Mbështet KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Robert Duvall - aktori kameleon i ekranit dhe skenës

Robert Duvall

I nominuar shtatë herë për çmimin “Oscar”, ai fitoi çmimin në kategorinë “Aktori më i mirë” për portretizimin e një këngëtari të trazuar të muzikës “country” në filmin “Tender Mercies”  të vitit 1983. Robert Duvall vdiq në moshën 95-vjeçare në Middleburg, Virginia

Robert Duvall ishte një aktor i shquar dhe tepër produktiv i ekranit, i cili u dha një intensitet të përmbajtur dhe një autoritet të ashpër shtatë dekadave të kinematografisë amerikane.
I nominuar shtatë herë për çmim “Oscar”, ai fitoi çmimin në kategorinë “Aktori më i mirë” për portretizimin e një këngëtari të trazuar të muzikës “country” në filmin “Tender Mercies”  të vitit 1983. Duvall vdiq në moshën 95-vjeçare në Middleburg, Virginia.

Ndër rolet e tij të shumta përfshihen, një këshilltar mafioz në “The Godfather”, një oficer ushtrie në “Apocalypse Now” dhe një sherif i Texasit në mini-serialin “Lonesome Dove”. Më shumë aktor karakteresh sesa protagonist klasik, ai ishte i besueshëm për t’u dhënë një energji të zjarrtë, burrërore edhe filmave më komercialë të Hollywoodit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I lindur si Robert Selden Duvall në janar të vitit 1931 në San Diego, Kaliforni, Duvall e quante veten “fëmijë marine”, për shkak të karrierës së gjatë të të atit në Marinën e Shteteve të Bashkuara. I ati priste që ai të ndiqte Akademinë Detare në Annapolis, Maryland. Megjithatë, pas diplomimit nga universiteti në vitin 1953, ai shërbeu dy vjet në ushtri.
Më pas, Duvall u zhvendos në New York për të studiuar aktrim, duke punuar si nëpunës poste për të përballuar jetesën. Mes shokëve të klasës në shkollën e aktrimit ishin, Dustin Hoffman dhe Gene Hackman, të cilët u bënë miq të përjetshëm.

“Një mik është dikush që shumë vjet më parë të ofroi 300 dollarët e tij të fundit për t'iu nënshtruar operimit,” kujtoi ai më vonë. “Një mik është Gene Hackman”.
Duvall nisi të aktronte profesionalisht në “Gateway Playhouse”, një teatër veror në Long Island, ku luajti vepra të autorëve Arthur Miller, Tennessee Williams dhe të tjerë.

Interpretimi i tij në dramën “The Midnight Caller” të Horton Foote, bëri që dramaturgu ta rekomandonte për rolin e Boo Radley në versionin filmik të vitit 1962 të filmit, “To Kill a Mockingbird”. Në atë kohë, ai ishte shfaqur tashmë me role të vogla në projekte televizive si, “Naked City”,  “Alfred Hitchcock Presents” dhe “Armstrong Circle Theatre”.

“To Kill a Mockingbird”, i përshtatur nga Foote nga romani i Harper Lee, ishte roli i tij i parë filmik dhe u pasua nga paraqitje në filma si, “The Chase”, “Bullitt” dhe “True Grit”.

“The Rain People” i lansuar në vitin 1969, e shënoi bashkëpunimin e tij të parë me regjisorin Francis Ford Coppola, me të cilin do të punonte më pas në dy filmat e parë të sagës “The Godfather”.

Interpretimi i Tom Hagen në “The Godfather”, këshilltari i zgjuar i Don Vito Corleones së moshuar (luajtur nga Marlon Brando), i solli nominimin e tij të parë për “Oscar” në vitin 1973. Ai e ripërsëriti rolin edhe në “The Godfather Part II ” (1974).

Në vitin 1976, në filmin “Network”, Duvall e portretizoi një producent televiziv të korruptuar. Ndërkohë, u shfaq përkrah Michael Caine në “The Eagle Has Landed”, krahas Laurence Olivier në “The Betsy” dhe krahas Muhammad Ali në filmin biografik të boksierit, “The Greatest”. Në vitin 1979, Duvall dha ndoshta performancën e tij më të paharrueshme si nënkoloneli Kilgore, në epopenë e luftës së Vietnamit “Apocalypse Now”.
“E dua erën e napalmit në mëngjes”, deklaron personazhi i tij pasi udhëheq një sulm vdekjeprurës me helikopter mbi një fshat vietnamez.
Ai u shfaq po aq dominues në “The Great Santini”, duke luajtur një pilot të frustruar të Marinës që terrorizon fëmijët e tij adoleshentë. Skena ku ai torturon djalin duke i përplasur topin e basketbollit në kokë u parodizua nga Mike Myers në filmin e dytë, “Austin Powers”.

Rolet në filmat “Apocalypse Now” dhe “The Great Santini” i sollën nominime për “Oscar” për dy vite radhazi. I pari i siguroi gjithashtu një çmim “Bafta” dhe të parin çmim “Globi i Artë” nga katër trofetë e fituara gjatë karrierës. Megjithatë, ishte roli i këngëtarit alkoolik Mac Sledge në filmin “Tender Mercies”, që më në fund i dha “Oscarin” duke fituar përballë një liste aktorësh yje, përfshirë Michael Caine dhe Albert Finney.

Nominime të tjera për “Oscar” erdhën për rolet në filmat, “The Apostle” (1997), dramën ligjore “A Civil Action” (1998) dhe “The Judge” (2014). Në filmin “The Apostle”, të cilin ai edhe e shkroi dhe e drejtoi, e interpretoi një predikues ungjillor që nis një jetë të re në Luiziana, pas kryerjes së një krimi.

Në jetën reale, Duvall frekuentonte rregullisht kishën në fëmijëri, por ishte i rezervuar për të folur për besimin, duke thënë vetëm se “gjithmonë kishte qenë besimtar”.

Republikan i vendosur, ai ishte i pranishëm në inaugurimin e presidentit George W. Bush në vitin 2001.

Role të tjera përfshijnë një oficer policie nga Los Anxhelos në filmin “Colors”, një astronaut në “Deep Impact” dhe një drejtues ekipi Nascar në “Days of Thunder ”, ku luajti përkrah yllit Tom Cruise. Ai u ribashkua me Cruise në vitin 2012 në filmin “Jack Reacher” .

Megjithatë, Duvall dukej më i lumtur kur luante në rpjekte klasike si mini-seriali i vlerësuar nga publiku, “Lonesome Dove” apo në filmi ëestern i Kevin Cosrnerit, “Open Range”.

“Mendoj se filmat western na përkufizojnë”, tha aktori në vitin 2016. “Anglezët kanë Shakespearein, francezët kanë Molièrein, rusët kanë Chekhovin. Por westerni është i yni”.

Aktori ishte i pasionuar edhe pas futbollit, vallëzimit Tango dhe kryeqytetit argjentinas Buenos Aires, një qytet që thoshte se e donte “më shumë se çdo vend tjetër”.

Robert Duvall u martua dhe u shkurorëzua tri herë, dhe la pas gruan e tij të katërt, aktoren argjentinase, Luciana Pedraza. Ai nuk pati fëmijë dhe në një intervistë të realizuar në vitin 2003 kishte deklaruar se “kjo gjë nuk funksionoi kurrë për të”.

Duvall shquhej si burrë dhe aktor që ka pasur fuqi, dhe një pjesë e asaj fuqie është larguar nga filmat sot.

(Marrë nga BBC, përktheu Edona Binaku)