Një kontejner është bërë sebep që arkitekti Maksut Vezgishi t’i rreket hulumtimit për mjedisin e që preokupimet për këtë t’i paraqesë në projektin “Containporary”, me të cilin Pavijoni i Kosovës do të prezantohet në edicionin e 17-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. Përkundër situatës me pandeminë e koronavirusit që ka mbërthyer botën, puna vazhdon. Pse “Containporary”? Contain-er për përmbajtjen dhe Contemporary për bashkëkohoren”, ka thënë Vazgishi për KOHËN, teksa ka zbërthyer konceptin e veprës në të cilën shenja do të lërë edhe situata aktuale
Prej javës së parë të janarit, arkitekti Maksut Vezgishi, kurator i Pavijonit të Kosovës për edicionin e 17-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie, po qëndron në Kosovë. Kishte ardhur nga Brukseli dhe njëlloj si qytetarët e tjerë të vendit, tani është i detyruar që të mos lëvizë prej vendit e të respektojë masat e marra nga Qeveria e Kosovës për ndalimin e përhapjes së koronavirusit. Nga banesa e tij ai po kryen përgjegjësitë që i ka marrë për ta përfaqësuar Kosovën në ngjarjen me të madhe të arkitekturës në Venecie. Gjatë kësaj kohe është në komunikim të vazhdueshëm me pjesën tjetër të ekipit, përfshirë këtu komisaren e Pavijonit, Jehona Shyti, e emëruar po ashtu nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në janar të këtij viti. Projekti i tyre duhet të përthekohet brenda konceptit kuratorial “Si do të jetojmë së bashku?”, që ka zgjedhur presidenti i Bienales së Venecias, Pablo Baratta, së bashku me kuratorin e edicionit të 17-të të ekspozitës ndërkombëtare të arkitekturës Hashim Sarkis.
Një përgjigje kësaj teme do të mundohet t’ia japë edhe arkitekti nga Prizreni, Maksut Vezgishi. Për KOHËN ka zbuluar se projekti me të cilin do të përfaqësohet Republika e Kosovës në këtë ngjarje do të titullohet “Containporary”, dhe se mjedisi do të jetë tema që ai do të mundohet ta zbërthejë. Vezgishi ka treguar se ideja për këtë projekt i kishte ardhur nga një kontejner. Edicioni i sivjetshëm ishte paraparë që të mbahej prej 23 majit deri më 29 nëntor. Mirëpo, për shkak të virusit COVID-19, Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës është zhvendosur më 29 gusht deri më 29 nëntor. Hapja për media do të bëhet më 27 dhe 28 gusht. Është hera e katërt që Kosova përfaqësohet në këtë ngjarje.
Hashim Sarkis me titullin e ekspozitës “Si do të jetojmë së bashku?” (How will we live together?) u ka bërë thirrje arkitektëve që të imagjinojnë hapësira për të jetuar së bashku.
Arkitekti Maksut Vezgishi ka thënë se me të dëgjuar temën ai ishte i sigurt për drejtimin që do t’ia jepte Pavijonit të Kosovës. “Veten e pashë në detyrim se qasja duhet të jetë domosdo mjedisi”, ka thënë ai, duke shtuar se gjithmonë i ka interesuar “urbania e thellë”. Për ilustrim merr qytetin e Berlinit.
“I takoj gjeneratës së parë të arkitektëve të Kosovës. Është nder për mua po edhe për të gjithë ne që ishim ‘fillimi shqip i arkitekturës’ në Kosovë. Projektin ‘Containporary’ e ndaj veçanërisht me ta. Unë e kam një eksperiencë të marrë nga kjo shkollë, tutje kam studiuar vetë. Jam marrë njëkohësisht me disiplina të tjera të artit që nuk e përjashtojnë arkitekturën, por e përfshijnë në përditshmëri”, ka thënë Vezgishi, i cili ka treguar se pastaj kishte nisur hulumtimin për temën që kishte zgjedhur.

“Arti aktual, arti sot, është baza në të cilën unë shprehem, duke e mbajtur gjithmonë frymën e konstruktivizmit, eksperimentit, modernizmit si tendencë e kamotshme në mua. Zakonisht punoj në idenë e parë”, ka thënë ai. Thotë të ketë vepruar njëlloj edhe në këtë projekt. E gjitha e ka zanafillën nga një kontejner që ai e kishte parë e që ia kishte tërhequr vëmendjen.
“Kontejneri që e kam parë një ditë para një institucioni në qytetin e Prishtinës ishte pikënisje. Përpara e kisha objektin e përditshëm që e kërkoja për ta shprehur kohën sot: Këtu apo atje diku...”, ka thënë ai. Atë që e quan “Kontejneri komunal”, sipas tij, ka një formë të përkryer gjeometrike.
“Shërben për largimin e ‘përmbajtjeve’ të ndryshme...Përmbajtja jemi vetë ne, atë që e kemi e hedhim, atë që e hedhim na përshkruan. Në Arsenale do të kemi mundësi ta formësojmë në tërësi si instalacionin...Pse “Containporary”? Contain-er për përmbajtjen dhe Contemporary për bashkëkohoren”, ka thënë ai.
Kuratori Vezgishi ka përfunduar studimet për arkitekturë në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar si asistent në këtë fakultet prej vitit 1993-1996. Ka punuar si redaktor artistik në shumë revista e gazeta si “Zëri”, “MM”, “Thema”, “Sheshi” dhe në shtëpinë botuese “Dukagjini”, në galerinë “Dodona” dhe në Fondacionin për Shoqëri të Hapur (KFOS). Ai gjithashtu në fushën e skenografisë ka bashkëpunuar me teatro të shumta, në Prizren, Prishtinë, Sisak, Lubjanë, Shkup, Bruksel dhe Elbasan. Sipas tij, objekti që ka përzgjedhur dhe mënyra sesi do ta instalojë do kenë lidhje të pashmangshme edhe me situatën e krijuar nga koronavirusi.
“Periudha pas koronavirusit do të jetë përgjigjja jonë ndaj natyrës. Ose të jetë përshtatje ndaj globalizmit, ose do të përzgjedhim rirendimin me natyrën. Kjo nënkupton që t’iu ikim panaireve vetëshkëlqyese, festivaleve për filtrim dhe kulturës me frymë të kontaminuar”, ka thënë ai. Ka shtuar se ai shpreson që ngjarja të mbahet në gusht, pasi që, sipas tij, mund të shtyhet edhe më.
Interesimi i Vezgishit për arkitekturë dhe arte vizuale është “eksperimenti/modernizmi” duke kërkuar të kthejë vëmendjen te arti aktual shqiptar. Ai ka realizuar një mori ekspozitash duke filluar nga viti 1982 deri në ditët e sotme, duke numëruar afro 40 sosh. Po ashtu, ka fituar shumë çmime, e ka qenë finalist në shumë ekspozita ku mund të veçohet çmimi “Aleksandër Moisiut” në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Vlorë.
Në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venecia më 2018, kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artistja Eliza Hoxha me temën “Qyteti është gjithandej”. Qe hulumtim në sistemimin arsimor paralel të viteve ’90 që u kapërthye si një lloj rezistence e shqiptarëve përballë regjimit serb.
Më 2016, sherri i Ministrisë së Kulturës, Kosova s’u përfaqësua. Debutimin e vendit në këtë ngjarje e bëri arkitekti Përparim Rama më 2012 me veprën “Punuesi i filigranit”. Për komisar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi...” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi e kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Vënia në dukje e ndryshimeve që ka pësuar ky vend gjatë një shekulli ka qenë ajo që ishte prezantuar në konceptin kuratorial.