Kulturë

“Rregullat e reja” shpalos në Shkup vepra që i referohen aktualitetit

“Rregullat e reja” titullohet ekspozita e re e artistes kosovare Zake Prelvukaj, së cilës ajo i është referuar si një projekt që i kushtohet kohës aktuale, botës së re në të cilën, siç ka thënë, njerëzit janë zhytur, në mënyrë të pavetëdijshme, dhe për të cilën me e pa dashje bëhen ithtar. Prelvukaj, veprat e saj që formësojnë ekspozitën “Rregullat e reja”, do t’i shpalosë në Galerinë Kombëtare në Shkup, “Çifte hamam”. Ekspozita e hapur më 18 maj, e kuruar nga Ana Frangovska, do të jetë e qasshme për publikun deri në fund të muajit. Sot (e martë), në orën 14:00 do të jetë një tjetër hapje me performancë e më pas edhe një bisedë me artisten.

“Është një kohë e zhvillimit të shpejtë teknologjik, i cili, i nxitur nga kushtet e pandemisë, në të cilën ka qenë e gjithë bota për më shumë se një vit, ka krijuar nga ne pasuesit besnikë që kemi filluar të jetojmë sipas rregullave të reja, normale-anormale”, është shkruar në përshkrimin e dhënë nga Galeria në Shkup. Aty tregohet se ky diskurs kyç shtjellohet nga autorja Prelvukaj përmes një përzgjedhjeje prej njëzet veprash në media të ndryshme.

“Dhe kjo pyetje plotësohet nga shumë aspekte thelbësore të shoqërisë ballkanike sot (në rastin e saj Kosova) të parë përmes prizmit të një syri kritik, i cili u referohet kushteve shoqërore-politike shumë të ndezura të ekzistencës dhe krijimit”, vazhdon tutje përshkrimi.

Artistja, e cila jeton në Prishtinë, po prezantohet me një performancë, me tri video, nëntë fotografi dhe shtatë 7 piktura, tri prej të cilave edhe nga periudha e pandemisë.

Galeria Kombëtare në Shkup potencon se një tipar i rëndësishëm i punës së artistes është mbizotërimi feminist, të cilin Prelvukaj e ka menaxhuar me shumë guxim që nga fillimi i viteve 2000, kohë e pasluftës dhe krizës shpirtërore. Sipas po të njëjtit përshkrim, theksohet se ajo theu rregullat që arti është kryesisht një profesion mashkullor në shoqërinë kosovare dhe se arti duhet të merret me koncepte moderniste të tilla si estetika dhe forma.

“Pavarësisht atyre rregullave, në punimet e saj konceptuale, edhe atëherë, ajo filloi të fliste me zë të lartë për çështje politike që preokuponin skenën e transicionit të atëhershëm të Kosovës, por gjithashtu adresonte indirekt çështje më të gjera rajonale, siç janë demokracia, globalizmi dhe Bashkimi Evropian”, vazhdon tutje shkrimi. Aty është shkruar se Prelvukaj nuk kishte frikë nga kufizimet e komunitetit, nuk kishte turp të përdorte trupin e saj, apo edhe të zhvishej, për të shprehur aspekte veçanërisht të rëndësishme të ligjërimit të grave në kataklizmin tonë të madh ballkanik.

“Pavarësisht nga të gjitha kundërshtimet e paradigmave të vendosur, megjithatë, Zake me individualitetin e saj pozitiv dhe komunikueshmërinë nuk shkaktoi skandale në publik, ajo dinte se si të ekuilibronte komunikimin me audiencën dhe ata do ta donin atë”, theksohet në shkrimin e publikuar nga Galeria.

E vetë Prelvukaj ka thënë përse ekspozita, sipas saj, është e rëndësishme, sepse e sheh ndërrimin e qasjes ndryshe në jetë shkaku i zhvillimit të shpejtë e marramendës teknologjik, por edhe provokimit të papritur të pandemisë.

“Mbylljes, komunikimit virtual dhe ndjeshmërisë sonë përmes ekraneve”, ka thënë Prelvukaj, e cila fillimisht titullin e kishte menduar si “Rregullat e çrregullta”.

“Mendoj se bota, njerëzimi është afruar më shumë shkaku se u vetëdijesuam se shëndeti është mbi të gjitha, mbi fe, politik etj. Duke përfshirë se edhe kërkesat tona tani janë modifikuar, janë më reale”, ka thënë Prelvukaj, e cila në vitin 1993 nisi të punonte si pedagoge në lëndën “Pikturë Monumentale”. Në vitin 1997 ajo mori diplomë master në pikturë, në klasën e profesorit Muslim Mulliqi. Pas një dekade, ajo fitoi titullin profesoreshë e rregullt e pikturës.