Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, ka thënë se strukturat e PDK-së në këtë qytet janë të orientuar për ta mbështetur kandidaturën e tij, porse po ka trysni nga niveli qendror i PDK-së që të mos ketë koalicion zyrtar.
“Ne jemi dakorduar në parim, kemi shprehur gatishmërinë tonë me pasur bashkëqeverisje. Ndonëse janë edhe ata dakord e janë kundër kandidaturës tjetër, pasi ishin 4 vjetët e shkuar në bashkëqeverisje dhe kishte pasur shkelje të marrëveshjes, s’ka pasur gatishmëri me gjasë nga trysnia prej nivelit qendror, që të ketë koalicion zyrtar me ne”, ka thënë Ademi në “Zgjedhjet në KOHË”.
Ai ka shprehur bindjen se do të triumfojë në 9 nëntor në balotazhin kundër Sokol Halitit të LDK-së, që është kryetar aktual i Vitisë.
Në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, Sokol Haliti ishte i pari me 38.01 për qind. Arsim Ademi i dyti me 33.46 për qind e Bekim Azizi i PDK-së i treti me 25.64 për qind
“Jemi të sigurt se përmbysja do të ndodhë”, tha Ademi.
Ademi shpalos planin për zhvillimin ekonomik të Vitisë
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, ka shpalosur planin e tij për zhvillimin ekonomik të kësaj komune.
Ai në “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se duhet orientimi të jetë në sektorin e bujqësisë, ndërsa ka thënë se po ashtu do të mbështeten startupat që nxisin punësimin e grave dhe të rinjve.
Ai ka thënë se ka pasur mbështetje nga niveli qendror për sektorin e bujqësisë, por thotë se ka zvogëlim të njerëzve të merren me këtë sektor dhe duhet provuar të stimulohen njerëzit që merren me këtë sektor për ta mbajtur gjallë.
“Kemi orientim qysh dhe nga duhet me orientuar Vitinë. Bujqësia duhet të jetë fokusi...Vitisë po i mungon orientimi i duhur i njerëzve në fusha të caktuara...Orientimi kryesor duhet të jetë perimekultura. Një prej problemeve është pikërisht mungesa e kompanive apo fabrikave që bëjnë përpunimin e produkteve. Ata ose duhet të shesin në çmim shumë të lirë në kohën kur është mbledhja e tyre ose do të duhet t’i hedhin perimet. E zgjedhin të parën”, ka thënë Ademi.