Se duhen bërë hapa konkretë e të menjëhershëm në ruajtjen e trashëgimisë audiovizuale është përsëritur kaherë, ashtu sikurse edhe konstatimi se nuk ka strategji për këtë. Por qasja ndaj kësaj çështjeje duhet të jetë më gjithëpërfshirëse.
“Ruajtja e trashëgimisë kombëtare audiovizuale” ka qenë tema e sesionit të ditës të katërt të edicionit të 18-të të “Javës së Bibliotekës” që po mbahet nën organizimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me temë qendrore: “Kujtesa Kombëtare: koleksionet audiovizuale dhe efemere”.
Regjisorja Blerta Zeqiri nga instituti “Anton Çetta”, teksa ka theksuar mbledhja e trashëgimisë shpirtërore është urgjente, ka folur për rëndësinë historike të ruajtjes së filmit dhe video-arkivave të tjera.
“Ne nuk jemi duke i konservuar njohuritë tona në formën e re audiovizuale, pra po flasim për disa shënime që janë mbledhur në të kaluarën, por që sot e kemi mundësinë që të gjitha shkrimet e këngëve, përrallave, me i ndjekë të gjalla, t’i ndiejmë, t’ua dëgjojmë zërin, ta shohim njeriun si po duket. Pra, nuk po ia japim rëndësinë e duhur kësaj”, ka thënë ajo.
Ka shtuar se gjatë gjithë kohës ka pasur individë dhe organizata të cilat kanë punuar për mbledhjen e trashëgimisë shpirtërore, mirëpo ka munguar gjithmonë përkrahja institucionale dhe marrja e veprimeve nga ana e tyre.
Sejnur Veshall, zëvendësministër i Kulturës, ka thënë se trashëgimia kulturore është shumë e pasur dhe se ata do të ndihmojnë në ruajtjen e saj.
Blerta Ismaili, menaxhere e programit “Heritage Space” në organizatën “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, ka thënë se grumbullimi i arkivave audiovizuale është me rëndësi vitale.
“Ruajtja si proces duhet që të jetë të tërheqë, të ketë një qasje më artistike, të përfshijë perspektiva multidisiplinare, ndërsektoriale e që si proces duhet të jetë i hapur përtej roleve që kanë qenë konvencionale që kanë përfshirë kryesisht profile si arkeologë, historianë, arkitektë, e që janë esencialë, mirëpo ne konsiderojmë që duhet të jetë e hapur edhe për profile të tjera si krijues, artistë e profesionistë që vijnë nga shkenca sociale, humanistike - digjitale apo edhe vetë komuniteti”, ka thënë ajo duke theksuar se këtë mundohet që ta bëjë edhe “Heritage Space”.
Erëmirë Krasniqi, drejtoreshë ekzekutive e platformës “Oral History Initiative” që për dy vjet ka bërë të qasshme rreth 200 intervista me personazhe të ndryshme, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së historisë gojore.
“Ideja është të krijohet një arkiv që është digjital, por edhe i qasshëm gjatë gjithë kohës e që përditësohet gjatë gjithë kohës”, ka theksuar ajo duke shtuar se mundohen çdoherë të kenë perspektiva prej komuniteteve të ndryshme.
Gani Mehmetaj, ish - drejtor i “Kosovafilmit”, ka prezantuar një historik të shkurtër të shtëpisë dukur të famshme të produksionit filmik, teksa ka sjellë edhe një vështrim për gjendjen aktuale të arkivit të filmit në Kosovë. Mehmetaj ka treguar se filmat e Kosovës që janë realizuar gjatë periudhës sa Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, gjenden në Serbi, dhe marrja e origjinalit nuk është e mundur, mirëpo të njëjtit mund të restaurohen dhe të kopjohen e të sillen në Kosovë. Njëlloj ka thënë se mund të veprohet edhe me filma të tjerë që kanë të bëjnë me Kosovën ose që janë të regjisorëve shqiptarë, por që gjenden në shtetet e tjera.
“Fatkeqësisht në dhjetëvjetëshin e fundit Ministria e Kulturës as nuk ka financuar e as nuk ka pasur interesim që këta filma të sillen në Kosovë. Pra, është faji ynë. Deri para dhjetë vjetësh ishte çështje politike pasi që Beogradi nuk ka pranuar, por tani me anë të marrëveshjes janë të mundshme restaurimi dhe kopjimi. Nuk kërkon shumë mjete, por është një thesar i jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.
