Lidhur me ndërtimin e monumentit gjatë periudhës së Antikitetit të Vonë, nuk kemi dëshmi të shkruara se kush e ndërtoi dhe kohën e saktë të ndërtimit dhe gjendjen para shekullit XIV, por për ekzistencën e një ndërtimi të monumentit religjioz flasin gjurmët arkeologjike (gjurmët nëntokë të mureve, tullave, tjegullave, qeramikës etj.), që gjenden në lokalitet ku edhe sot gjendet monumenti. Në anën tjetër, për rindërtim kemi të dhëna edhe të shkruara që tregojnë se ai ishte Stefani III Deçani, sundimtar i kësaj treve të Dardanisë mesjetare, djali i sundimtarit Millutin (Uroshi II i familjes Nemanja) që pushtoi Dardaninë (Territorin e sotëm të Republikës së Kosovës) në fundin e shekullit XII
Manastiri i Deçanit është njëri ndër monumentet kulturore religjioze mesjetare që sot prezanton vlerë unike të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës. Ndërtesa e Manastirit që sot e kemi, mund të themi se është një ndër veprat monumentale mesjetare që karakterizohet me ndërtimin arkitekturor të stilit romanik, gotik dhe bizantin dhe që veçohet me pasurinë e elementeve me vlera muzeale si thesar muzeal.
Manastiri gjendet në luginën e lumit Lumbardh në Komunën e Deçanit, në pjesën perëndimore të shtetit, në Rrafshin e Dukagjinit. Duke u bazuar në vlerat historike, artistike e të tjera, Manastiri është shpallur monument kulturor në Listën e monumenteve nën mbrojtje të përhershme të shtetit tonë dhe është në Listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s.

Epoka e ngritjes dhe ndërtimit të Qyteteve – Kështjellave
Punimi lidhur me Manastirin e Deçanit do të bazohet drejtpërsëdrejti me të dhënat e studiuesve që paraqesin argumentet shkencore e historike për periudhën e Antikitetit të Vonë e Mesjetës që merren me historinë e religjionit dhe monumenteve religjioze për vendin tonë. Në këtë drejtim do të bazohemi vetëm në të dhënat e historiografisë serbe që do të dëshmojnë se, në Dardaninë Antike e Mesjetare – në territorin e sotëm të Republikës së Kosovës, përveç zhvillimit të jetës religjioze – besimit të krishterë nga populli dardan (shqiptar), vendi karakterizohet dhe për nga zhvillimi, ndërtimi i shumë monumente religjioze – si kisha e manastire që datojnë nga periudha e Antikitetit të Vonë – Krishterimit të Hershëm (shek. IV-VI të erës sonë) duke vazhduar edhe gjatë gjithë Mesjetës e në vijim deri më sot. Bazuar në të dhëna, argumente shkencore nga historiografia, Manastiri është ndërtuar në periudhën e Antikitetit të Vonë (shek. IV-VI të erës sonë) që e dëshmojnë gjurmët arkeologjike ku gjendet lokaliteti dhe ku është rindërtuar në gjysmën e parë të shek. XIV (Bazuar në mbishkrimin që gjendet në narteksin e Kishës gjatë viteve 1327-1355). Lidhur me ndërtimin e monumentit gjatë periudhës së Antikitetit të Vonë, nuk kemi dëshmi të shkruara se kush e ndërtoi dhe kohën e saktë të ndërtimit dhe gjendjen para shekullit XIV, por për ekzistencën e një ndërtimi të monumentit religjioz flasin gjurmët arkeologjike (gjurmët nëntokë të mureve, tullave, tjegullave, qeramikës etj.), që gjenden në lokalitet ku edhe sot gjendet monumenti.
