“Të gjithë njerëzit e kanë artin brenda vetes dhe pastaj fillojnë dhe e braktisin”, ka thënë Saimir Strati, artisti shqiptar i 11 rekordeve në “Guinness”. Me fjalimin e tij motivues ka nisur “Java e artit” në Prizren. Strati ka shpalosur rrugëtimin e tij kompleks njashtu sikurse mozaikët e tij me të cilët njihet botërisht. “Unë nuk dua ta quaj artin profesion. Le të mbetet tek shpirtërorja”, ka thënë ai
Saimir Strati duket krejt i bindur kur thotë se “të gjithë njerëzit e kanë artin brenda vetes”. Thotë se lindin të tillë. Por nuk vonon të konstatojë se po këta ikin prej tij. Të paktë janë ata që e ndjekin këtë rrugë. Kur e zbuloi artin brenda vetes, Strati nuk diti të ndaljes. Veprat, mjeshtëria e tij e përkushtimi janë njëra anë e medaljes. Emri i Saimir Stratit nuk shkapet dot prej librit të rekordeve “Guinness”, ku ai ka hyrë hiç më pak se 11 herë.
“Të gjithë ne kemi lindur artistë. Të gjithë njerëzit e kanë artin brenda vetes dhe pastaj fillojnë dhe e braktisin. Kjo është e gjitha. Të rinjtë me shumë kënaqësi mezi presin të bëjnë diçka. Unë mendoj që nga kjo pjesë e artdashësve që janë të rinjtë tashmë, patjetër që do të ketë artistë të mirëfilltë dhe të shkëlqyer nesër”, ka thënë artisti shqiptar të mërkurën mbrëma në Prizren.
Me fjalimin e tij motivues është hapur “Java e artit” në këtë qytet, organizuar nga “The Art”. Organizatorët e kanë përzgjedhur atë duke konsideruar se Strati duhet ta ndajë me të tjerët historinë e tij të suksesit. I ka paraprirë një rrugëtimi pesëditor që përcjell te publiku ngjyrat dhe vijat, me materialet e shumëllojshme me të cilat bëhet diçka që mund të mbështillet nën emrin “art”. Kompleks janë mozaikët e Stratit – realizuar me gozhda, rrëmojëse, kapëse teli, tapa, brusha e shumëçka tjetër – njashtu sikurse rrëfimi i tij. Për ta zbërthyer se si ka arritur deri në majat e botës së artit, para të pranishmëve në sallën e kinemasë në qendrën tregtare “Galleria”, ka thënë se ideja e tij ka qenë që të realizojë diçka që teknologjia s’mund ta zëvendësojë.
Drejt “Guinness” u nis këtu e 17 vjet më parë, kur debutoi me rekord. Me 400 kilogramë gozhda realizoi portretin e Da Vinçit dhe u konfirmua si më i madhi mozaik i këtij lloji në botë. Por, pos thyerjes së rekordeve, ndjenjë të fuqishme i dha edhe thyerja e mentalitetit të popullit shqiptar. Ka rrëfyer se ka pasur edhe miq të cilët në fillim nuk kishin shumë pritshmëri prej tij, përderisa sot e pyesin vazhdimisht për rekordin e radhës, duke qenë të sigurt se kjo do të ndodhë përsëri. Artit nuk i ndahet dot.
“Arti është pjesë e jetës, por ndonjëherë braktiset për shkak të interesave. Mirëpo unë nuk dua ta quaj artin profesion. Le të mbetet tek shpirtërorja. Pastaj në jetë njeriu mund të ketë edhe një pjesë tjetër që pa dyshim që secila punë duhet të bëhet me dëshirë dhe pasion. Le të bëjnë art fillimisht për veten e tyre, pastaj për rrethin që i rrethon, dhe më pas kur ta ndiejnë veten të fuqishëm, të dalin edhe më tej. Sepse duhet të guxojmë”, ka thënë Strati (56). Ai ka guxuar dhe ia ka konfirmuar botës disa herë.
“Asnjë gjë nuk është e pamundur dhe e mira është që ne të kemi brenda vetes atë pjesën e artistit. Ta mbajmë jo si një bizhu për t’u mburrur, por le ta kemi aty. Mos ta shohë askush atë bizhunë që quhet art tek ne, por ta mbajmë afër zemrës. Le të bëjmë art njëherë për veten. Njeriu kur përsoset tek vetja, është e pamundur të mos përsoset tek të tjerët”, ka thënë ai.
