Pa u bërë pesë ditë prejse Qendra Historike e Prishtinës u fut nën mbrojtje të shtetit, një objekt i moçëm brenda kësaj zone ka nisur të rrënohet. Bëhet fjalë për shtëpinë e ndërtuar para gati një shekulli në rrugën “Ismajl Dumoshi”, në Prishtinë, raporton KOHA.
Rrënimi i këtij objekti me ekskavator është ndërprerë të enjten nga inspektorët e Komunës së Prishtinës, pasi që pronari nuk posedon leje.
“Rrënimi është ndërprerë për shkak se pala s’ka paraqitur leje të rrënimit, si dhe është rrethuar me shirit hapësira. Bazuar në informatat që kemi marrë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, objekti nuk është në listën e objekteve të mbrojtura. Si rrjedhojë, inspektori vazhdon me procedura si për çdo objekt tjetër”, ka thënë drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri.
Por ani pse nuk mbrohet si monument, shtëpia gjendet brenda zonës së mbrojtur. Për çdo veprimtari brenda zonës zë mbrojtur, duhet leje nga organet e trashëgimisë kulturore.
Gashi-Durguti, drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, ka sqaruar se shtëpia nuk mbrohej si monument i veçantë, por gjendet brenda zonës së Qendrës Historike të Prishtinës.
“Ndërtesa së cilës i referoheni nuk është pjesë e Regjistrit të Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme në kategorinë e trashëgimisë arkitekturor si e veçantë. E njëjta gjendet brenda zonës mbrojtëse – buferit të Qendrës Historike të Prishtinës të propozuar nga QRTK-ja. Administrimi i zonës dhe regjimit mbrojtës të saj duhet bërë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet e nivelit qendror dhe lokal”, thotë Edona Gashi-Durguti, drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prishtinës.
E këtë s’e kanë përfillur pronarët.
Hamdi Gashi, vëllai i pronarit të shtëpisë, thotë se tash e dy vjet kanë bërë kërkesa të shumta në adresë të Komunës për ta rrënuar objektin.
Disa nga qytetarët e lagjes muaj më parë kanë nënshkruar një peticion për ta rrënuar këtë shtëpi që, sipas tyre, paraqet rrezik për këmbësorët dhe qarkullimin e veturave.
Rinovimi, rrënimi dhe dëmtimi i aseteve që mbrohen si monumente apo që janë brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore jo rrallë kanë nxitur përplasje në mes të pronarëve dhe institucioneve përgjegjëse.