Në anën tjetër, për rindërtim kemi të dhëna edhe të shkruara që tregojnë se ai ishte Stefani III Deçani, sundimtar i kësaj treve të Dardanisë mesjetare, djali i sundimtarit Millutin (Uroshi II i familjes Nemanja) që pushtoi Dardaninë (Territorin e sotëm të Republikës së Kosovës) në fundin e shekullit XIII. (1)
Thuhet nga autorë që koha e sundimit të Perandorit Justiniani I, gjatë viteve 527-565 (Perandor me origjinë dardane dhe i lindur në Dardani, E. R.) ishte epoka e ngritjes dhe ndërtimit të Qyteteve – Kështjellave ku mund të kuptohet dhe ngritja e objekteve fetare krishtere, e kjo epokë lidhet drejtpërsëdrejti me territorin e Dardanisë (Kosovës, E. R.). (2)
Nga autorët e historiografisë serbe gjendja e krishterimit për vendin tonë, me pak të dhëna, fillon të përshkruhet që nga shekulli XI. Sipas tyre, diferenca mes rregullave shërbyese në mes të kishës së Perëndimit (Romës) dhe Lindjes (Bizantit), që ndarja kishte ndodhur në shekullin XI (vitin 1054), ende nuk qe e madhe sesa në disa shekuj më pas. Edhe një shekull më vonë pas ndarjes, ishte i mundshëm oscilimi i disa kishave “nacionale” në mes të Romës dhe Kostandinopolit (Bizantit, E. R.). (3)
Ndërtimet si kontinuitet i atyre bizantine
Por që nga fillimi i sundimit të Nemanjëve në atë trevë (përfshin territoret e Kosovës E.R.) dhe përreth dhe pas tyre, përmendën disa manastire, të cilët nuk u ndërtuan atëherë, por që janë shumë më të vjetër. Në territoret e sotme të ’’Serbisë Jugore’’ (Përfshirë edhe territoret e sotme të Kosovës e Maqedonisë, E. R.), sipas të dhënave historike, në kohën bizantine atje kishte numër shumë të madh të kishave dhe manastireve. Shumica e ndërtimeve të rëndësishme nuk janë ruajtur duke u shuar pjesërisht nga luftërat e ndryshme derisa një pjesë më vonë rindërtohen dhe rimurosen [...]. (4)
Për monumentet religjioze mesjetare në Kosovë (flitet për shek. XIV, E. R.) theksohet se, ndërtimet janë vazhdim i vlefshëm apo kontinuitet i ndërtimeve bizantine: qytetet si Prizreni, Zveçani, Mitrovica, Prishtina, Novobërda, Janjeva etj., dhe objekteve fetare të cilat ndërtohen në themelet e tyre [...]. Në trevën e Ballkanit, asokohe kishte ndërtime shumë më të mëdha se ato që sllavët i ndërtuan, po ashtu dhe teknika e ndërtimit/murimit të tyre ishte larg më e avancuar [...]. (5)
Shumica e ndërtimeve të kishave në Rashkë (Përfshirë edhe territorin e sotëm të Kosovës) janë ndërtime në stilin bizantin, por me elemente romane dhe gotike në dritare dhe dyer. E njëjta vlen dhe për Deçanin (Manastirin E.R.), një ndërtim madhështor [...] ku skulpturat, zogjtë, dredhat e hardhive etj., janë perëndimore. (6) Arkitektura e ndërtimeve të mëdha si Manastiret: Arkangjeli, Deçani, Bajska, Graçanica dëshmojnë që “shteti” Nemanjit ishte i vetëdijshëm që gjendej në mes të kulturës Perëndimore dhe Lindore. Bazat e ndërtimit të tyre lidhen me arkitekturë bizantine, derisa dekori i jashtëm, në shumicën e rasteve, paraqet romanikën si dhe gotiken. Manastiri i Deçanit (1327-1355) është ndër ndërtimet më të mëdha të ‘’shtetit mesjetar Nemanjit’’ ku bazat e Kishës janë bizantine, e dekori i jashtëm është romanik, pjesërisht dhe gotik. (7)
Mbreti Stefani III, i quajtur Deçani (1321-1331), ngriti me sa dihet, vetëm një manastir – Pandokratori ose Deçani (Tempulli i ‘’Zotit të Madh’’) te fshati Deçan, në jug të Pejës. Manastiri u ngrit në vitin 1335 dhe stili i ndërtimit është romanik. (8)
Bie në sy se, nën Nemanjët kishat e vjetra në “Metohi” rindërtohen [...]. Kështu në “Metohi” rindërtohen Levisha (në Prizren, E. R.), në Deçan pranë kishës (Sveta Tri Jerarha) ndërtohet Manastiri shumë i mirë (në kishë të vjetër? ), në Studenicë të Hvosnës ndërtohet episkopata tek objekti i vjetër [...]. Në Kosovë, Nemanjët nga themelet rindërtojnë kishën e Graçanicës në vendin e bazilikës së shekulli XI. Duket se një rast i njëjtë ka të bëjë dhe me Banjskën. Objekti i sotëm në Lipjan është më i vogël se i bazilikës së vjetër. (9)
Kisha e Deçanit (Cveta Tri Jerarha), Kisha e Levishës në Prizren si dhe Bazilika në Soçanicë mund të lidhen me kohën e pushtetit bullgar të shekullit IX-X. (10)
Arkitektura e ndërtimeve të mëdha si Manastiret: Arkangjeli, Deçani, Bajska, Graçanica dëshmojnë një që “shteti” Nemanjit ishte i vetëdijshëm që gjendej në mes kulturës Perëndimore dhe Lindore. Bazat e ndërtimit të tyre lidhen me arkitekturë bizantine, derisa dekori i jashtëm në shumicën e rasteve, paraqet romanikën dhe gotiken. Manastiri i Deçanit është ndër ndërtimet më të mëdha ku bazat e kishës janë bizantine a dekori i jashtëm është romanik, pjesërisht dhe gotik. (11)

“...e ndërtoi arkitekti arbëror at Vita Kuçi-Cuci”
Për nga stili, plastika e kishës së Deçanit është romake. Deçani u ndërtua nga viti 1327 deri 1335 nga ana e Stefanit III – Deçani. Në pikëpamje arkitektonike Manastiri është kombinim i formës së Bazilikës Perëndimore disa pjesësh dhe godinës orientale (lindore) një pjesësh me kube. (12) Manastiri i Deçanit paraqet sot burimin kryesor të të dhënave të ikonografisë bizantine – janë ruajtur më se 1000 figura të pikturave të freskave. (13)
Ndikimet e stilit të ndërtimit perëndimor, shihen më së miri në Kishën e Manastirit të Deçanit, e rindërtuar apo ndërtuar gjatë sundimit të Stefan Deçanit. Sipas të dhënave, Manastirin e Deçanit e ndërtoi arkitekti shqiptar (arbëror, E.R,) at Vita Kuçi-Cuci...(14)
Një autor duke studiuar monumentet e trashëgimisë kulturore të vendit tonë shprehet se, gjatë definimit të “territoreve historike serbe” (Përfshirë edhe territorin e Kosovës, E.R.) në “bazë të ndërtimeve shtetërore mesjetare” ka qenë para një dileme të veçantë. Duhet pasur parasysh se “shteti mesjetar Nemanjit” nuk ishte “shtet” i një populli: “ai është shtet i përbashkët i serbëve, pastaj i shqiptarëve dhe i grekëve, por edhe i ardhësve sasë (saksonë, popullatë gjermane që kanë qenë punëtorë të specializuar të minierave gjatë mesjetës, E. R.), dubrovnikas, kotoras, pra i të gjithëve që jetuan në të”. Nga kjo del edhe hamendja: “deri në cilën masë mundën ndërtimet e atëhershme të sundimtarëve t’i paraqesim monumente të së kaluarës të vetëm një populli. Duke shtuar dhe atë që e dimë se, gjithë këta popuj janë pjesëmarrës në mirëmbajtjen e tyre dhe se ato u shërbejnë të gjithëve”. (15)
Autori rus A. Gilferding, gjatë vizitës në kishën e Deçanit në Kosovë (fundshekulli XIX) shprehet: “sikur arbanasët (shqiptarët, E. R.) të ishin fanatikë, moti ky monument i shkëlqyer i ‘mbretit’ [...] kishte me qenë xhami, si Kisha në Prizren [...].” (16)
Për fund, mund të vlerësojmë bazuar në burime relevante historike se kishat dhe manastiret e ndërtuara në territorin e sotëm të Republikës së Kosovës ndër shekuj e edhe Manastiri i Deçanit, janë ndërtime që u takojnë shekujve të Antikitetit të Vonë (IV-VI të erës sonë), Mesjetës e deri më sot, dhe këto i takojnë shtetit dhe popujve që jetojnë në Kosovë.
(1) Enver Rexha, “Historiografia serbe për Kosovën” (XIII-XIX), Prishtinë, 2009.
(2) R. Ljubinkoviq, D. Gjokiq, S. Vuçenoviq, A. Tomasheviq, “Istraživački i konzervatovski radovi na crkvu Vavadenja u Lipljanu”, Zbornik zaštite spomenika kulture 10, Beograd, 1959, f. 94-96.
(3) V. Markoviq, Pravoslavno monaštvo i manastiri u srednjovekovnjoj Srbiji, Sremski Karlovac, 1920, f. 46-48.
(4) Spomenica dvadesetpetgodišnjice oslobođenja Južne Srbije 1912-1937, ur. A. Jovanoviq, Skoplje, 1937, f.367.
(5) “Istorija Srpskog Naroda I”, Beograd, 1994, f. 241.
(6) M. Milovanoviq, “Godišnjak 23”,1909.
(7) Branislav Krstiq, “Između istorijskog i etničkog prava”, Beograd, 1994, f.139.
(8) V. Markoviq, “Pravoslavno monaštvo i manastiri u srednjovekovnoj Srbiji”, Sremski Karlovac, 1920, f. 99.
(9) Gj. Jankoviq, “Arheološka Svedočanstva o poreklu Albanaca i potomcima Ilira”, Naučni Skup ‘’Metodološki problem istraživanja porekla Albanaca”, Srpska Akademija Nauka i Umetnosti, Beograd, 21 juna 2007. Botuar në “Albanci lažni Iliri’’, PešiĆ i sinovi, Beograd, 2007.
(10) Gj. Jankoviq, “O Crkvi Rake doba pre Nemanje, Glasnik SAD, 20/2004, f. 220-225.
(11) Branislav Krstiq, “Između istorijskog i etničkog prava”, Beograd, 1994, f.70 dhe 135
(12) “Kosovo nekad i danas”, Beograd, 1973, f. 422.
(13) “Spomeničko Nasleđe Srbije”, Beograd, 1998, f. 178.
(14) Enver Rexha, “Historiografia serbe për Kosovën” (XIII-XIX), Prishtinë, 2009, f. 179.
(15) Branislav Krstiq, “Između istorijskog i etničkog prava”, Beograd, 1994, f.54-55.
(16) V.R. Petkoviq, “Pregled Crkvenih Spomenika...”, Beograd, 1950, f.264.