Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Secili çmendet simbas mënyrës së vet” në Shqipërinë e ëndrrave

Prishtinë, 20 dhjetor - Stefan Çapaliku në cilësinë e autorit, por edhe të personazhit, nëpërmjet prozës ka dokumentuar kujtimet e tij në romanin trevëllimësh. Vëllimi i parë i “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” përthekon periudhën prej vitit 1967 deri më 1985. I dyti, nga viti i vdekjes së diktatorit Enver Hoxha deri më 1991. Çmenduria e atyre viteve vjen e dokumentuar me personazhe e zhvillime konkrete. Tingëllon fort edhe si fantazi e kohës kur Shqipëria, e vetme, “mbante gjallë socializmin e vërtetë” duke qenë e rrethuar me tela me gjemba.

Të mërkurën Çapaliku në Prishtinë ka promovuar vëllimin e tretë të “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Por rrëfimi i tij nuk do të ndalet në triptik dhe paralajmërimin e ka bërë vetë autori. Në këtë të fundit përthekohet periudha nga viti 1992 deri më 1997. Në bazë të kujtimeve të dramaturgut Çapaliku, romani futet në mendimet e personazheve të asaj kohe.

Leximet që ka bërë para të pranishmëve aktori i teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Enver Hyseni, kanë sjellë disa pjesë të mozaikut të veprës. Në një udhëtim me tren rrëfehet se si shqiptarët kishin shpresë tek Evropa. Bazuar në gjendjen e vështirë ekonomike, mendonin se secili njeri duhet ndihmuar me nga 10 mijë dollarë për ta marrë veten sado pak. Çapaliku pas dy vëllimeve të para, ku midis territ të diktaturës sjell ironi e humor të hollë, në vëllimin e tretë flet për dritën e hapjes së Shqipërisë. Kohën kur secili mendonte se mund të realizonte ëndrrat e veta.

Në një bashkëbisedim me gazetarin Agron Shala, Çapaliku ka thënë se libri i parë ka nisur si një nevojë për të nxjerrë jashtë vetes disa kujtime që secili njeri i ka gjatë jetës së tij, pasi secili ka një fëmijëri interesante. Ka treguar se për shkak të lexuesve e reagimeve të mira që ka marrë, ka menduar që ta vazhdojë rrëfimin me librin e dytë.

“Kur shkrova të dytin, i treti ishte pas derës dhe duhej ta shkruaja. Tash do t’ju mërzis edhe me një të katërt”, ka thënë ai.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Artikuj të ngjashëm