Prishtinë, 10 tetor – Në vendbanime jo të mëdha, siç është Struga me fshatrat përreth, që sipas të dhënave të vitit 2002, asokohe kishte afro 17 mijë banorë, fliten deri në tri variacione dialektore të shqipes. Shembuj të këtillë sikurse në qytetin e Maqedonisë së Veriut janë të shumtë gjithandej shteteve të Ballkanit ku jetojnë shqiptarët. Shqipja e sotme përballet me jo pak barbarizma, ka qenë një prej konstatimeve.
Mbi 20 studiues të gjuhës shqipe, të mërkurën, në Institutin Albanologjik të Prishtinës kanë shpalosur kumtesat e tyre në konferencën shkencore “Studime për Leksikun dhe Leksikografinë Dialektore” të organizuar nga ky institucion. Studiuesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Shqipëria kanë nxjerrë në pah leksikun e disa trevave shqiptare.
Studiuesi Begzad Baliu nëpërmjet kumtesës në temën “Për një fjalor historik të leksikut të shqipes” ka shpalosur të dhëna për disa fjalorë. Por ai e ka parë si të domosdoshme përpilimin e një fjalori historik të leksikut të shqipes.
“Është një fjalor që duhet të punohet nga institucionet shkencore”, ka thënë Baliu.
Por studiuesi Valter Memishaj ka thënë se një gjë e tillë është duke u bërë. Ka treguar se tashmë ka nisur puna nga Instituti i Gjuhësisë në Shqipëri në bashkëpunim me universitetin “Ludwig Maximilian” në Münich të Gjermanisë. Sipas tij, drejtues i projektit është profesori i këtij Universiteti, Bardhyl Demiraj.
“Në këtë projekt është duke punuar edhe studiuesja Anila Omari, e cila qëndron nga katër muaj në Münich për këtë projekt”, ka thënë ai.
Studiuesja Idaete Sinani ka sjellë shembuj të ndikimit të barbarizmave në Maqedoninë e Veriut. Shembujt e saj janë të shumtë. Mund të ndodhë që brenda një fjalie të ketë më shumë barbarizma, sesa fjalë shqipe.
Studiuesja Shpresa Ismajli është fokusuar te “Leksiku që karakterizon njerëzit sipas tipareve fizike e morale në trevën e Llapit”. Nëpërmjet kësaj kumtese, ajo ka nxjerrë në pah se si në zonën e Llapit në Kosovë përdoren emërtime të ndryshme për një karakteristikë njerëzore.
Në konferencën e organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Naim Berisha, i cili udhëheq Degën e Gjuhësisë në Institut, ka thënë se pas shumë propozimeve nga anëtarët e Degës, kjo konferencë u ideua si mundësi dhe si nevojë e prezantimit të projekteve dhe të arriturave që ka shënuar kjo Degë, por edhe si mundësi e njohjes me të arriturat e studiuesve nga qendrat e tjera shkencore gjithandej trojeve shqiptare.
E drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se që në fillimet e punës, më 1953, fokusi i institucionit që ai udhëheq ishte te fjalësi i të folmeve shqipe në ish-Jugosllavi dhe te përpjekjet e para për hartimin e një baze të fjalorëve terminologjikë aq të nevojshëm asokohe.
Sipas tij, po ashtu, njëri nga projektet e rëndësishme të realizuara, pas rithemelimit të Institutit Albanologjik, ishte edhe hartimi i Fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve popullore, që u pasua nga kontribute monumentale që vijuan të vijnë deri në ditët e sotme.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")