Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shtyhet Bienalja e Venecies

Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës në Venecie, është shtyrë për vitin 2021.

Ekspozita me titull “How Will We Live Together” (Si do të jetojmë së bashku?) e kuruar nga Hashim Sarkis, ishte planifikuar të mbahej në qytetin Italian nga 29 gushti deri më 29 nëntor të këtij viti.

Por sot, në ueb faqen zyrtare të Bienales, është bërë publik njoftimi që kjo ngjarje do të mbahet nga data 22 maj deri më 21 nëntor të vitit 2021.

Në këtë ngjarje Kosova do të përfaqësohet me veprën “Containporary” të kuruar nga arkitekti Maksut Vezgishi.

Edicioni i sivjetmë fillimisht ishte paraparë që të mbahej prej 23 majit deri më 29 nëntor, por u zhvendos për në gusht për shkak të virusit COVID-19. Rrjedhimisht, edhe Ekspozita e 59-të Ndërkombëtare e Artit, e kuruar nga Cecilia Alemani, që do të duhej mbajtur në vitin 2021, është shtyrë për vitin 2020.

“Ditët e fundit e kanë qartësuar gjendjen reale të situatës më të cilën po përballemi. Me respekt maksimal për punën që kemi bërë të gjithë ne, sikurse investimet e pjesëmarrësve dhe duke marrë parasysh vështirësitë që i kanë pasur të gjitha shtetet, institucionet, universitetet e studiot e arkitekturës, me paqartësitë rreth dërgesave, kufizimet e udhëtimit për individë dhe masat mbrojtëse kundër Covid 19, kemi venosur t’i dëgjojmë shumicën që kanë kërkuar shtyrjen e Bienales së Arkitekturës në Venecie”, ka thënë Presidenti i Bienales, Roberto Cicutto.