Kulturë

Seminari në kërkim të mënyrës për ta vazhduar traditën me edicionin e 39-të

Organizatorët e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare pritet që të takohen gjatë ditëve në vazhdim për të vendosur në lidhje me formatin e edicionit të sivjetmë. Mbajtja online nuk shihet si opsion, mirëpo janë të gatshëm për të bërë modifikime

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare pritet të pësojë disa ndryshime për sivjet, por organizatorët janë të vendosur që ta vazhdojnë traditën edhe me edicionin e 39-të. Mbajtja online nuk shihet si opsion, mirëpo është e qartë se mënyra e organizimit duhet që të modifikohet për shkak të pandemisë.

Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit, ka thënë se Këshilli i Seminarit do të takohet gjatë kësaj jave për të vlerësuar situatën dhe për të gjetur mundësitë më të mira për të mbajtur edicionin e këtij viti, konform masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Seminari vlerësohet si organizimi kryesor për shkencat albanologjike në vend dhe botë. Është bashkorganizim i Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit Histori-Filologji, përkatësisht nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës. Çdo vit ai sjell në Prishtinë albanologë, gjuhëtarë, antropologë e kulturologë nga qendra të ndryshme universitare të Evropës. Pjesëmarrësit sjellin prurjet më të fundit shkencore që mbulojnë aspekte të veçanta të shkencave albanistike.