Kulturë

Shfaqja e Kosovës për paradokset e Evropës do të jepet në Gjermani

Komedia që më shumë sesa për Kosovën flet për Evropën do të jepet këtë të mërkurë në qytetin gjerman Ludwigshafen. Përmes letërsisë, shkrimtari gjerman Karl Maj do të niste alter-egon e tij të fiksionalizuar, Kara Ben Nemsi, në një udhëtim mespërmes Lindjes. I “njëjti” personazh, tok me një grup aktorësh nga Kosova, do të arratiset nga Lindja për të shkuar drejt “tokave gjermane”.

Me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj, “Kthimi i Karl Majit” e përmbys “orientalizmin” duke e kahezuar në drejtim tjetër. Personazhi i Majit tok me një grup aktorësh nga Kosova i hyn një udhëtimi drejt Perëndimit për të vënë në pah qasjen e Evropës kundrejt Kosovës me superioritetin e vet të supozuar kulturor, politik e intelektual. Kjo është saga e komedisë “Kthimi i Karl Majit”, regjinë e së cilës e ka bërë Blerta Rrustemi-Neziraj.

Shfaqja, që është si një përpjekje për t’i ekzaminuar paradokset e një qytetërimi që akoma s’ka arritur të çlirohet nga stereotipat e racizmit ndaj Lindjes, do të shfaqet të mërkurën, më 29 shtator, nga ora 20:00, në teatrin “Pfalzbau”, në Ludwigshafen të Gjermanisë.

Ndërtesa përdoret kryesisht për teatër, koncerte, kongrese dhe panaire, si dhe ka kapacitet për 1 mijë e 171 vende. Ndërtesa origjinale u hap për publikun në vitin 1928, por u shkatërrua në një sulm me bombë në vitin 1944. Më pas, një sallë e mëparshme koncertesh u përdor për shfaqje teatrale derisa u përurua ndërtesa e re në vitin 1968, e cila qëndron edhe sot.

“Kthimi i Karl Majit” që përmbys qasjen e Perëndimit ndaj Ballkanit është realizuar nga qendra “Multimedia” e Prishtinës, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe teatri “Volksbuhne” i Berlinit. Premiera e kësaj shfaqjeje është dhënë vitin e kaluar në tetor, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

E frymëzuar përhumbshëm në librin e vitit 1892 të quajtur “Durch das Land der Skipetaren” (Mes tokave të shqiptarëve), pjesë e serisë gjashtëpjesëshe të Karl Mayit, shfaqja kthehet në një ballafaqim fytpërfyt me perceptimet raciste ndaj shqiptarëve. E gjithë shfaqja “Kthimi i Karl Majit” udhëtimin e vet e ndërton mes ironive, kontrasteve e habive qëllimisht naive të karaktereve.

Udhëheqësi i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj, ka thënë se shfaqja do të luhet në Gjermani, vendin ku ka më së shumti kuptim të luhet.

“Ajo vjet është dashur që të luhej në Berlin, megjithatë kjo nuk ishte e mundur. Gjithsesi jemi të lumtur që po luajmë në Ludwigshafen. Shpresoj që publiku do të vijë ta shohë shfaqjen në numër të madh, sado që rrethanat e pandemisë nuk është se janë shumë të favorshme”, ka thënë Neziraj, i cili njëherësh ka shkruar edhe tekstin e shfaqjes. Ka bërë të ditur se ky është fillimi i turneut ndërkombëtar.

“Kthimi i Karl Majit”, sipas përshkrimit të bërë për shfaqjen në qytetin gjerman, konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes.

“Në shfaqje Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova ua mësyjnë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nëntokës Nacional-socialiste (Nationalsozialistischer Untergrund) e personazhe të tjera”, është shkruar aty.

Janë pesë aktorë shqiptarë (Arta Muçaj, Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi dhe Shpëtim Selmani) që ndërmarrin udhëtimin së prapthi, drejt “tokave gjermane”. Pas Ludwigshafenit shfaqja do të luhet në nëntor në Vjenë për të rrugëtuar me pas në vende të tjera.