Kulturë

Saimir Pirgu rikthehet para publikut shqiptar me interpretim në Butrint

Tenori i teatrove më të njohura të botës, Saimir Pirgu, do të rikthehet në Shqipëri me një koncert. Për dallim prej herëve të tjera, ai nuk do të interpretojë në një skenë reale teatrore. Kësaj radhe, në një organizim të veçantë do të performojë në Parkun arkeologjik të Butrintit.

Shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, tenori shqiptar me famë botërore do t’i japë tjetër ngjyrë monumentit më të rëndësishëm të antikitetit, Amfiteatrit të Butrintit.

Në violinë do të interpretojë edhe vetë drejtoresha e përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, e cila edhe këtë radhë vishet me petkun e artistes, shoqëruar nga Herta Cane në piano. Në skenë do të ngjiten të tjerë emra të mirënjohur të artit, aktorë, kompozitorë e instrumentistë. Sipas njoftimit të institucionit, ky koncert hap programin e shumë koncerteve dhe shfaqjeve të tjera që do të vijnë gjatë këtij sezoni veror nga Teatri i Operës dhe Baletit, nga veriu në jug, me emrat më të mirënjohur kombëtarë e ndërkombëtarë.

I lindur më 1981 në Elbasan, Pirgu ka studiuar me Vito Brunettin. Ai bëri debutimin e tij ndërkombëtar në vitin 2004 në moshën 22-vjeçare, duke luajtur Ferrandon në “Così fan tuttë” në një turne në Itali. Ai aktualisht interpreton për kompanitë e operës, duke përfshirë “Metropolitan Opera” të New Yorkut, “La Scala” në Milano, Operën Shtetërore të Vjenës, operën e Parisit, “Bolshoi”, Operën Shtetërore të Berlinit, “Opera Zürich”, “Gran Teatre del Liceu” në Barcelonë, Operën e San Franciscos dhe për “Opera Australian”. Përveç roleve të tij në Operën Mbretërore, repertori i tij aktual përfshin “Faustin” nga “Faust dhe La Damnation de Faust”, Don José në “Carmen”, Tamino në “Die Zauberflöte”, Rodolfo në “La bohème”, Pinkerton te “Madama Butterfly” e shumë role të tjera.