Me pak observim në skenë, mënyrën e luajtjes e titullin e shfaqjes, vazhdimësia kuptohet vetvetiu, edhe pse epilogu mbetet të shihet. Mesazhi është i qartë: nënshtrimi i punëtorëve ndaj shefave autoritarë deri në vetëmohim. Jo për shkak të servilizmit, por hatri i mbijetesës. Mbi supe s’i mbajnë veç orët shtesë, pagën e ulët, nënshtrimin e kushtet e rënda të punës fizike, por edhe lëndimet e fatkeqësitë që ua ndërrojnë krejtësisht kahun e jetës
Është shfaqje prej atyre ku publiku ngacmohet goxha. Nëse nuk gjen diçka të tijen, ata që janë përballë skenës patjetër do të ngacmohen për të kujtuar ndonjë rrëfim të dëgjuar më herët.
Me pak observim në skenë, mënyrën e luajtjes e titullin e shfaqjes, vazhdimësia kuptohet vetvetiu, edhe pse epilogu mbetet të shihet. Mesazhi është i qartë: nënshtrimi i punëtorëve ndaj shefave autoritarë deri në vetëmohim. Jo për shkak të servilizmit, por hatri i mbijetesës. Mbi supe s’i mbajnë veç orët shtesë, pagën e ulët, nënshtrimin e kushtet e rënda të punës fizike, por edhe lëndimet e fatkeqësitë që ua ndërrojnë krejtësisht kahun e jetës.
Ende kur publiku është në tollovinë e gjetjes së numrit të karriges në teatrin “Dodona”, nga skena dëgjohen këngë të Shkurte Fejzës. Tri mure improvizuese të cilat dëshmojnë skenografinë e punuar mjeshtërisht, mbajnë sharra, kaçavida, çekanë e mjete të tjera të punës. Origjinaliteti i personazheve Gazmendit (Ermal Sadiku) e Burimit (Art Pasha) e fitojnë vëmendjen e publikut që në fillim. Edhe më ngacmues i bën fakti që portretizojnë protagonistë që vijnë nga shtresa e mesme e shoqërisë.
Fatkeqësitë që nuk ndalen
Mirëpo në esencë janë karaktere krejt të kundërta. Burimi është njeri syhapur që fiton zemrën e shefit nëpërmjet intrigave. Ndryshe nga ai është Gazmendi, punëtori naiv e zemërmirë, i cili veten e lë krejt në fund për hir të mirëbesimit me shefin e ruajtjes së vendit të punës. Të njëjtën e bën edhe atëherë kur e lëndon dorën me sharrë, prej ku edhe lind emri i shfaqjes me tekst të Florent Kurtalanit e regji të Kushtrim Mehmetit. Në premierën e së hënës mbrëma, fatkeqësia nuk arrin t’ia shuajë sakrificën e natyrshme deri në vetëmohim Gazmendit. Ai vendos që të mos rrëfehet në polici për rastin. Përkundrazi, e hesht në këmbim të mos-humbjes së vendit të punës e ngritjes në pozitë, duke portretizuar realitetin e shumë kosovarëve. Ndërkaq krejt ndryshe nga ai është shefi i tij, arrogant, jonjerëzor dhe një person që më shumë rëndësi u kushton makinave të punës sesa gjymtyrëve e shëndetit të punëtorëve të tij.
Këtu shtresohen edhe ironikisht dallimet jetësore midis të pasurve e të varfërve: të parët rrojnë në kurriz të punonjësve dhe bëjnë jetë luksoze duke e humbur shpesh edhe arsyen. Kurse të dytët pranojnë dhe nënshtrohen veç sa për të mbijetuar.
“Tash kam me punu në zyre me kompjuter. Kemi mund me përfitu më shumë, po pse me e shti veten llugave”, është arsyetimi që Gazmendi, i shtrirë në spital, ia jep gruas së tij (Arta Lahu).
Por simbolikat e fatkeqësive nuk ndalen me kaq. E njëjta ngjarje i ndodh edhe kolegut të Gazmendit, Burimit, i cili përveç që dikur e kishte heshtur humbjen e gishtit, tash shtrihet në spitalin e njëjtë me rastin e lëndimit të dorës. Për gjithë këtë rrëfim ajo që e mban aktive publikun është mënyra se si është përzgjedhur të transmetohet: nëpërmjet komedisë së zezë. Por të qeshurat në fund zëvendësohen me një përmbyllje tejet vetëdijësuese: gruaja e Gazmendit e rrëfen ngjarjen te policia pas shumë hezitimeve të burrit të saj. Epilogu vjen kur të gjithë aktorët dalin në skenë bashkë me dritat e vendosura në ballin e tyre – si simbolikë se janë punëtorë – dhe lexojnë statistika. Aty bëhet “dednoncimi” i fundit për të gjithë fajtorët që janë shkaktarë të këtyre tragjedive.
