“Asnjë fjalë nuk mund ta shpjegojë lumturinë time....”, ka thënë Marigona Qerkezi, e cila s’ka të ndalur. Për çdo artist, “Royal Opera House” është ëndërr e për sopranon nga Kosova tash edhe realitet. Ajo e pushton këtë skenë si Leonora në “Il Trovatore” të Giuseppe Verdit, të cilin rol ajo e përshkruan si një nga heroinat më pasionante dhe më të fuqishme të këtij kompozitori
Ka kohë që sopranoja Marigona Qerkezi ateron nga një shtëpi prestigjioze operistike në tjetrën. Në korrik ndalet në një nga më ikoniket në botë – në “Royal Opera House” të Londrës. Do të jehojë me një prej kryeroleve, si Leonora nga “Il Trovatore” e Verdit. Me katër shfaqje debuton në shtëpinë historike të operës.
Sopranoja nga Kosova me nam në skenat e operës në katër anët e botës ka dëshmuar kaherë mjeshtërinë e këndimit lirik. Kjo është bileta e saj për paraqitjet skenike në teatro, si: “La Scala”, “New National Theatre Tokio”, Operën Shtetërore të Berlinit, “Palm Beach Opera” dhe shumë më shumë. Të gjitha paraqitjet e saj janë prej atyre ku Qerkezi sjell role kryesore. I tillë edhe Leonora, me të cilin ngjitet në skenën e Operës Mbretërore më 9 korrik.
Lajmin e debutimit në “Royal Opera House” e ka bërë të ditur vetë sopranoja.
“Asnjë fjalë nuk mund ta shpjegojë lumturinë time. Unë do të bëj debutimin tim në ‘Royal Opera House’ në Londër si Leonora në ‘Il Trovatore’ të Giuseppe Verdit”, ka shkruar Qerkezi derisa e ka vlerësuar nder interpretimin në këtë institucion.
“Është nder absolut të shkelësh në skenën e këtij teatri legjendar dhe të sjellësh në jetë një nga heroinat më pasionante dhe më të fuqishme të Verdit”, ka vlerësuar ajo më tej.
Shtëpia Mbretërore e Operës konsiderohet si një nga shtëpitë më ikonike dhe më historike të operës në botë. Është institucion i rëndësishëm kulturor i njohur për historinë e pasur, shfaqjet e jashtëzakonshme dhe hapësirën e klasës botërore. Ajo strehon Baletit Mbretëror dhe Operën Mbretërore.
Po me rolin e Leonorës, sopranoja Qerkezi pati debutuar në skenën operistike në “Royal Opera House Muscat” në Oman, në nëntor të 2020-s.
Revista botërore e dedikuar për operë “Operawire”, këndimin e Qerkezit si Leonora do ta konsideronte të mrekullueshëm.
“Tingulli kishte një timbër të zymtë që shprehte dhimbjen e Leonorës së saj dhe ndihej sikur Qerkezi nuk donte që aria të përfundonte. Ishte magjepsëse të shihje fytyrën e saj ekspresive të lëvizte me muzikën. Pastaj… zëri u bë edhe më i errët dhe tone më të ulëta, megjithëse jo gjithmonë rezonante, mori një peshë natyrale që tregonte Leonorën në modalitetin e dëshpërimit”, shkruante “Operawire” për këndimin e Qerkezit. E cilësonte zërin e Marigona Qerkezit tejet të fuqishëm për ariet në të cilat kërkohet kjo.
“Koloratura këndohej në përsosmëri dhe ndërsa ajo e përsëriste, zëri vazhdonte të fitonte forcë, duke mos mbaruar kurrë. Në përsëritjen e dytë, Qerkezi u dha një ‘ritardando’ rreshtave ‘O con te per sempre unita’, pothuajse sikur personazhi i saj të kishte mendime të dyta. Por ajo përfundimisht u kthye në fundin e shpejtë të ritmit që portretizonte një Leonora me vendosmëri”, shkruhej në vlerësimin e “Operawire”, që e renditi emrin e Marigona Qerkezit në mesin e top-dhjetë yjeve në ngritje për vitin 2023.
