Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shitja e CD-ve për herë të parë shënon rritje në 17 vjet

Streamingu i muzikës sot është dega me fitimprurëse e industrisë së muzikës, por CD-të e vjetra të mira audio nuk janë ende për pension. Sipas raportit vjetor të Recording Industry Association of America – RIAA (Shoqata e Industrisë së Incizimit e Amerikës), xhiroja nga shitja e CD-ve në SHBA u rrit me 21 për qind në vitin 2021 dhe arriti vlerën e 584 milionë dollarëve. Kjo është hera e parë që ky treg po rritet që nga viti 2004. Besohet se kjo mund të ketë ngjarë edhe në vitin 2020, nëse nuk do të kishte pasur një mbyllje masive (të përkohshme) të dyqaneve për shkak të pandemisë COVID-19.

Tregu i LP-ve po ashtu është në rritje të vazhdueshme tash e 15 vjet me radhë. Megjithatë, gjatë vitit 2021 rritja ishte e madhe, bile deri në 61 për qind dhe u arrit vlera e tregut prej një miliard dollarësh.

Kjo është hera e parë që arrihet kjo vlerë, që nga viti 1986. Nëse merren parasysh të gjitha formatet fizike të muzikës, vlera totale e tregut në SHBA gjatë vitit 2021 ishte 1.66 miliardë dollarë.

Është interesante se tregu i shkarkimit digjital të muzikës ishte i vetmi që shënoi rënie gjatë vitit të kaluar. Shitjet digjitale të muzikës u ulën me 12 për qind (në 587 milionë dollarë), që është vetëm 3 milionë dollarë nga vlera e shitjeve të publikimeve të CD-ve.

Ashtu siç ishte pritur, të ardhurat nga streamingu janë në rritje. Në total rritja vitin e kaluar ishte 23.8 për qind dhe tregu arriti një vlerë prej 12.4 miliardë dollarësh. Nga kjo, 9.5 miliardë dollarë shkojnë për abonime, që është një rritje prej 23 për qind krahasuar me vitin 2020. Kjo e bën këtë pjesën më fitimprurëse në industrinë e muzikë, duke sjellë rreth 83 për qind të të ardhurave totale.

Folegjenda: Sipas raportit vjetor të Recording Industry Association of America, xhiroja nga shitja e CD-ve në SHBA u rrit me 21 për qind në vitin 2021 dhe arriti vlerën e 584 milionë dollarëve. Kjo është hera e parë që ky treg po rritet, që nga viti 2004

Artikuj të ngjashëm