Kulturë

Shatërvani-monument bëhet avdeshanë me leje të shtetit

Xhamia e restauruar e Çarshisë, e cila njihet edhe si Xhamia e Gurit, është gati për inaugurim, një proces që ka nisur qysh në vitin 2021, dhjetë vjet pasi monumenti u mbyll. Në kuadër të projektit është ndërhyrë edhe në Shatërvanin prapa xhamisë më të vjetër jo vetëm në Kosovë, por ai është tjetërsuar në avdeshanë

Është njëri prej monumenteve më të vjetra të kryeqytetit bashkë me Xhaminë e Çarshisë, e cila pret të inaugurohet pasi ka përfunduar restaurimi. Por në emër të konservimit dhe restaurimit çezma publike është tjetërsuar. “Shatërvani i vjetër” – siç e mban emrin si monument – me ndërhyrjet restauruese të Agjencisë Turke për Koordinim dhe Zhvillim – TIKA është shndërruar në avdeshanë. Krejt kjo është bërë me leje dhe nën mbikëqyrjen e shtetit.

Për ata që merren me trashëgimi kulturore, monumenti e ka humbur autenticitetin në mënyrë të papranueshme. Kurse institucionet përgjegjëse deri tash nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, por në bazë të dokumenteve të siguruara, konfirmohet se autoritetet e kanë lejuar një ndërhyrje të tillë.

Përderisa Xhamia e Çarshisë ishte mbyllur në viti 2011 për restaurim, puna ishte ndërprerë disa herë. Shtatë vjet më vonë TIKA bashkë me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkësinë Islame të Kosovës kishin nënshkruar memorandum bashkëpunimi për ta restauruar Xhaminë. Dokumenti i vitit 2018 kishte nisur të implementohej më 2021.

Në projekt ishte përfshirë edhe “Shatërvani i vjetër” si monument i veçantë, që është nën mbrojtje prej viteve ’70. Organizata turke ka konservuar disa pjesë të tij. Por kur e ka kthyer në vend, ka ndërhyrë duke e tjetërsuar. Në majin e vitit 2022, Shatërvani qe zhvendosur dhe asokohe ishte thënë se pos restaurimit, po shqyrtoheshin mundësitë e hapjes së një sonde, pasi dyshohej se aty mund të jetë një lokalitet shtresash të tjera kulturore. Sonda s’u hap.

E tjetërsimi është bërë me leje të shtetit, përkatësisht me aprovim të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Janë nxjerrë disa çezma jashtë rrethit të mermertë, është bërë një koritë uji dhe janë shtuar ulëset në mënyrë që aty të kryhet riti i avdesit. Asnjë prej tyre nuk ishte paraprakisht edhe sipas fotografive të vjetra. Në dokumentet që posedon KOHA, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, sqarohet se TIKA kishte kërkuar që Shatërvani edhe të mbulohet. Por një gjë e tillë nuk ishte lejuar.

“Të mos realizohet mbulesa e Shatërvanit, kjo në mungesë të dokumentimit të gjendjes burimore, si dhe në mungesë të argumentimit qoftë edhe foto-dokumentimit, nëse ndonjëherë në ndonjë periudhë kohore Shatërvani ka qenë i mbuluar”, shkruhet në rekomandimin e Komisionit drejtuar ish-drejtorit të IKMM-së, Ismet Hajrullahu.

Dy anëtarë të këtij komisioni kanë konfirmuar se kanë aprovuar që monumenti të marrë pamjen që ka tash. Por nuk kanë pranuar të flasin publikisht shkaku i restrikcioneve të Ministrisë së Kulturës se gjithçka në raport me mediat duhet të shkojë nëpërmjet Zyrës për komunikim me publikun.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, në cilësinë e historianit, ka thënë se restaurimi i tillë është i papranueshëm. Sipas Rexhës, bëhet fjalë për një monument që ishte krua publik në qytet. Ka kujtuar se si nxënës ka pirë ujë shpesh aty.

“Tash një monumenti të mbrojtur me ligj t’i ndërrohet identiteti e destinimi nuk është në rregull. Nuk jemi kundër avdeshanës. Le të bëhet diku tjetër, por jo t’i ndërrohet identiteti monumentit”, ka thënë ai. Ka tërhequr një paralele, duke thënë se Prizreni i ka disa kroje publike të mbrojtura si monumente. Sipas tij, qytetarët nuk do të lejonin që ato të bëheshin avdeshana.

“Pastaj ka edhe një parim: një vend ku pihet ujë është krua. Nuk bën të pastrohet njeriu aty. Askush nuk pastrohet aty ku pi ujë”, ka thënë ai.

Arkeologu veteran Haxhi Mehmetaj ka qenë edhe drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prishtinës.

