droga. Vokalisti Agron Bajrami ka ndarë edhe historinë e këngës, e kitaristi Muhamet Veseli - Muha ka folur për një koncert e projekt

Për nja 15 vjet qe strukur diku nëpër arkiva, si version demo. Vija melodike e gjeti tekstin e shkruar në vitin 1996 a 1997. Dhe pjesa tjetër është histori. Finalja: “Të kam humbë” e “Armadillo Blues Band” e cila nga mesi i javës së kaluar është lansuar qetas e pa shumë bujë, por që godet me blues dhe e rikthen grupin e njohur të Kosovës me traditë prej gati tri dekadash.

Kënga ka një histori prapa dhe një mesazh të fuqishëm, aktual edhe sot. Thërret kundër varësisë nga droga.

Ka qenë Agron Bajrami, vokalist i “Armadillos”, që e ka dhënë lajmin dhe ka lansuar këngën tok me një grimë historie deri te finalizimi i saj. Bajrami, ish-kryeredaktor i “Kohës Ditore” tash ambasador i Kosovës në Bruksel, ka thënë se kishte qenë kitaristi Muhamet Veseli-Muha që do t’ia lëshonte demon e tij të re, diku më 2007.

“E ka këtë zakon Muha, edhe sot e kësaj dite, që në momente të inspirimit të incizojë ca ‘tema’ (siç i quan) dhe të m’i dërgojë për dëgjim duke thënë: ‘Kqyr qysh po të doket edhe bone naj tekst që t’pëlqen’”, ka shkruar Bajrami. Do t’i dukej vijë e përkryer melodike për një tekst që kishte shkruar shumë vjet më parë me titull pune “Overdose”, nën ndikimin e rockut progresiv. “Asokohe isha dëgjues i devotshëm i albumeve konceptuale, si ‘Dark Side of the Moon’ të ‘Pink Floyd’ dhe ‘Fugazi’ e ‘Misplaced Childhood’ të Marillion”, ka shkruar ai.

Pikërisht në frymën e atyre që i ka përmendur Bajrami vjen edhe “Të kam humbë”.

Nis me një solo të zgjatur nga maestro Muha, të cilën “e thërret” numërimi në tre në “hi hats”. Mjeshtërore janë edhe solot e tjera, në kulminacionin e këngës. “Të kam humbë” flet për humbjen tragjike dhe vjen si udhëzim për anashkalimin e grackës e cila sot është një nga problematikat kryesore të të rinjve. Është thirrje e hapur kundërshtuese ndaj përdorimit të narkotikëve.

“Vetë teksti është një thirrje kundër varësisë nga droga, dhe atmosfera që kishte krijuar Muha me komponimin e tij është një që për mua në mënyrë të përkryer muzikore e përshkruan ambientin e një dhome plot errësirë nga përdorimi i narkotikëve”, ka shkruar Bajrami, i cili solo-kitarën e Muhamet Veselit e ka quajtur mjeshtërore.

Planet për “Të kam humbë” fillimisht kishin qenë të tjera.

“Edhe pse kënga ka mbetur e incizuar vetëm si demo, dhe ideja ishte që të bëjmë një incizim më kualitativ, me një aranzhim më kompleks, mua ky incizim më pëlqen shumë, dhe në momente më duket edhe se këtu kemi arritur kulmin autorial në blues-rock-un e ‘Armadillo Blues Band-it’”, ka shkruar Bajrami.

Me këtë projekt, “Armadillo...” është aty ku ka qenë përherë: te bluesi.

“Agroni ma ka parashtruar tekstin, ka qenë tema e ndikimit të drogës në rini. Kemi qenë të mendimit sesi t’u ndihmojmë të rinjve të kuptojnë se çfarë është. Edhe këngën e kemi bërë pak edhe për atë pjesë, pos rock-ut. Nuk kemi qenë të dhënë pas video-projekteve asnjëherë, dhe kësisoj kënga nuk ka qenë e cunguar asnjëherë”, ka thënë për KOHËN kitaristi i “Armadillo Blues Band”, Muhamet Veseli.

Minuta e parë e këngës është introja për hapjen e temës. Humbje e qëllimshme e gjithçkaje që akumulon njeriu në jetë konsiderohet përdorimi i vetëm edhe një herë i drogës. Ajo “prish ëndrrën” e ëndërrimtarëve nëpërmjet thirrjes së drejtpërdrejtë për përfundimin e historisë së secilit që gjen veten në vargjet e saj.

“Sa herë të kam thënë, zgjohu shpejt sa nuk është vonë. Nuk je këtu, të fton jashtë dritarja hapun. Nuk je në trup, ti fluturon në ëndërr, ti fluturon. Të kam humbë…”, janë vargjet që vijnë fuqishëm.

“Armadillo Blues Band” po akordohet për t’iu rikthyer publikut në shtator kur do të mbajë koncert. Muhamet Veseli-Muha, po punon në një solo-projekt.

“Është solo-projekt, në realizim më kanë ndihmuar disa shokë të mi, ka këngë në stilin blues, ka instrumental e vokal. Agroni është i angazhuar me detyra të tjera, kështu që më duhet ta bëj projektin solo”, ka treguar Muha për KOHËN.

“Armadillo Blues Band” u themelua si rock/blues grup më 1994 në Prishtinë nga Agron Bajrami. Anëtarë të bendit fillimisht ishin Muhamet Veseli në kitarë, Shkëlzen Vesli në bas kitarë, Fahri Ibrahimi në tupana dhe më vonë grupit iu bashkua edhe Asdren Rrahmani në piano.

Me “Të kam humbë”, grupi vjen një dekadë prej se u lansua bashkëpunimi me Bajram Bylykbashin – BB Poqi në vokal, me “Shti, më qëllo” në prill të 2012-ës. Me këtë këngë grupi mori pjesë në edicionin e nëntë të “Top Festit” atë vit. Këngë të tjera të grupit janë “Blues për ty”, “Një botë tjetër” e “The Blues Man”.

Kënga: