Prishtinë, 15 mars - Në teatrin ku është refuzuar të inskenohet, në një ngjarje që si rrallëherë i ka bërë tok artistët, është nxjerrë për herë të parë në publik drama e Veton Surroit, “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”.
Drama ka qenë në shitje për t’i ndihmuar regjisorit Bekim Lumi, krahas ankandit me vepra arti, kryesisht në pikturë, i organizuar të mërkurën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Rrallëherë organizohen ankande pikturash në Prishtinë, por sikurse për ato, TKK-ja kësaj radhe ka hapur dyert edhe për dramën
“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” së paku si vepër letrare. Kjo ndodh ende pa u bërë dy muaj, prejse Këshilli Drejtues i këtij institucioni vendosi që ajo të mos futej në radhë për inskenim. Edhe pse arsyetimi ka qenë për “çështje shijeje”, menaxhmenti i TKK-së bashkë me anëtarë të tjerë të komunitetit artistik kanë ardhur në përfundim se drama e Surroit është refuzuar me direktiva politike. Drama bazohet në romanin bestseller të Surroit,“Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”. Si roman qe promovuar në qershor të vitit 2016, dhe ishte vepra më e shitur e panairit të librit “Prishtina 2017”. Kjo vepër bëri që Panairi ta shpallë Surroin “Autor të vitit”.
Surroi të mërkurën ka thënë se brenda romanit ekziston një rrëfim që mund të jetë dramë e mund të jetë edhe skenar i filmit. “Kur fillova ta punoja e pashë që po rishkruaj diçka që nuk do të thotë se përfundon tek romani. Do të thotë nxora një vepër që ndonëse bazohet në roman, dallon prej tij. Është shkrim tjetër”, ka thënë ai. Sa i përket faktit që drama me katër akte për herë të parë ka dalë në publik në institucionin ku edhe u refuzua të inskenohet, Surroi ka thënë se bëhet fjalë për teatër në teatër (gjerësisht, sot në “Kohën Diotre”).
{gallery}