Në “Royal Opera House” është pjesë e kastit, ku do të interpretojë bashkë me Gwyn Hughes Jones, po ashtu në rol kryesor e bashkë me ta edhe Juan Jesús Rodríguez, Yulia Matochkina dhe Roberto Tagliavini. Dirigjent është italiani Carlo Rizzi. Pos debutimit më 9 korrik, Qerkezi do të interpretojë si Leonora edhe më 12, 16 e 19 korrik. Produksioni i njëjtë, në të cilin Leonorën e luan edhe sopranoja ruse, Elena Stikhina, ka shfaqje më datat 8, 11, 14 e 17 të të njëjtit muaj.
Opera “Il Trovatore” është një ndër më të inskenuarat në botë. Popullariteti i jashtëzakonshëm ka bërë që, sipas të dhënave, të ketë rreth 230 produksione në të gjithë botën, që nga premiera më 1853.
Është një rrëfim hakmarrjeje, dashurie të ndalur dhe për identitetet e gabuara. Rrëfimi vendoset në Spanjën e shekullit të 15-të.
Sipas shpjegimeve për historinë e veprës, ngjarja sillet rreth Kontit të Lunës, një fisnik që kërkon hakmarrje për vdekjen e vëllait të tij dhe trubadurit Manrico, një burrë që është njëkohësisht rival në dashuri dhe shënjestër e zemërimit të Kontit. Azucena, një grua që ka luajtur një rol kyç në ngjarjet e kaluara, mban një sekret që e ndërlikon më tej komplotin. Leonora, një zonjë fisnike, është e zënë midis dy burrave dhe dëshirave të tyre konkurruese.
Për këtë rol, fillimisht qe caktuar sopranoja italiane, Eleonora Buratto, por më pas ka ndodhur ndryshimi në kastin ku është përfshirë Qerkezi.
Debutimin profesional operistik sopranoja e pati në moshë të re. Ka ngjitur skenat në Slloveni, Itali, Britani të Madhe, Holandë, Kroaci, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Shqipëri, Zvicër, Turqi, Mal të Zi, Oman, Japoni, Finlandë, Dubai e Shtetet e Bashkuara. Britania i shtohet tashmë listës së gjatë. Por deri atëherë e presin skena të shumta.
Atë që e sjell Qerkezi në operë flet për dashurinë e thellë me Manricon, pavarësisht se është joshur nga Konti i Lunës. Ajo është zonja në pritje e mbretëreshës dhe tërhiqet nga kalorësi misterioz që e takon në një turne, për të cilin më vonë mëson se është Manrico. Ajo është gjithashtu shënjestra e obsesionit të Kontit, nga i cili përfundimisht helmohet, si komplot për ta mbajtur larg Manricos.
Qerkezi është e pandalshme në skenën operistike. Të enjten mbrëma ka mbajtur koncert në Tiranë, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
“Sopranoja e mirënjohur shqiptare, Marigona Qerkezi, magjepsi publikun e Tiranës me një performancë sa unike, aq edhe madhështore në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një udhëtim muzikor nga Verdi te Bernstein, nga emocionet klasike te tingujt shqiptarë, i përjetësuar përmes një zëri që nuk harrohet lehtë. Nën shoqërimin e Korit dhe Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së, me dirigjimin mjeshtëror të maestros Fabrizio Maria Carminati dhe Dritan Lumshit”, shkruhet në njoftimin e TOB, të shpërndarë nga Qerkezi.
Sopranoja e shquar qe edhe në Prishtinë dhjetorin e kaluar, ku bashkë me yllin tjetër të operës, tenorin Saimir Pirgu, interpretuan në një gala-koncert me Orkestrën e Operës së Kosovës, dirigjuar nga Elda Laro.