Kulturë

Shqipëria ia kthen shkëlqimin manastirit bizantin

Tiranë, 8 tetor – Manastiri i Shën Kollit në Mesopotam në jug të Shqipërisë konsiderohet monument me historik dhe arkitekturë të veçantë, mbivendosje kulturash, arkitekturash dhe historish.

Kisha, më e madhja ndër kishat bizantine të ruajtura në Shqipëri në shekullin XI-XIV dhe ndër monumentet arkitekturore me të vjetra, është restauruar duke nxjerrë në pah vlera të jashtëzakonshme historike.

“Falë një ndërhyrjeje restauruese kanë dalë në dritë të gjitha elementet arkitektonike, detajet e imëta, që ia shtojnë edhe më tepër misterin. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për përforcimin e strukturës, riparimin e çatisë, ndërsa ka ende punë për t’u bërë për sistemimin e oborrit dhe zbulimin afreskeve, që koha dhe regjimet i kanë fshehur”, citohet të ketë thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, pas vizitës në këtë monument. Kisha e Shën Kollit në Qarkun e Delvinës, 16 kilometra në verilindje të Sarandës, ka ekzistuar në fillim si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha. Mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin, Kostandin IX Monomaku.