Imazhe të “zhdukjes” së Shatërvanit të Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë janë shfaqur pasditen e së premtes në rrjete sociale nga grupi “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë”. “Skandal: Rrënohet çezma e vjetër e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë”, shkruhet në mbishkrimin e fotove.
Por në fakt Shatërvani karakteristik është zhvendosur përkohësisht prej aty, përderisa Xhamia e Çarshisë i është nënshtruar restaurimit, i cili ka rinisur pas një procesi të zvarritur tash e më shumë se një dekadë.
KOHA të premten vonë ka kontaktuar autoritetet e trashëgimisë kulturore të cilat e kanë konfirmuar këtë.
“Pllakat e Shatërvanit janë larguar përkohësisht dhe janë vendosur në brendi të xhamisë. Të hënën do të ftohet Instituti Arkeologjik për ta shikuar mundësinë e hapjes së një sonde pasi dyshohet se aty kemi të bëjmë me lokalitet shtresash të tjera kulturore”, i ka thënë KOHË-s Avni Manaj, arkitekt në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, anëtar i grupit mbikëqyrës të restaurimit. Ai ka thënë se edhe pllakat e Shatërvanit do të trajtohen në kuadër të projektit pasi arkeologët të kryejnë punë me sondën.
“Pas përfundimit të këtij procesi, pllakat e Shatërvanit do të pastrohen dhe do të restaurohen. Shatërvani do të kthehet në vendin ku ishte”, ka thënë Manaj.