Strati ka folur jo vetëm për mozaikët e tij, për edhe për ata që dikur, të parët, dekoronin dysheme rezidencash e pallatesh, e që sot ruhen si monumente. Në hapësirat shqiptare ka shumë sosh. Historia e mozaikut në Shqipëri, sipas Stratit, daton këtu 3500 vjet më parë “dhe mund të ketë sa e sa mozaikë në trevat shqiptare ende të pazbuluar”. Ka thënë se është i lumtur që po e përcjell traditën e të bërit art të popullit që i përket, aq më tepër nëpër botë.
Ftesën për ta ndarë rrëfimin e tij me publikun në Prizren ka thënë ta ketë pranuar me shumë kënaqësi.
“E kam pritur që nga fillimi me kënaqësi ftesën, sepse mesazhi i kësaj organizate që po bën një punë të mrekullueshme është pikërisht ringjallja i asaj që të rinjtë e kanë por nuk dinë si ta demonstrojnë, që është arti. Nuk jemi këtu për të thënë se të gjithë ata që preken nga ky event janë ata që do të bëhen artistë të mëdhenj nesër. Kjo nuk është e nevojshme. E nevojshme është që të përfshiheni në art. Është ajo pjesa që sot të rinjtë po vuajnë pak nga sëmundja industriale. U mungon të bërit diçka nga duart e veta dhe nga mendja e vet. Kështu që unë e kam përkrahur me kënaqësi iniciativën dhe do të jem edhe në vijim”, ka thënë Strati, i cili një mozaik rekordesh ia ka lënë edhe Kosovës. Më 2017, me 1.5 milionë kapëse teli ai realizoi portretin e Nënë Terezës në dhjetë metra katrorë që zë vend në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
Dëshira e tij për t’iu bashkuar organizimeve si “Java e artit” buron nga besimi i tij se do të ketë vazhdimisht artistë të shkëlqyer në vend. Ka thënë se dëshiron që eksperiencat e tij gjatë kohës të jenë një shembull për të gjithë ata që ndjekin rrugën e artit, dhe t’i ndihmojë ata të bëjnë gjërat që duan. Ky është njëri prej synimeve të “The Art”.
Drenueta Berisha, drejtoreshë e kësaj organizate, ka thënë se përzgjedhja e Stratit për të bërë hapjen e “Javës së artit” ka lindur nga pesha e artit të tij.
“’Javën e artit’ jemi munduar ta bëjmë me një hapje madhështore, prandaj e kemi një njeri madhështor siç është Saimiri, fituesi i 11 rekordeve botërore në ‘Guinness’. Kemi menduar që një fjalim nga ai mund t’i motivojë artistët e rinj dhe artistët e fushave të ndryshme. Kjo ka qenë ideja, që ‘Java…’ të fillojë me diçka të madhe”, ka thënë Berisha. “Java e artit” në thelb ka edukimin.
“Organizata jonë theks të veçantë ka edukimin dhe fuqizimin e të rinjve. Përmes artit njerëzit mund të iniciojnë dhe ngrenë çështje të ndryshme në shoqëri, të përçojnë mesazhe, por edhe mund të shohin diçka të bukur. Qëllimi është që njerëzit të mësojnë më shumë rreth artit. Prandaj edhe e kemi bërë në një qendër tregtare”, ka thënë ajo për ngjarjen që sjell panele diskutimi, performanca e punëtori arti dhe në fund do të jetë ekspozita që do ta përmbyllë këtë projekt.
Në mesin e publikut ka pasur edhe të tillë që kanë udhëtuar nga Tetova për ta takuar dhe dëgjuar artistin, ndonëse ky takim nuk ishte i pari.
Për Fatlon Ibishin, që vetë është skulptor, takimi me Stratin është një mënyrë e mirë për ta marrë shembull atë e për t’u motivuar.
“Si organizim ishte i jashtëzakonshëm. Një organizim ku përfshihet Saimir Strati nuk mund të jetë ndryshe përveçse i jashtëzakonshëm. Ishte shumë bukur. Nga vetë emërtimi ‘Fjalim motivues’ dihet se është diçka shumë e mirë që rinia të përfshihet sa më shumë në art dhe të ketë një qasje ndryshe për artin”, ka thënë Ibishi. Te fjalimi i Stratit ka veçuar mesazhin e vetëbesimit, i cili duhet të krijohet te secili artist.
“Duhet të krijohet edhe te secili fëmijë që në të ardhmen duhet të ketë kurajë dhe vetëbesim që ai jo vetëm të synojë majat, por gjithmonë të jetë i përkryer”, ka thënë skulptori nga Tetova. “Java e artit” zgjat deri të dielën.