“70 për qind e punëtorëve punojnë në sektorin privat pa kontrata pune”, dëgjohet njëri aktor në njërën anë. Interaktiviteti me publikun sigurohet nëpërmjet ecjes drejt hapësirave të ndryshme të sallës. Të gjithë lexojnë njëzëri statistika të ndryshme, të cilat sjellin një çakordim ngjarjesh.
“Ka raste kur një kompani është dënuar veç me 2000 euro pas humbjes së jetës së një 17-vjeçari. Këtë gjobë e ka shënuar inspektorati”, fuqizohet edhe më shumë mesazhi. Jo veç heshtja, por edhe mungesa e drejtësisë institucionale janë kapaku për shfaqjen që u duartrokit nga publiku.
“Jam njeri që jam lënduar e tash jam regjisor”
Regjisori Kushtrim Mehmeti ka rrëfim prapa vetes lidhur me temën e shfaqjes. Ka treguar se edhe para kësaj shfaqjeje ka ngritur zërin për të drejtat e punëtorëve. Humbja e shokëve të tij në vendin e punës ka qenë shtysa kryesore, por edhe prapavija profesionale e mëhershme ka qenë ndikuese e madhe.
“Unë para se të jem regjisor, jam zdrukthëtar, njeri që ka punuar në disa firma private dhe që është lënduar e tash jam regjisor. S’mund dhe s’dua t’i harroj ata njerëz që janë lënduar e që (të tjerët v.j) e llogarisin si gabim nëse je lënduar ti ose nëse ia dëmton sharrën, makinerinë shefit”, ka thënë ai.
Përmend se brenda 5 vjetëve llogariten shumë punëtorë të vdekur në vendin e punës, teksa 60 për qind e punëtorëve që lëndohen e tejkalojnë situatën duke mos raportuar në institucione.
“Kur më është ofruar një tekst që më është thanë se për me arrit te publiku ndoshta duhet komedi, unë fillimisht s’kam pranuar. Kam thënë s’mund ta bëj komedi një send që në shpirt e në zemrën time është tragjedi. Kompromisi im i vetëm është nëse unë mund ta bëj komedi të zezë, nëse mund ta argëtoj publikun me komedi, por edhe nëse mund të tregoj çfarë statistikash të tmerrshme kemi ne”, ka treguar ai.
Ka përmendur se teatrove të Kosovës ju mungon hapësira për dramaturgët shqiptarë e inskenim të tematikave vendore, sepse veç nëpërmjet këtyre të dyjave, sipas tij, teatri mund të jetë nismëtar i çështjeve.
“Në momentin që e kam dëgjuar idenë nga Florent Kurtalani, një dramaturg i ri por me potencial jashtëzakonisht të madh, kam dashur që ta trajtoj dhe kjo të jetë tema, mesazhi e ideja. Jam munduar t’ju përshtatem në gjithçka. Besoni që kam pranuar çdo lëshim brenda saj, sepse kjo është ajo çka unë mendoj e synoj”, ka përfunduar ai.
“Çdo vit 15 deri 20 punëtorë vdesin në Kosovë”
Ndërkaq Leonit Maloku, i cili i dha jetë personazhit kryesor, ka thënë se tema ka qenë ngacmuesja kryesore për këtë shfaqje. Sipas tij, ngjarjet e trishta në Kosovë përmenden dy a tri ditë.
“Gazi është punëtor i pasherr, që s’ia kthen fjalën shefit, por që më shumë do ta ruajë vendin e punës se nga ajo mbijeton, kjo është arsyeja e vetme që duron presion e dhunë në vendin e punës”, ka treguar ai për rolin e tij. Përderisa provat kanë qenë intensive, ai ka thënë se shfaqja ka ndërruar edhe esencën përmbajtjesore e strukturale. Nga komedi e tërë, është zhvendosur në tragjedi.
“Çka kemi dashur të mbërrijmë, që së paku publiku që është në sallë t’ia rikujtojmë se çdo vit ndodhin aksidente, humbin jetën, ku mesatarisht 15 deri 20 punëtorë humbin jetën në Kosovë. Kemi dashur t’ua kujtojmë që kjo kalon në heshtje, është temë e fuqishme që kushdo që është kompetent s’merret sa duhet”, ka thënë Maloku. “Sharra” reprizën e ardhshme do ta ketë ditën e enjte. Do të jepet jo rrallë si thirrje për ndërgjegjësim, pasi jo rrallë jepen edhe lajmet për fatkeqësitë në vendin e punës.