Kulturë

Shtëpia e kulturës: 12 vjet e papërfunduar, mbi një milion euro e aktakuzë

Ka 12 vjet prejse ka nisur ndërtimi i shtëpisë së kulturës në Zhur të Prizrenit, përderisa për këtë projekt janë shpenzuar rreth një milion euro e po zhvillohen procese gjyqësore, pasi ndaj pesë të pandehurve për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” qe ngritur aktakuzë. Ansambli artistik i Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” në Zhur sivjet shënon 75-vjetorin e veprimtarisë. Por, drejtuesit e këtij ansambli ankohen se nuk kanë kushte për punë

Shtëpia e Kulturës në Zhur mbetet jofunksionale mbi 12 vjet pas fillimit të ndërtimit si dhe shpenzimit të rreth një milion eurove nga fondet publike. Zvarritja e këtij projekti ka zhgënjyer përfaqësuesit e fshatit, që kanë kërkuar veprime nga organet komunale të Prizrenit për funksionalizimin e kësaj ndërtese.

Ndërkaq sipas drejtuesit të ansamblit artistik të këngëve dhe valleve, “Emin Duraku”, Hajdar Elezkurtaj, ngecja me vite e këtij projekti ka dëmtuar artistët, meqë ata nuk kanë kushte për punë.

“Unë do të bëja një kërkesë, një apel te Drejtoria e Kulturës që këtë vit, pasi jemi në 75-vjetorin e veprimtarisë së Ansamblit të na mundësohet ose ta shpejtojnë procedurën përmes organeve kompetente që e kanë nën hetim, derisa veç i kanë kryer ma merr mendja të gjitha gjërat, ta marrin një vendim që të përfundojnë punimet, sepse sado më gjatë që të lihet, aq më shumë do të dëmtohet”, ka thënë Elezkurtaj.

Përgjatë viteve edhe në brendi të objektit kanë ndodhur demolime. Gjendja aktuale e kësaj ndërtese ka shqetësuar edhe drejtorin e Kulturës, Adem Morina, i cili ka theksuar se ka interpretime të ndryshme sa i përket mundësisë së intervenimit për funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur.

po kërkoj në mënyrë të hapur publike nga gjykata të na japë veridiktin se a duhet vazhduar punimet në pjesën e mbetur apo duhet të ndërpriten deri në vendimin final se si do të vendosë gjykata. Në këtë rast, në këtë vit nuk është paraparë asnjë mjet i ndarë, asnjë cent për Shtëpinë e kulturës në Zhur, ku unë do të merrem intensivisht ta shoh ku është arsyeja. Por po e presim verdiktin e Gjykatës”, ka thënë Morina.

{gallery}

Përgjatë viteve, edhe në brendi të objektit kanë ndodhur demolime


Në anën tjetër, zyrtari për informim në Gjykatën Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj ka bërë të ditur se lidhur me projektin e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, në prill të vitit 2019 kjo gjykatë ka pranuar aktakuzën ndaj pesë të pandehurve për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas tij, seanca e parë është mbajtur në qershor të vitit 2019, derisa në korrik të vitit të shkuar është pushuar procedura penale ndaj një të pandehuri R.M., për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

“Rasti është në gjykim, janë mbajtur disa seanca gjyqësore, trupi gjykues në shtator të vitit 2021, bashkë me të gjitha palët kanë dalë edhe në vendin e ngjarjes, tashmë pritet të administrohen provat materiale, të dëgjohen dëshmitarët (ekspertiza financiare dhe e ndërtimtarisë) dhe të akuzuarit të japin mbrojtjen e tyre, e krejt në fund, të jepet fjala përfundimtare, 3 ditë pas së cilës mund të shpallet vendimi”, ka thënë Lekaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, zyrtarët akuzohen se nga tetori i vitit 2009 në vazhdimësi deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në atë mënyrë që gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur”, kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për operatorin ekonomik, përkundër asaj se punimet në pozicionet e caktuara nuk janë kryer, dhe atë në vlerë totale prej mbi 962 mijë eurosh.