Ai ka thënë se Shatërvani i Vjetër është përbërë prej pllakave ilustrative dhe destinimin e parë e kishte çezmë publike për krejt qytetarët, përfshirë edhe besimtarët.

“Tash është tjetërsuar krejtësisht, duke humbur autenticitetin e duke u bërë avdeshanë. Është tjetërsuar nga ana e brendshme dhe e jashtme. Kjo nuk lejohet”, ka thënë ai. Sipas Mehmetajt, legjislacioni vendor dhe ai ndërkombëtar nuk e lejojnë tjetërsimin e monumenteve. Ka kritikuar edhe restaurimin e Xhamisë së Gurit, duke thënë se përreth janë shtuar konstruksione qelqi që nuk përkojnë me kohën e ndërtimit të këtij monumenti, me shekullin XVI.

Image
Shatërvani i fotografuar më 11 qershor, 2015 (Foto: Driton Paçarada)

KOHA të enjten ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Kulturës, Instituti i Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve, Komuna e Prishtinës, Bashkësia Islame e Kosovës e TIKA. Asnjë prej tyre nuk janë përgjigjur deri të enjten vonë.

Zyrtarët e IKMM-së i kanë treguar KOHËS se kanë qenë nën presion për të miratuar projektin shkaku i arsyetimit se punët duhej të kryheshin shpejt, pasi pritej që në inaugurimin e restaurimit të vinte presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdoan.

Restaurimi i objektit, që njihet edhe si Xhamia e Gurit, është dashur të finalizohej qysh më 2013. Për këtë janë shpenzuar mbi gjysmë milioni dhe punimet kishin mbetur pezull sherri i një keqkuptimi midis Komunës së Prishtinës dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Fillimisht, për ta kthyer në origjinalitet, ishte zhveshur nga fasada. Ishte paraparë që restaurimi të përfundonte në vitin 2013.

Në prill të vitit 2015 gazeta kishte raportuar se për t’u përfunduar punimet në këtë objekt duhen së paku edhe 80 mijë euro, përderisa në bazë të një hulumtimi që kishte bërë organizata “Ec ma ndryshe” llogaritej se duheshin edhe 15 mijë më shumë. Asokohe zyrtarë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishin deklaruar se Komuna e Prishtinës, që e ka ndarë buxhetin për këtë restaurim, kishte ngatërruar pagesën e projektit me atë të implementimit të tij. Në vitin 2011 ishin bërë tri versione të projektit dhe IKMM-ja së bashku me Komunën, Bashkësinë Islame dhe Ministrinë e Kulturës kishin bërë përzgjedhjen e projektit. Vetë implementimi i tij kushtonte 562 mijë euro, pa 80 mijë që janë dhënë për projekt. Në bazë të marrëveshjes, për realizimin e fazës së parë Komuna e Prishtinës kishte dhënë 80 mijë euro, për realizimin e fazës së dytë 250 mijë euro, në të tretën 100 mijë dhe në fazën e katërt 132 mijë euro.

Sipas disa shënimeve, Xhamia e Gurit mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1393 me urdhër të Sulltan Bajazitit.

Ishte TIKA që më 2015 gjatë punës për konservimin e restaurimin e Xhamisë së Jashar Pashës kishte hasur në kalldrëm tradicional shqiptar. Në këtë version që njihet edhe si “arnaut kalldrëm” ishte hasur në rrugën midis Xhamisë dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ministria e Kulturës asokohe kishte thënë se pak metra katrorë të këtij kalldrëmi do të ruhen.

Por asnjë metër katror e atij që njihet si kalldrëm i stilit shqiptar nuk mund të shihet në atë që tash është bërë oborri i Xhamisë së Jashar Pashës. Dikur aty ka qenë rrugicë e shtruar në stil mesjetar. I tëri është mbuluar me gurë katërkëndësh që ngjajnë me ata të Xhamisë së shekullit XV. Këtë e ka përmendur arkeologu Haxhi Mehmetaj edhe të enjten.

“’TIKA” edhe më përpara është përpjekur me çdo kusht që të ndryshojë monumentet tona. Kjo ka ndodhur edhe te Xhamia e Jashar Pashës. Me ligjet tona dhe me konventa ndërkombëtare, kjo nuk lejohet”, ka thënë ai.

Një tjetër rast po me TIKA-n qe ai kur Hamami i Madh i Prishtinës u projektua të bëhej “Muze i Hamamit të Pushtuesit”. Në marsin e vitit 2021, një dekadë pasi ky monument pesëshekullor u tjetërsua me 800 mijë euro të shtetit, kjo agjenci dhe Komuna e Prishtinës nënshkruan memorandum që monumentin do t’ia kushtonte njërit prej sulltanëve më famëkëqij osmanë në raport me shqiptarët. Pas raportimit të KOHËS dhe reagimeve publike, projekti u pezullua e Komuna do ta cilësonte si gabim teknik.