E zorshme është të jetohet në Shtëpinë e Hynilerëve kulmi i së cilës s’e duron as shiun më të lehtë. Këtë mund ta konstatojë secili që gjendet brenda monumentit dyshekullor në mot me shi. Përfshirja nga flakët e oxhakut në prill të këtij viti, e demolimi i një pjese të tij, e ka rënduar gjendjen e objektit. Institucionet nuk ia kanë dalë ende që të finalizojmë punën në bazë të projektimit financiar që kanë bërë në raport me këtë monument në lagjen “Dodona” të Prishtinës.
Për shtëpinë e vjetër qytetare, ishin ndarë 50 mijë euro për këtë vit. Por gjatë rishikimit të buxhetit në gusht të këtij viti, shuma është tkurrur në 20 mijë. Sipas Ligjit që ka zëvendësuar atë të fillimvitit për ndarjet buxhetore, për vitin që vjen janë projektuar 30 mijë euro për konservimin dhe restaurimin e tërësishëm të shtëpisë. E për vitin 2022 janë paraparë 20 mijë euro.
Por deri më tash, nuk është bërë ndonjë hap konkret. Përderisa Ministria e Kulturës paralajmëron se së shpejti do të nisin procedurat për konservim e restaurim të tërësishëm, pronarët e kanë hall kulmin përmes të cilit rrjedh uji në disa vende.
Në pranverën e sivjetshme banorët për pak s’e kanë pësuar. Oxhaku kishte marrë flakë në ditën e 2-të të prillit. Më pas, institucionet e trashëgimisë kulturore ishin detyruar që të ndërhyjnë në këtë monument. Ishte konstatuar se përfshirja në flakë e oxhakut ka rrezikuar pjesët e tjera të shtëpisë. Ishte bërë demolimi i pjesës së oxhakut mbi kulm. Intervenimi i zjarrfikësve kishte ulur rrezikun e zjarrit që ishte shkaktuar nga ndezja e shporetit të druve.
“Si masë e parë emergjente është paraparë demolimi i oxhakut deri në sipërfaqen e kulmit për të parandaluar rënien e tij mbi tjegulla. Njëkohësisht, rekomandohet që trupi i oxhakut i cili do të demolohet, të rindërtohet me material dhe dimension të njëjtë. Dëme të tjera fatmirësisht nuk janë regjistruar”, shkruhej në raportin e përgatitur nga arkitektja Ardiana Qorraj e restauruesi dhe konservuesi, Besfort Axhanela.