Ka treguar se po ashtu kanë komunikuar me qendra të ndryshme arkivore të cilat kanë treguar se janë të gatshme t’u japin kopje të filmave që ata i posedojnë.
Iris Elezi, drejtoreshë e Arkivit të Filmit në Shqipëri, ka sjellë përvoja në lidhje me restaurimin dhe arkivimin e filmit shqiptar.
“Si restauratorë ne kemi përgjegjësi të mëdha jo vetëm të risjellim filmat për publik të ri, por edhe të respektojmë atë çfarë regjisori ose regjisorja donte. Me gjithë kënaqësitë që teknologjia e shekullit XXI na ofron, asnjë nga ne nuk guxon të ribëjë gjëra më mirë sesa realizimi i ditës së premierës”, ka thënë ajo.
Deri tani ka treguar se janë bërë 27 restaurime të filmave, por mbesin edhe 4 mijë e 333 tituj që duhet restauruar.
Pjesa e dytë e ditës vazhdoi me sesionin “Dokumentimi dhe qasja në materialet audiovizuale”.
Arkitektja Florina Jerliu nga Universiteti i Prishtinës ka shpalosur një historik mbi qytetin e vjetër të Prishtinës duke theksuar rëndësinë e kujtesës dhe të trashëgimisë.
“Duhet të kemi një plan për kufizimin e zonës. Përqendrimi i institucioneve tona ka qenë në të ardhmen tonë, në të ardhmen tonë evropiane, e kemi shpërfillur të tashmen, e nuk jemi marrë me të kaluarën. Ka qenë më rëndësi që të nisim planet për zona të reja, deri në pikën që është tjetërsuar ideja që edhe zona e vjetër e qytetit duhet të konservohet”, ka thënë ajo. Ka theksuar se kufijtë e një zone historike nuk janë aq të lehtë sa të caktohen me një laps, por duhet shikuar se si të ruhen në tërësi qyteti, kujtesa dhe trashëgimia e Prishtinës. Sipas saj, çdo intervenim që po bëhet nëpër qytet e në trashëgiminë materiale është fragmentare.
Po ashtu gjatë kësaj dite u prezantua hulumtimi “Ndryshimet socio-kulturore në Kosovën e sotme” i realizuar nga studentët e vitit të dytë të sociologjisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Hulumtimi ishte bërë në kuadër të lëndës “Praktikumi sociologjik” nën mbikëqyrje të profesorëve Artan Krasniqi dhe Shemsi Krasniqi.
Aty studentët kanë hulumtuar ndryshimet në disa fusha – si festa, modë, stil të veshjes, kuzhinë, pushim, punë, zanat, jetë familjare, apo kushte të banimit e të ngjashme – nëpërmjet intervistave.
Ndryshe, në ditën e tretë të “Javës...” që u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal në Pejë, u tha se jo pak materiale të folklorit janë nëpër arkiva private e një pjesë e tyre – në mungesë të strategjisë, projekteve e investimeve konkrete – rrezikojnë edhe të zhduken. Dita e dytë që u zhvillua në ambientet e bibliotekës publike “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë pati për kryetemë rëndësinë e digjitalizimit si zgjidhje për të shpëtuar materialet bibliotekare që po shkatërrohen dhe si mundësi për të ofruar me lehtë materiale me qasje të hapur. E vetë “Java e Bibliotekës” nisi me alarmin për zhdukjen e trashëgimisë audiovizuale.
Biblioteka e Adem Demaçit pritet t’i dhurohet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës
Koleksionet e rralla zënë një vend me rëndësi vitale në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. E fondi i saj pritet që të pasurohet edhe me bibliotekën e shkrimtarit e veprimtarit të njohur Adem Demaçi, i cili vdiq në korrik të 2018-s. Familja Demaçi tashmë e ka bërë hapin për këtë.
“Që tani do të shohim se si do të ekspozojmë këtë koleksion të njërit prej personaliteteve më me rëndësi për vendin. Do ta shtjellomë këtë çështje edhe në aspektin organizativ, por edhe atë ligjor. Ky është një koleksion i veçantë dhe duhet trajtuar me kujdes duke marrë parasysh edhe faktin se na mungojnë kushtet për biblioteka të tilla të autorëve”, ka thënë drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku.