Prishtinë, 4 shkurt – Muret e jashtme kanë pësuar plasaritje. Në disa raste janë zhveshur nga llaçi. Duket si një shtëpi e rrjepur, apo e sapodalë nga lufta. Realisht, është një prej shtëpive simbol të Prishtinës. Prej atyre që konsiderohen shtëpi të vjetra qytetare. Shtëpia e Hynilerëve gjenden në lagjen “Dodona”, në atë që njihet si Prishtina e Vjetër. Është monument 200 vjet i vjetër.
Njëra nga pronarët, Fatmire Hyniler, planifikon që brenda pak ditësh të bëjë një kërkesë për ndërhyrje në monument. Do ta dorëzojë në Ministrinë e Kulturës. Shtëpia mbrohet me ligj si aset i trashëgimisë kulturore qysh prej vitit 1967. Por historia e bashkëpunimit të pronarëve me institucionet nuk është fort e mirë.
Për herë të fundit më 2015, Ministria e Kulturës kishte planifikuar 100 mijë euro për restaurimin e shtëpisë. Pronarët nuk kishin pranuar. Ka vite që shtëpinë e kanë në shitje me arsyetimin se janë katër pronarë dhe duhet të bëjnë zgjidhje për të jetuar, pasi objekti aktual është i vogël për të gjitha familjet. Por tash kanë ndërruar hesapet. Njëra nga pronaret, Fatmire Hyniler, duket e vendosur në kërkesën për ndërhyrje në shtëpi. Ka thënë se brenda kësaj jave do ta bëjë atë zyrtarisht në Ministrinë e Kulturës.
“Rrjedh shumë ujë. Është shumë e frikshme të jetohet këtu. E kisha shitur për 400 mijë euro. Nuk po dimë as vetë çfarë të bëjmë. Jam duke pritur që të rregullohet koha. Le të vijnë e le të na e rregullojnë e le të jetojmë si duhet”, ka thënë ajo. Hyniler ka thënë se zgjidhja e çështjes së vendbanimit ka bërë që ta nxjerrë shtëpinë në shitje.
“E di që është gjynah me e shit se është prej shtëpive më të bukura të Prishtinës. Me e rregullu nuk e kisha lëshu kurrë”, ka thënë ajo. Sipas saj, shteti është dashur ta zgjidhte këtë çështje para shumë kohe.
Edhe
Shtëpia e Hynilerëve, në pritje të projektit gjashtë muaj pas zjarrit
“Do ta bëj një kërkesë urgjente. Ka rrezik të rrënohet oxhaku. Shtëpia është gati 200-vjeçare”, ka thënë ajo/ Shaban Maxharraj.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")